E Diel, 1 Nëntor 2026

Kleri i përçarë për regjistrimin me bazë fetare

Tri komunitete fetare kryesore në vend, nuk raportojnë një qëndrim zyrtar. Të krishterët, janë pro, myslimanët janë skeptikë e shohin me dyshim

Dorian Demetja: Regjistrimi i popullsisë mbi baza fetare, nuk do të jetë objektiv

Regjistrimi i popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare, është një çështje që ka ngjallur debat jo vetëm mes specialistëve, por edhe në ambiente të tjera, sociale e intelektuale.

Ndonëse mendimet e ekspertëve, historianëve, diskutimet mes figurave të njohura dhe të panjohura në publik kanë qenë të shumta, fare pak është dëgjuar zëri i komuniteteve fetare, të vendit tonë. Por edhe në ato raste kur është dhënë një opinion, ai nuk ka qenë aspak zyrtar.

Në fakt, tri selitë më të mëdha të komuniteteve fetare në vend nuk ndajnë të njëjtin mendim, për sa i përket elementit fetar në regjistrimin e popullsisë. Secila palë ka folur nëpërmjet zëdhënësve apo përfaqësuesve, të cilët thonë se përkohësisht nuk ka asnjë qëndrim zyrtar në ana e institucioneve.

Sipas përfaqësuesit të komunitetit ortodoks, një veprim i tillë nuk cenon aspak kishën ortodokse. Çështja e regjistrimit të popullsisë është një aktivitet shtetëror, dhe Kisha nuk ka lidhje me aktivitetet politike, por merret vetëm më çështjet shpirtërore.

Dhe për sa kohë një veprim i tillë ndërmerret për të mirën e njerëzve, kisha nuk she asnjë problem. Të njëjtin qëndrim mban edhe komuniteti katolik.

Sipas Don Gjergj Metës, një regjistrim i tillë i popullsisë nuk përbën aspak problem për sa kohë ai përdoret për qëllime statistikore. "Cilido të jetë rezultati i statistikave apo përqindjeve, ai nuk ka për të cenuar bashkëjetesën fetare apo harmoninë e komuniteteve fetare", argumenton Don Gjergj Meta.

Ndonëse përfaqësuesit e komunitetit të krishterë shprehen në këtë mënyrë, ata thonë se institucionet, të cilat përfaqësojnë ende nuk kanë një qëndrim zyrtar. I njëjti reagim vjen edhe nga komuniteti mysliman.

As ky institucion nuk ka një qëndrim zyrtar në lidhje me regjistrimin e popullsisë mbi bazën e etnisë dhe të fesë. Në fakt, një palë e historianëve mendojnë se një regjistrim i tillë, mdi bazën e fesë dhe të etnisë do të kishte efekte negative për këtë komunitet. Dhe këtë e argumentojnë me dukurinë e ndërrimit të fesë, nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Kjo dukuri, sipas tyre, është një faktor që do të çojë në një rezultat jo real, për sa i përket besimit fetar. Të njëjtin mendim ka edhe Drejtori i Kulturës në Komunitetin Mysliman, Dorian Demetja. Sipas tij, nëse regjistrimi i popullsisë bëhet mbi baza fetare, ai nuk do të jetë objektiv dhe për më tepër rezultati do të jetë fiktiv dhe jo real.

"Regjistrimi i popullsisë është një proces i vështirë dhe komplikohet akoma më shumë nëse do të bëhet mbi baza etnike dhe fetare. Mendoj duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, ky regjistrim nuk do të zhvillohet në mënyrë objektive dhe për më tepër rezultati do të jetë fiktiv dhe jo real."

Më tej Demetja argumenton se rezultati nuk do t'i shërbejë vendit as për qëllime ekonomike dhe as për qëllime sociale, dhe për më tepër nuk do t'i shërbejë të vërtetës dhe interesit të palës shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›