E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dom Filipaj i falej Zotit, dhe fjalës



Në 10-të vjetorin e vdekjes së dom Simon Filipaj (1925-1999), mjeshtrit të përkthimit të Biblës, dhe njeriut që shpëtoi arkivin etnografik nga zhdukja – Qendra e Studimeve Albanoligjike, dhe Instituti Filozofik dhe Teologjik i Shkodrës, kujtojnë në një konferencë shkencore “Filipaj dhe Bibla shqip”. Në këtë konferencë, që mbahet të mërkurën e javës tjetër në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, do të referojnë: Ardian Marashi “Bibla, matricë e leximit dhe e interpretimit të botës”; Dr. Dom Nikë Ukgjini: Dekada e dëshmisë së Filipajt; Prof.Kolec Topalli me “Përkthime të Biblës në ballafaqim; nga Buzuku te Filipaj”; Prof. Xhevat Lloshi: Një përvojë e re: përkthimi besnik i domethënies”; Zefjan Nikolli “Probleme dhe vështirësi në përkthimin e Biblës”; Prof. Shaban Sinani “Kënga e këngëve”; Prof. Alfred Çapaliku “Folkloristi Filipaj dhe tri këngë dashurie”; Prof. Gjovalin Shkurtaj “Elementë të etnografisë së të folurit në Librat e Shenjtë”; Dr. Dom Lush Gjergji “Filipaj, Shën Jeronimi i ditëve tona” si dhe Evalda Paci me “Pasioni i Krishtit: nga Meshari tek Bibla e Dom Simon Filipajt”. Pas konferencës do të shfaqet dokumentari “Heronjtë e librit” me skenar të Stefan Çapalikut, dhe regji të Tonin Ujka,, e shoqëruar si veprimtari dhe me ekspozitën me dorëshkrime, dokumente, objekte personale dhe fotografi të Dom Simon Filipajt. Historia e kontakteve të para të pasardhësve të shqiptarëve më Biblën në një farë mënyre u nis më Shën Jeronimin nga Stridoni i Ilirisë, shekullit të V me përkthimin i tij të plotë të Biblës në gjuhën latine, ose siç quhet ndryshe Vulgata. Në shekujt e mëpasëm në vitin 1468, kemi formulën e pagëzimit, si fragmenti i parë biblik, shkruar në gjuhën shqipe, kurse më 1555-ën, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim i teksteve biblike, duke bërë për ne shqiptarët atë çfarë kishte bërë Martin Luther (1483-1546) për gjermanët. Nisja e Buzukut u pasua në shekujt e mëpastëm nga përkthime të tjera të shkrimeve të shenjta në shqip si L. Matrenga, P. Budi, F. Bardhi, P. Bogdani, Jul Valiboba, Teodor Haxhi Filipi, Vangjel Mekse, Kostandin Kristoforidhi, Fan Noli, Ndre Mjeda etj. Kështu përpjekjet e para për të përkthyer këtë libër të shenjtë në gjuhën e ndaluar shqipe shënojnë edhe fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe, zanafillën e kulturës sonë të shkruar e fillimet e letërsisë shqiptare, më anën të së cilës lexuesi shqiptar afrohej më rrjedhat e kulturës evropiane botërore.

Pas nismëtarëve të shquar të shkrimeve biblike shqipe dhe përpjekjeve të tyre në përkthimin e Bibles shqip, që nuk kishin dhënë rezultatin e duhur, u deshën të kalojnë katër shekuj e gjysmë për t’u bërë e mundur përkthimi i plotë i kësaj vepre në gjuhën standarde, botuar nga shtëpia botuese “Drita”, Ferizaj, vitin 1994, një dedikim fetar që na la mjeshtri i fjalës shqipe, kleriku i shquar i kishës katolike, dom Simon Filipajt i cili vepronte sipas motos së mbrojtësit të Evropës, Shën Benediktit: “Ora et labora” (Lutu dhe puno). Simon Filipaj u lind më 1 maj të vitit 1925, në fshatin Kllezën e Ulët

(e Poshtme) afër Shasit të lashtë të komunës së Ulqinit, në Malin e Zi. Në vitin 1932, filloi shkollën fillore dyvjeçare, në Selitë, kurse dy të tjerat i përfundoi në Katërkollë afër Ulqinit. Të gjitha vitet shkollore e kreu në gjuhën sllave në mungesë të shkollës në gjuhën amtare. Në Tivar kreu seminarin e ulët për në rrugën e meshtarisë, 1939-’41, për t’i vazhduar më pas mësimet në seminarin e Jezuitëve në Shkodër gjatë viteve 1941-‘45. Gjatë harkut kohor 1946-1950, kreu studimet filozofike dhe teologjike në Fakultetin Teologjik të Zagrebit. Po në këtë vend u shugurua meshtar më 29 qershor të vitit 1950 si anëtar i Kryedioqezës se Tivarit. Filipaj, fillimet e jetës klerikale i kishte kaluar në Triepsh e Kojë të Kuqit, në vitet 1950-1960 si dhe gjatë viteve 1960-1966, në Grudë, Malësia e Madhe. Nga të dhëna biografike del se pjesën më të madhe të shërbimit ai e ka kryer në Shën Gjegj dhe Kllezne, buzë lumit Buna, duke nisur që nga viti ’66 deri më ’99, kur ndërroi jetë, duke shënuar kështu plot 33 vjet. Ndërsa u varros në mënyrë tejet modeste në vendlindjen e tij, Kllezna e Ulët.

Për kontributin e dhënë në kishën katolike ndër shqiptarë, më 3 nëntor të vitit 1988 Selia e Shenjtë i dha titullin e lartë “Imzot” (monsinjor), ndërsa më ‘92 u shpall “Prelat Nderi” i Papës Gjon Pali II. Duke marrë parasysh kontributin e madh të dom S. Filipajt, Presidenti i Republikës z. Alfred Moisiu, në qershor të 2004, si mirënjohje për punën e bërë, e dekoroi më urdhërin “Naim Frashëri” i Artë, pas vdekjes.

Dom Simon Filipaj i kushtoi një punë të madhe vjeljes së materialeve folklorike. Kështu, si i pari folklorist pas Luftës së Dytë Botërore i trevave shqiptare në Mal të Zi, arriti të shpëtojë nga zhdukja dhe harresa një pasuri të madhe të këtij visari gojor si: pjesë nga epika legjendare, balada, këngë dhe poezi popullore të zhvilluara në lirikë, këngë dashurie, vajtime dhe gjëmë, anekdota etj., duke i botuar ato që nga numri i parë i vjetarit "Gjurmime albanologjike-Folklor dhe etnologji", Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1971 si edhe nëpër vëllimet e posaçme folklorike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›