Dollapi: Pas rritjes së çmimit, ujë 24 orë për qytetarët
Drejtori i Ujësjellësit të Tiranës Sahit Dollapi ka deklaruar se rritja e çmimit të ujit të pijshëm do të pasohet nga përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimi me 24 orë në ditë të konsumatorëve. Dollapi theksoi se kostoja është më e madhe se çmimi i ujit të pijshëm dhe rritja e çmimit të tij do të bëhet në disa drejtime, në rritjen e kohëzgjatjes dhe kjo nëpërmjet investimeve në rrjet. Nga ana tjetër banorët thonë se uji u vjen vetëm dy orë gjatë gjithë ditë natës dhe kjo jo me
ndonjë orar të përcaktuar. Sipas tyre familjarët që ndodhen në shtëpi rrinë duke përgjuar se kur vjen uji për të mbushur me nxitim enët. Edhe ata kanë protestuar disa herë duke kërkuar një furnizim normal me këtë produkt, që sikundër pohojnë edhe vetë e paguajë rregullisht njësoj sikur të kishin furnizim 24 orësh. Aktualisht, banorët kryeqytetas por edhe bashkitë e komunat që përfshin rrethi i Tiranës në pjesën më të madhe të rasteve e paguajnë ujin jo sipas metrave kub të shpenzuar, por për frymë. Pagesa në këtë mënyrë bëhet për faktin se mungojnë matëset e sasisë së shpenzuar të ujit. Për rrjedhojë faturimi kryhet afrofe. Drejtues të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve të Tiranës kanë premtuar se një nga investimet për vitin 2010 është vendosja e 20 mijë matëseve, si dhe kompletimi tërësor me matësa për subjektet private dhe shtetërore. Sipas tyre, qëllimi i këtij investimi është përmirësimi i shërbimit ndaj konsumatorit dhe rritja e nivelit të arkëtimeve.
Last Updated on E Premte, 05 Shkurt 2010 20:24