E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA qëllohet me armë në Lazarat

Banorët roje të Lazaratit, të fshehur në male, qëllojnë në ajër. Policia largohet pa u kundërpërgjigjur.

Filmonin parcelat me kanabis, katër oficerë përballen me të shtënat.

Një grup prej katër oficerësh të repartit special RENEA është përballur me të shtëna armësh mëngjesin e djeshëm nga banorët e Lazaratit.
Ngjarja ka ndodhur në orën 06:30 të mëngjesit të djeshëm. Breshëritë e armëve, që besohet se kanë qenë kallashnikovë, kanë ardhur nga pas shkurreve të maleve që rrethojnë fshatin problematik. Të shtënat i kanë detyruar forcat speciale të zmbrapsen pa e çuar deri në fund operacionin që kishte për qëllim monitorimin e parcelave me kanabis. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se ende nuk është dhënë një urdhër që forcat speciale të zbarkojnë në Lazarat për asgjësimin e kanabisit, por para se të jepet ky urdhër duhet studiuar terreni nga larg. Ky ka qenë edhe roli i katër oficerëve të RENEA-s që dje në orët e para të mëngjesit ishin pozicionuar në një grykë mali dhe studionin duke filmuar parcelat e mbjella me kanabis. Fakti se Lazarati vazhdon të jetë i padepërtueshëm nga policia vjen, me sa duket, prej faktit se banorët thuajse të gjithë janë të armatosur. Dyshohet se persona të armatosur, të pozicionuar nëpër male, vëzhgojnë çdo lëvizje mjetesh apo personash që hyjnë në fshatin e tyre dhe atëherë kur pikasin forca policie, nuk mungojnë të shtënat me armë zjarri. Kjo nuk është hera e parë që banorët e Lazaratit qëllojnë me armë kur RENEA i afrohet fshatit. Në disa raste banorët kanë qëlluar me armë jo vetëm në ajër, por edhe drejt forcave policore, madje edhe drejt helikopterëve që monitoronin nga ajri parcelat me kanabis. Specialistë të Policisë së Shtetit po përgatisin një plan operacional për asgjësimin e rrënjëve të kanabisit në Lazarat. Megjithatë, duket se ende nuk po gjendet një formë që operacioni të përfundojë pa konfrontime, të shtëna armësh apo edhe gjakderdhje. Burime të rezervuara thanë se deri diku shihet si mision i pamundur depërtimi i policisë në fshatin rebel. Kjo për shkak se banorët janë të armatosur dhe do të mbrojnë me çdo kusht parcelat që kanë mbjellë me kanabis.
PARCELAT E KANABISIT
Ndryshe nga vitet e tjera, duket se këtë vit Lazarati ka më pak parcela të mbjella me kanabis, ose të paktën ato kanë sipërfaqe më të vogël. Monitorimet e djeshme të kryera nga forcat RENEA, përveç dy parcelave të vogla, të identifikuara në distancë, kanë zbuluar se parcelat e dikurshme tashmë nuk ekzistojnë. Megjithatë, burimet thanë se pavarësisht aksioneve të vazhdueshme, kontrolleve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, në rrugën hyrëse të fshatit, por edhe në rrugët e malit ku kalojnë kafshët, në Lazarat edhe këtë vit është mbjellë hashash. Por, sipas të njëjtave burime, mësohet se parcelat e mëdha që konstatoheshin vitet e kaluara nuk shihen më në distancë, pasi bimët mbillen në parcela më të vogla, aq sa të maskohen nga shtëpitë, në një pozicion të tillë që as nga monitorimet në distancë të mos zbulohen nga policia. Duket se aksionet e vazhdueshme të Policisë në bllokimin e plehut, ujit dhe punëtorëve që punësojnë banorët, ua ka vështirësuar disa punën lazaratasve, të cilët megjithatë nuk heqin dorë.

Lazarati i rrethuar nga policia prej 2 javësh
GJIROKASTER Fshati problematik i Lazaratit, nga 14 qershori, kur Policia e Gjirokastrës nisi një operacion të beftë për të parandaluar mbjelljet e kanabisit, vazhdon të jetë i rrethuar nga policia. Veç policisë lokale, rrugët hyrëse e dalëse, të automjeteve, këmbësorëve dhe kafshëve mbahen nën kontroll nga postblloqe të FNSH-së të Fierit, Tiranës dhe Shkodrës. Në aksionin e parë, policia ndaloi 100 persona, kryesisht gra, të cilat ishin të punësuara nga banorët e Lazaratit për të mbjellë kanabis. Aksionet e Policisë kanë penguar hyrjen në fshat të personave që dyshohet se janë të punësuar për mbjelljen e kanabisit, si dhe kanë bllokuar sasi plehu e uji që transportohen me kafshë e makina, në mënyrë që banorëve tu vështirësohet procesi i mbjelljes. Thuajse çdo ditë, që nga aksioni i parë, Policia e Gjirokastrës ndalon persona të dyshuar si të punësuar në Lazarat, edhe pse ata nuk pranojnë të jetë punëtorë të mbjelljes së hashashit. Disa prej mëditësve të hashashit, të cilët u privuan nga puna në Lazarat, kanë rezultuar kontingjent i armatës së të papunëve që grumbullohen përditë në sheshin OMONIA, në afërsi të zonës industriale të Gjirokastrës. Mjaft prej tyre janë të ardhur nga Elbasani dhe Cërriku, ndërsa pjesa tjetër nga Gjirokastra. Burime nga Policia thanë se deri në një moment kur të vendoset ndërhyrja e forcave speciale në brendësi të fshatit, FNSH dhe Policia e Gjirokastrës nuk do ti ndërpresë aksionet, kontrollet dhe shoqërimet e personave që dyshohet se janë të punësuar për mbjelljen e hashashit.

HYSNI BURGAJ
Një ndër prioritetet e punës së Policisë për këtë vit është parandalimi qysh në embrion i kultivimit të bimëve narkotike dhe shpresoj që me masat e marra, me marrëveshjen lidhur edhe me Policinë italiane, së shpejti do të kemi inspektim me avion në të gjithë territorin shqiptar, për të përcaktuar në detaje me koordinata shumë të sakta se ku dhe sa hashash kultivohen në Lazarat apo dhe zona të tjera të vendit, është shprehur Burgaj.

AKSIONI
Aksioni i vetëm i kryer nga forcat speciale RENEA gjatë kësaj periudhe ishte aksioni i djeshëm, që në fakt kishte si qëllim monitorimin e zonës nga larg dhe zbulimin e parcelave me kanabis. Para se të nisin aksionin për të depërtuar në fshat, për asgjësimin e kanabisit, forcat RENEA duhet të studiojnë terrenin, edhe pse urdhri nuk është dhënë ende për të zbarkuar në Lazarat.

Zbulohen 3 mijë rrënjë kanabis në Zall-Bastar
Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër parcelë me 3 mijë rrënjë kanabis në fshatin Zall-Bastar. Operacioni kundër kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike të forcave të Komisariatit Nr. 4 dhe Antidrogës së Tiranës është kryer pasditen e djeshme, në fshatin ku edhe një javë më parë u zbuluan rrënjë kanabisi. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se rrënjët e kanabisit janë zbuluar në një parcelë (arë) që është fare pranë një banese dhe që dyshohet të jetë pronë e kryefamiljarit, i cili ende nuk është gjetur nga policia. Sipas Policisë, lënda narkotike u zbulua në një fushë me patate dhe menjëherë u përcaktua komisioni për asgjësimin e bimës narkotike. Tri ditë më parë u zbuluan 8 parcela të mbjella me kanabis në po të njëjtën zonë dhe policia bëri të mundur arrestimin e tre personave që dyshohet ta kishin kultivuar. Policia asgjësoi 435 rrënjë kanabis dhe arrestoi shtetasin Beqir Çali, si dhe dy të tjerë u morën në hetim për kultivim lëndësh narkotike. Gjatë aksionit Policia sekuestroi edhe 7 armë të llojeve të ndryshme që ata i mbanin pa leje.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›