E Shtunë, 31 Tetor 2026

At Nikolla Marku: Regjistrimi fetar, tradhti kombëtare

Kreu i kishës ortodokse të Elbasanit thotë se ky regjistrim përmbush ëndrrën Greke për Vorio Epirin

ELBASAN - At Nikolla Marku, famulltari i kishës "Shën-Maria", në Elbasan, e ka çuar më tej debatin mbi regjistrimin e popullsisë në aspektin fetar dhe etnik duke e cilësuar atë tradhti kombëtare. Sipas tij, një regjistrim i tillë do t'i shërbente ultranacionalistëve grekë, pasi qëllimet për këtë regjistrim i sheh si antikombëtare, të cilat mund t'i shërbejnë ëndrrës së shovinizmit grek për Vorio Epirin.

Gjithashtu, prifti i kishës "Shën Maria", i cili konsiderohet si një ndër kundërshtarët e fortë të Janullatos në Shqipëri thotë se nuk është kjo koha e duhur për këtë lloj regjistrimi. "Regjistrimi në aspektin fetar dhe etnik i shërben ultranacionalistëve grekë.

Priftërinjtë dhe kisha greke, besoj e motivojnë patjetër këtë çështje, ka si qëllim që të marrë këto të dhëna për të realizuar ëndrrën e tyre me sy hapur të Vorio Epirit, i cili është si të thuash një arrë gur që i ka mbetur në fyt e s'po e kapërdijnë dot.

Ata kanë dëshirë që Shqipëria e Jugut të tjetërsohet dhe të marrë një pamje tjetër. Kjo është një tradhti kombëtare". At Nikolla shkon edhe më tej duke e cilësuar procesin e regjistrimit lehtësisht të manipulueshëm për shkak se Shqipëria është akoma e brishtë ekonomikisht. "Regjistrimi i popullsisë në aspektin fetar mund t'i shërbejë vetëm disa qarqeve duke përdorur edhe ekonominë e brishtë shqiptare.

Njerëzit të motivuar nga kushtet ekonomike nuk do të bënin një vetëdeklarim të saktë të besimit të tyre fetar. Unë mendoj se nuk është momenti i përshtatshëm për të bërë këtë lloj regjistrimi mbi bazën e etnisë dhe përcaktimit fetar. Por dhe nuk është letra ajo që përfaqëson besimin e një njeriu".

Edhe këtë herë at Nikolla nuk ka lënë jashtë kundërshtarin e tij të përhershëm, Antastas Janullatos. "Me indinjatë e them se si zoti Janullatos, bashkë me kryetarin i bektashizmit, me kreun e kishës katolike përqafojnë këtë ide. Ëndrra e kryepeshkopit grek po realizohet sepse Shqipëria do dalë 1 milionë ortodoksë, 2 milionë do dalin turq dhe shqiptarë s'do ketë më.

Kjo ështe një gjë e papëlqyer për shqiptarët dhe kundër tyre". At Nikolla, një kundërshtar i përhershëm i kishës ortodokse të kryesuar nga kryepeshkopi Janullatos ka ruajtur idetë dhe parimet e kishës Autoqefale Kombëtare Shqiptare që është mbajtur nga Visarjon Xhuvani. Në kishën Shën Maria një vend të rëndësishëm zë flamuri shqiptar, meshat bëhen në shqip, madje dhe ikonat kanë shkrime në gjuhën shqipe.

*******************

Vera Lesko, Ambasadore Nderi në luftën ndaj trafikimit njerëzor

Kryetarja e qendrës "Vatra" në Vlorë, Vera Lesko, është nderuar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, me titullin Ambasadore Nderi në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Ministri Meta e ka cilësuar atë si një nga personat e parë nga shoqëria civile, të angazhuar për një kohë të gjatë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri.

Këtë takim Meta e ka shfrytëzuar për të pohuar se Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, dhe se qeveria ka hartuar bazën e nevojshme ligjore, si dhe Strategjinë Kombëtare antitrafik. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se qeveria është e vendosur të ndërtojë një partneritet të ri me shoqërinë civile dhe me të gjithë grupet e interesit në mënyrë që puna e përbashkët të përfitojë një dimension rajonal.

Ndërsa Lesko, nga ana e saj, shprehu krenarinë për këtë vlerësim që ajo e konsideroi si një vlerësim që i bëhet të gjithë stafit të "Vatrës", të gjitha atyre grave dhe vajzave që me përkushtim dhe sakrificë, kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në mbrojtje të viktimave të trafikimit njerëzor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›