E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Berisha sulmojnë njëri-tjetrin për Lëvizjen e Dhjetorit

Nga L.Progni, A.Maho

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ai i Partisë Socialiste, Edi Rama, u përplasën dje në lidhje me Lëvizjen e Dhjetorit dhe rolin e secilit në të.

I pari, kryeministri Berisha gjatë një vizite në memorialin e Azem Hajdarit, tha se Rama nuk u pranua në PD për shkak të lidhjeve me regjimin. Berisha tha se edhe fakti që Rama kishte krijuar një parti islamo-kristiane, ishte një arsye që ai të mos lejohej në PD. “Lëvizja e Dhjetorit ishte një lëvizje e studentëve, pedagogëve dhe intelektualëve, e cila çeli dyert e lirisë për shqiptarët. Lidhur me pyetjen që bëni, nuk më kujtohet që ai të ketë qenë ditët e para. Erdhi më vonë, por për shkak të disa kritereve radikale ose gjysmë radikale të vendosura nga Partia Demokratike, për shkak se nga njëra anë ai ishte nipi i Byrosë Politike dhe biri i Komitetit Qendror, nuk u pranua në lëvizje dhe krijoi një parti të çuditshme, të quajtur “KIS”, por që s’ka asgjë të përbashkët me puthjen. Ajo ishte Partia Kristiano-Islamike, që e themeloi së bashku me avokatin dhe tre të tjerë. Me krijimin e asaj partie ata bënë një veprim jashtëzakonisht të mbrapshtë, sepse kërkuan të përziejnë fenë me partitë, me shtetin. Atëherë, institucionet ndërkombëtare dhe institucionet e mëdha fetare të botës ndërhynë dhe thanë se nuk mund të shkohet më tej, pasi feja, kisha e xhamia janë të ndara nga shteti. Ky është roli i kryetarit aktual të PS, me qenë se keni kuriozitet. Pra, ai erdhi më vonë për t’u bashkuar me Partinë Demokratike, por nuk e lejuan disa grupe, për shkak të atyre problemeve të tij”, - tha Berisha.

Pak orë më vonë, në një intervistë televizive, kryetari i PS i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Berisha. Rama tha se ai u quajt ekstremist dhe u nda nga PD për shkak se ajo ishte një parti ku vazhdonin të drejtonin komunistët, nën drejtimin e kryetarit, që Rama e ka quajtur shoku Sali. Rama tha se ndryshe nga Berisha, ai ishte për dënimin publik të figurës së Enver Hoxhës dhe distancimin nga Ramiz Alia dhe ajo që quhej roli i tij në ardhjen e demokracisë në vend. Rama shtoi se ai ndahej nga PD dhe nga Berisha për sa i përket të përndjekurve politikë. Sipas tij, Berisha i quante ato llum i shoqërisë, ndërsa ai kërkonte lirimin e tyre. “Në ‘90 më quajtën ekstremist, se unë u ndava prerazi me PD dhe me atë që u bë kryetari i saj, i cili asokohe ishte shoku Sali Berisha. Unë isha për dënimin publik të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, ndërsa Sali Berisha e quante Enver Hoxhën komandantin e luftës që nisi të gabojë në vitet ‘60. Këto janë fakte publike.

Unë ndahesha prerazi me PD dhe Sali Berishën, pasi angazhoheshim për të burgosurit politikë, që Sali Berisha u quante llumi i shoqërisë. Ne dolëm me një peticion, që e lamë te dera e Presidencës, ku kërkonim lirimin e të burgosurve politikë. Ky peticion u refuzua për botim nga “Rilindja Demokratike”. Në PD vinin njerëz nga radhët e regjimit”, - tha Rama në emisionin “Shqip” në “Top Channel”, ku pyetjet i drejtoheshin nga një auditor i mbushur me studentë.

Rama tha se Berisha erdhi si i dërguar i Ramiz Alisë dhe arriti të manipulojë atë lëvizje. “Si komunist i përgatitur, Berisha, i dërguar nga Ramiz Alia për të folur në emër të tij, arriti që ta manipulojë atë lëvizje dhe ta shndërrojë në një parti që nisi të vuante nga ato probleme që vuan një parti që nuk ka hapësira”, - tha Rama, i cili e quajti deklaratën e Berishës si shprehje e luftës klasore.

Duke folur me studentët, Rama sërish e quajti veten qytetar dhe jo politikan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›