E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Fazlliç, 50 milionë euro me Berishën sekser

 

aristir lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar dje kryeministrin Sali Berisha si sekser të biznesmenit të përfolur për afera korruptive në Ballkan, Damir Fazlliç. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Rama gjatë një konference për shtyp në selinë e PS, denoncoi bashkëpunimin korruptiv Berisha-Fazlliç dhe një sërë faktesh të tjera, që sipas tij njehsojnë qeverinë me fenomenin negativ në vend. “Sot është dita kur shqiptarët kërkojnë me zë më të lartë se asnjëherë, drejtësi për 26 viktimat e pafajshme të Gërdecit e për qindra familjet e dëmtuara nga vullkani i korrupsionit shtetëror që shpërtheu në Gërdec; drejtësi për qindra miliona euro të grabitura nga fondet e rrugës Durrës-Kukës, të cilat kjo qeveri që ditën betohet për popullin e natën pasurohet për vete, do t’ia lerë borxh në kurriz familjeve shqiptare dhe fëmijëve të tyre”, tha Rama në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit. Kreu i PS shtoi se “shqiptarët që votuan për qeverinë me duar të pastra kërkojnë drejtësi për shkeljet ligjore të kryeministrit të tyre”. Sipas tij, “sot është dita kur shqiptarët që votuan më 3 korrik 2005 për një qeveri kundër korrupsionit e kuptojnë më qartë se asnjëherë, që qeveria është njehsuar me korrupsionin”. “Drejtësi për abuzimin marramendës të një grushti pushtetarësh me një sekser serb që ka kthyer në sekser të tijin Kryeministrin e Shqipërisë dhe brenda 3 vjetësh ka bërë në Shqipërinë tonë 50 milionë euro, pa pasur asnjë aktivitet tjetër përveç bashkëpunimit korruptiv me qeverinë dhe pa paguar asnjë qindarkë taksa”, tha Rama në konferencën e djeshme për shtyp. Për kryesocialistin, shqiptarët janë koshientë se kryeministri u shpërdoroi besimin dhe nuk mund t’i shpëtojë dot nga korrupsioni. “Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për t’i dhënë Sali Berishës shansin që t’i udhëheqë jashtë tunelit të korrupsionit, e ndjejnë më qartë se asnjëherë se dalja nga ky tunel është e pamundur me Sali Berishën në krye të qeverisë”, deklaroi mes të tjerash Rama. Kreu socialist duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve tha se “unë u them të gjithë shqiptarëve, socialistëve e demokratëve pa dallim, qytetarëve e qytetareve të këtij vendi të marrë peng nga një grusht politikanësh, se është koha për t’i dhënë jetë një bashkimi të ri burrash e grash që duan një Shqipëri të drejtë e të barabartë me të gjithë, pasi sipas tij ora e kthesës po afron”.

PD: Rama, i lidhur me bandat

Partia Demokratike reagoi dje pas akuzave të Ramës për lidhjet korruptive të qeverisë. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani tha se, “Rama harron që është njeriu që pastroi paratë e ‘Hakmarrjes për Drejtësi’ me lejet e ndërtimit, politikani i vetëm që në dosjen e tij në prokurori ka kilometra të tëra telefonatash me serial–killer, përfshirë dhe afera intime. Njeriut që i del emri në proceset hetimore të bandave shqiptare në Itali dhe vende të tjera, merr këto kohë rolin e kryehetuesit politik, duke besuar dhe shpresuar se do të mund të fshehë lidhjet e tij të krimit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›