E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhi i Zvërnecit në Vlorë ndotet nga solari i hedhur nga anijet

VLORË- Ndotja e detit nga sasi të konsiderueshme solari ka përcjellë pamje të trishta në plazhin e Zvërnecit, por edhe kërcënimin për nxjerrjen jashtë funksionit në një kohë të pacaktuar të këtij plazhi. Ka qenë ora 9 e paradites së djeshme kur pushuesit e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit janë shokuar nga kjo sasi e madhe solari e cila ka pushtuar pothuajse të gjithë vijën bregdetare të plazhit të Zvërnecit dhe Nartës. Një vijë bregdetare prej më shumë se 1 km është ndotur duke shkaktuar një katastrofë mjedisore. Pushuesit kanë shprehur shqetësimin duke qëndruar në bregdet, por pa u futur në ujërat e detit, pasi ky i fundit në një gjerësi prej 5 km është i ndotur. “Ne do të largohemi, pasi kemi ardhur nga jashtë Vlorës - thanë pushues. Si duket ky det tashmë është i ndotur dhe nuk mund të pushojmë”. Po ashtu kreu i kapitanerisë së portit të Vlorës, Anastas Goga, është shprehur se jemi përballë një ndotjeje vajore, duke mos përjashtuar për këtë edhe amortizimin e sistemit të tubacioneve, të cilat çojnë naftën nga depozitat e Armos për në det. “Ne po marrim masat që të pastrohet sa më shpejt dhe të fillojë sërish plazhi për pushuesit”, thanë përfaqësuesit e kapitanerisë. Ndërkohë, nga struktura të tjera mjedisore kanë nisur gjithashtu verifikimet për nxjerrjen e përgjegjësive. Gjithsesi, ndërsa kanë identifikuar ndotjen, ende strukturat e kapitanerisë së portit nuk kanë një version zyrtar, për shkaktarët ndotës.

Anastas Goga, kapiten i kapitanerisë së portit Vlorë, pohon se “jemi përballë një ndotjeje vajore. Me sa duket, lënda është solar, sepse po kryhet një operacion ngarkimi nga kompania Armo për një anije që ndodhet në sistem ngarkimi. Për momentin, nuk dimë saktë nga ka dalë, nga sistemi apo pikat e lidhjes në anije. Jemi duke ndjekur situatën e duke hetuar shkakun nga ka ardhur. Sipërfaqja bëhet fjalë për një vijë bregdetare 400- 500 metër. Jemi para një situate emergjente, për të cilën po punojmë”. Sipas tij, “pastrimi do të jetë në mënyrë mekanike. Patjetër që do të ketë masa. Anija ka një certifikatë mbulimi. Shteti do nisë të veprojë dhe do të përgjigjen të gjithë që kanë përgjegjësi. Ne nuk përjashtojmë që mund të jetë edhe aksidentale dhe ka organizma që mbulojmë këtë. Për sasinë, me përafërsi mund të jetë më pak nga një ton. Nuk rrezikon gjirin e Vlorës, rrezikon plazhin”. E.Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›