Dollari bie nën 100 lekë
Leku rekuperon pikë ndaj disa monedhave, por mbetet inferior ndaj euros, duke u këmbyer me mbi 130 lekë
Leku ka pësuar një vlerësim të ndjeshëm dje kundrejt dollarit amerikan. Monedha shqiptare ka rekuperuar dje, më shumë se 3 pikë, dhe një dollar është këmbyer me 97 lekë, nivel i cili nuk arrihej prej disa javësh. Leku ka fituar pikë edhe ndaj disa monedhave të tjera, si paundit dhe frangës zviceriane. Sterlina angleze ka rënë nën nivelin e 140 lekëve dhe ditën e djeshmë ka humbur rreth 0.4 pikë.
Ndërkohë, euroja vazhdon të jetë monedha, e cila vazhdon të vlerësohet, megjithëse me ritme më të ulëta ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me rreth 131 lekë dje, duke fituar një terren të papërfillshëm krahasuar me një ditë më parë.
Stabiliteti shpjegohet nga ekspertët me rënien e kërkesës në tregun shqiptar ndaj kësaj monedhe, por edhe me një ndërhyrje të mundshme në tregun valutor nga Banka e Shqipërisë. Dollari amerikan ka pësuar tronditje në tregun ndërkombëtar dje, duke lëshuar terren ndjeshëm ndaj euros.
Monedha europiane u këmbye dje për 1.37 dollarë, pas frikës së investitorëve se blerja e borxheve nga Rezerva Federale do të përfundonte me prishjen e rezervës botërore të parasë.
FED-i deklaroi dy ditë më parë, se do të blinte 300 miliardë dollarë borxh afatgjatë, në gjashtë muajt e ardhshëm, sasia më e madhe e borxhit qeveritar që nga viti 1960. Rezerva Federale ka deklaruar se do të blejë 1.2 trilionë dollarë borxh në total, por specialistët e bursave nuk dhanë shenja optimizmi, pavarësisht se bursat fituan disa pikë menjëherë pas njoftimit. Një ekspert financiar tha dje në një intervistë për CNN-në, se blerja e borxhit nuk do të thotë se bankat do të kenë para.
"Është thjesht një blerje borxhi. Nëse bankat fillojnë të kreditojnë bizneset dhe individët, atëherë kjo do të ishte pozitive, pasi do të rritej konsumi, rritet numri i të punësuarve dhe do të fillonim të ndjenim pak efektet e inflacionit. Vetëm atëherë do të shohin shenjat e para të daljes nga kriza",- tha eksperti për rrjetin televiziv CNN.