E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset grabitësi i banesave

Dyshohet se në grabitje kanë marrë pjesë edhe dy persona të tjerë që po hetohen nga policia


Shkëlzen Sherri, 30 vjeç, nga Lezha u ndalua nga policia në banesën e tij, ku edhe iu gjetën dy armë automatike


TIRANE- Një person i dyshuar si autor i grabitjes me armë të 600 mijë lekëve në një banesë në kryeqytet, është prangosur nga zyra e hetimit të krimeve të Grabitjes me Armë dhe Shkatërrimit të Pronës, ndërsa dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij janë marrë nën hetim nga policia. Shkëlzen Sherri, 30 vjeç, me banim në Lezhë, u arrestua nga blutë e kryeqytetit gjatë operacionit "Ura 1", në banesën e tij në cilësinë e personit të dyshuar për kryerjen e një grabitjeje në fshatin Vaqarr të Tiranës. Ngjarja për të cilën akuzohet personi i arrestuar nga policia dy netë më parë, sipas burimeve të policisë, ka ndodhur një mesnatë të dhjetorit të vitit 2008. Ai dhe dy persona bashkëpunëtorë të tij hynë në një banesë në Vaqarr, ku pasi lidhën pjesëtarët e familjes që ndodheshin, aty grabitën një sasi parash nga kursimet e familjes. Oficerët e policisë kryen kapjen e 30-vjeçarit në banesën e tij në Lezhë ku gjatë një kontrolli iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri automatik si dhe tre krehra automatiku me 49 fishekë.


Grabitja
Në dhjetor të vitit të kaluar, dyshohet se Shkëlzen Sherri në bashkëpunim me dy persona të tjerë të armatosur dhe me maska kanë shkuar në orët e vona të natës në banesën e Shaqir Bebas. Nën kërcënimin e armës, tre personat kanë mundur të vjedhin në banesë rreth 600 mijë lekë, ndërsa më parë ata kanë terrorizuar familjarët. Pasi morën paratë autorët mundën të largoheshin të qetë. Gjatë hetimit të kryer në vendin e ngjarjes dhe gjatë dëshmive të marra, policia krijoi një imazh mbi autorët e mundshëm të grabitjes. Ndërkaq, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët kriminalistë të policisë, mundën të grumbullonin prova të ndryshme si gjurmë gishtash apo gjurmë të tjera. Ndërkaq gjatë një ballafaqimi për njohje në ambientet e policisë, të dëmtuarit mësohet se kanë pohuar se autori ishte me parametra të njëjtë me këtë të fundit. Burime nga policia thanë se në rrugë operative policia identifikoi autorët ndërsa bëri të mundur kapjen e njërit prej tyre. Shkëlzen Sherri u arrestua gjatë natës duke u gdhira dita e djeshme në banesën e tij në Lezhë, ndërsa policia bëri të ditur se po punohet për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të tij. Ndërkohë Sherri kishte vetëm një vit që ishte kthyer nga Italia ku qëndroi disa kohë në burgjet e këtij shteti pasi u akuzua për "vjedhje".
Operacionet
Policia e Tiranës ka mundur të dokumentojë disa vjedhje të kryera në kohë dhe vende të ndryshme në kryeqytet. Sipas policisë është dokumentuar vjedhja e Arkës së KESH-it në Kamëz e ndodhur në 19 janar të këtij viti dhe dyshohet se autorët janë tetë persona të cilët aktualisht ndodhen në burg për kryerjen e disa veprave të tjera penale. Policia ka dokumentar vjedhjen me dhunë të 170 mijë lekëve në dyqanin ushqimor në pronësi të një qytetareje në rrugën "Aleksandër Moisiu" dhe dyshohet se autorët janë Françesko Ndreca dhe Syri Mehmeti. Gjithashtu policia ka dokumentuar tërësisht edhe autorësinë e vjedhjes së gjashtë automjeteve të ndodhura në qytetin e Durrësit. Autorët e këtyre vjedhjeve dyshohet se janë pesë persona të cilët aktualisht janë të arrestuar pasi dyshoheshin se ishin autorë të vjedhjes së disa automjeteve në kryeqytet.

600 mijë lekë të reja, ka grabitur në një banesë në Vaqarr, Shkëlzen Sherri, i arrestuar gjatë natës së të enjtes duke u gdhirë dita djeshme nga policia e kryeqytetit me akuzën e grabitjes me armë në bashkëpunim

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›