Dom Simon Jubani kthehet në shtëpinë e Atit
“Ndërroi jetë duke u kthyer në shtëpinë e të Atit, meshtari Dom Simon Jubani”. Me këto fjalë të shkruara në njoftimin për vdekjen e priftit i cili kremtoi meshën e parë publike në Shqipërinë pos-komuniste, pikërisht 20 vite më parë, më 4 nëntor, e më pas më 11 nëntor të vitit 1991 te Varrezat e Rrmajit në Shkodër. Për këto ditë, në librin e tij “Mesha e parë”, Dom Simoni do shkruante: “Bana gadi shpejt çka kishte shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë time gjatë 26 vjetëve: Mesharin latinisht, nji stolë, nji kelk, nji purifikues, nji corporal dhe nji kryq. Kur mbërrita ndër vorre, Marku që kishte shtëpinë aty afër solli nji tavolinë të zakonshme e nji shtroje mbi të cilën vendosa çka nevojitej për Meshë të improvizueme… Fjalën e mora para Meshe t’ue falenderue Markun dhe praninë e nja 300 vetve të ndodhun ndër varreza për nji Meshë të pasigurtë, ma tepër për lutje e devocjon personal tue pasture barnat e tue perkdhelë banesen prej dheut nga ku do të ngjallemi një ditë me të dashtunit dhe të parët ton녔 Arkipeshkvi Metropolitan i Dioqezit Shkodër-Pult, Imzot Angjelo Massafra, shprehet se Dom Simon Jubani dhe vepra e tij si klerik i kushtuar ndaj Zotit, janë shembull për brezat: “Kam humbur një meshtar që ka qenë shembull i devocionit dhe i përkushtimit ndaj Krishtit dhe besimit tek ai. Gjatë vuajtjeve në burgjet e komunizmit tregoi qëndrueshmërinë e tij dhe asnjëherë nuk u përkul. Ai gjithmonë ka punuar nëpër zona të thella malore që ka qenë vështirë të arrish. Edhe sot, kur e kishte të pamundur të shërbente nëpër male, ai në rrëfyestoren e katedrales ishte i pranishëm, tashmë ai vend do mbetet bosh, por shpresoj që do zëvendësohet me priftërinj të rinj” - shprehet Akipeshkvi Massafra. Dom Simon Jubani u lind më 8 mars të vitit 1927 në Shkodër, prej një familjeje të devotshme katolike, e cila i fali Kishës e Atdheut dy meshtarë: martirin e intelektualin Dom Lazër Jubani, i cili u helmua me arsenik nga policia sekrete komuniste në vitin 1982; dhe të guximshmin Dom Simon Jubani. Më 4 maj të vitit 1958 shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbejë në Abacinë e Mirditës. Arrestohet në vitit 1963 dhe vuan plot 26 vite të burgut. Lirohet më 13 prill të 1989 së bashku me klerikë të tjerë. Për kontributin e çmueshëm mbarëkombëtar, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi diplomën “Doctor Honoris Causa” në shkenca humane, me motivacion: “Protagonist i një epoke të re në Shqipëri”. Pas rënies së komunizmit shërbeu për disa vite përsëri në Malet e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim të madh dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë e rrëfyestores së Katedrales së Shkodrës. Pas një hemorragjie cerebrale, Dom Simon Jubani mbylli sytë në orët e para të mëngjesit në Spitalin Rajonal të Shkodrës, nën kujdesin e mjekëve, gjithnji duke besuar se vetëm te Zoti ka me pasë drejtësi dhe shpërblim. Varrimi i tij do të bëhet ditën enjte në ora 10 në Varrezat e Rrmajit.