PE: Situata brenda BE-së, jo e favorshme për zgjerimin
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka deklaruar dje se BE-ja do të vëzhgojë gjithë procesin zgjedhor
TIRANË-Delegacioni i Parlamentit Europian për Evropën Juglindore, këshillon qeverinë shqiptare që të mos nxitohet me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, pasi situata është e pafavorshme.
Kryetarja e këtij delegacioni, Doris Pack, e cila dje zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, deklaroi gjatë takimit të 16-të ndërparlamentar Shqipëri-Parlament Europian se, situata brenda BE-së nuk është shumë e favorshme, pasi jo çdokush është në favor të zgjerimit të këtij organizmi. Europarlamentarja theksoi gjithashtu se, qeveria dhe klasa politike nuk duhet të shkëputin nga vëmendja prioritetet që ka vendi, duke renditur të parin zgjedhjet e qershorit.
Doris Pack zhvilloi dje takime edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe ministrin e Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj. Gjatë takimit me kreun e shtetit Topi, ky i fundit, duke u ndalur në zgjedhjet e pritshme parlamentare të qershorit, theksoi se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për pajisjen e popullsisë me karta identiteti brenda afatit, proces i cili është në fazën e aplikimit nga shtetasit shqiptarë dhe që do të synojë garantimin e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe të pakontestuara.
Por, përpos garancisë që jepen për zgjedhjet, ndërkombëtarët vazhdojnë ta cilësojnë këtë proces si test maturie për vendin.
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka deklaruar dje se Bashkimi Europian do të vëzhgojë gjithë procesin zgjedhor dhe veçanërisht përgatitjet dhe ecurinë e procesit gjatë muajit maj.
Sipas tij, 2009-a është i rëndësishëm për Shqipërinë, për shkak të hyrjes në fuqi të MSA-së në prill, hyrjes në NATO, po ashtu edhe për zgjedhjet. Ndërsa Përfaqësuesi çek i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tomas Szyoany, ka ritheksuar në takimin ndërparlamentar, vendimin e presidencës çeke të BE-së, për konsiderimin e Ballkanit Perëndimor si prioritet të saj.
Ndërkaq, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, duke ftuar krerët e shtetit të reflektojnë mirë përpara se të hedhin një hap të tillë.