Energjia "shpëton" bilancin tregtar
Reshjet e shumta kanë dhënë ndikimin e tyre, duke e kthyer Shqipërinë në eksportuese energjie
Megjithëse me vetëm 7 milionë dollarë, shitja e energjisë ka ngushtuar deficitin mes importeve dhe eksporteve
TIRANË - Eksporti i energjisë elektrike lehtëson deficitin tregtar të dy muajve të parë të vitit 2009. Në kushtet e një krize globale, ku si pasojë e rënies së kërkesës, në tregjet ndërkombëtare, për mallrat që eksportojmë, shitja e energjisë elektrike rezulton të ketë qenë "shpëtimtarja" e deficitit tregtar të Shqipërisë, për muajt janar-shkurt 2009. Sipas zëvendësministrit të Financave, Florion Mima, për dymujorin e parë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar 700 milionë lekë energji elektrike. Ndërkohë, vetëm për muajin janar 2009, vendi ynë shënonte një deficit tregtar në vlerën 210 milionë dollarëve. Të ardhurat janë siguruar nga shitja e energjisë elektrike drejt Greqisë, ku për periudhën 22 janar-28 shkurt, janë eksportuar rreth 200 milionë kilovat orë. Shuma e përfituar nga tregtia me Korporatën Elektroenergjetike greke, është 7 milionë dollarë. Shitja e energjisë elektrike jashtë, është favorizuar edhe nga situata e mirë hidrike në basenet e hidrocentraleve të vendit, ku gjatë kohës së eksportit drejt Greqisë, niveli i ujit në Hidrocentralin e Fierzës, arriti në 284 metra, si rrallë ndonjëherë. Në një prononcim për mediet gjatë asaj periudhe, kreu i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, do të shprehej se, vetëm në kaskadën e lumit Drin, ishin të rezervuara 1.1 milionë kilovat orë energji elektrike, e cila do të përmirësonte edhe treguesit e kësaj korporate.
Bilanci
Sipas të dhënave, gjatë dy muajve të parë të vitit 2009, Shqipëria ka eksportuar 17 miliardë lekë mallra, rreth 0.8 % më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas zëvendësministrit të Financave, Florion Mima, humbja e lehtë e eksporteve kompensohet me mbledhjen e 700 milionë lekëve nga shitja e energjisë elektrike. Disa vite me radhë, eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje të vazhdueshme, afërsisht 15 për qind çdo vit, por kriza ekonomike që ka përfshirë shtetet perëndimore dhe, kryesisht në vendet ku shkojnë mallrat shqiptarë, ka bërë që të ulet ndjeshëm tregtia e mineraleve. Bashkë më tekstilet, mineralet përbëjnë shtyllën kurrizore të eksporteve shqiptare, por si pasojë e uljes së kërkesës nga jashtë, ato kanë shënuar shifra të ulëta gjatë fillimvitit 2009. Vetëm për muajin janar, eksporti i tyre është ulur me 32 për qind krahasuar me muajin dhjetor 2009. Gjatë muajit të parë të këtij viti, vendi ynë ka pasur 6.7 miliardë lekë mallra eksporte dhe 28 miliardë importe, duke ngushtuar deficitin tregtar në 21 miliardë lekë.
700 milionë lekë të ardhura nga eksporti i energjisë elektrike, janë realizuar për afro 40 ditë
200 milionë kilovat orë energji elektrike i janë shitur Greqisë, gjatë periudhës janar-shkurt 2009
17 miliardë lekë mallra ka eksportuar Shqipëria gjatë dy muajve të parë të vitit 2009
210 milionë dollarë është deficiti tregtar për muajin janar 2009, i cili u ul me 41.5% krahasuar me dhjetorin