Dollari rritet pas takimit të G-7
14 prill – Dollari është rritur në nivelin më të lartë të një jave kundrejt euros pasi në takimin e Grupit të 7 vendeve më të Industrializuara u ngrit shqetësimi për ngadalësim të rritjes ekonomike globale.
G-7 ka ndryshuar deklaratat e saj për ecurinë e monedhave për herë të parë në 4 vitet e fundit.
Dollari është rritur deri në 1.5774 ndaj euros nga 1.5808 që ishte në datën 11 prill. Por ka disa ekonomistë që parashikojnë se dollari do të bjerë deri në nivelin 1.59 ndaj euros këtë javë.
Dollari ka rënë me 12% në vitin e kaluar pasi FED (Banka Qendrore Amerikane) uli normën bazë të interesit për ti dhënë shtytje ekonomisë pas kolapsit që pësoi me tregun e banesave. Kompani ndërkombëtare si Fiat SpA dhe Aeronautika evropiane janë shprehur se kanë pësuar rënie të eksporteve të tyre nga vendet e eurozonës.
Euro kishte rifituar disa pikë ndaj dollarit pasi njëri prej anëtarëve të këshillit të Bankës Qendrore Europiane (ECB) tha se norma bazë e interesit të euros do të qëndrojë 4% këtë vit, dhe inflacioni mundet të kalojë limitin prej 2% në vitin 2009.
“ECB është më shumë e shqetësuar për inflacionin sesa për ekonominë” – tha Niels Christensen, shef këmbimi në Nordea Bank në Copenhagen, banka e dytë më e madhe në Skandinavi sa i përket vlerës së tregut. “Kjo e mbështet euron dhe nuk ka asnjë arsye për ulje të normës bazë të interesit”.
“Që nga takimi ynë i fundit, ka pasur shumë ndryshime, dhe ne jemi të shqetësuar për stabilitetin ekonomik dhe financiar” – thuhet në deklaratën e G-7-ës. “Ne vazhdojmë të monitorojmë tregun e këmbimit shumë afër, dhe do të marrim vendime siç ta shikojmë të arsyeshme”.
“SHBA kërkon një dollar të dobët me qëllim rritjen e eksporteve” – tha Makoto Utsumi, ish shef këmbimi në Ministrinë e Financave në Tokyo.