E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURO 2008, Ora 18:00. Sot nisin "ethet e futbollit"

Zvicra dhe Çekia do të hapin sot EURO 2008 me ndeshjen e parë të këtij aktiviteti. Për vendasit, kjo sfidë do të jetë e rëndësishme jo vetëm sepse do të luajnë para publikut të tyre, por edhe për faktin se kërkojnë fitoren e parë në historinë e fazave finale të turneut kontinental. Në fakt, turneu nuk kishte si të fillonte më mirë, pasi ka vënë përballë skuadrën e re në moshë të ndërtuar nga Kobi Kuhn me eksperiencën e futbollistëve të Karel Brukner, të cilët katër vite më parë ishin pretendentë për të fituar Evropianin.

Zvicra shihet nga të gjithë si një prej ekipeve pretendente për të kaluar në turin e dytë të aktivitetit, ndonëse ka lojtarë të rinj në moshë dhe në grupin A ka skuadra shumë të forta. "Lojtarët tanë janë rritur dhe zhvilluar që nga pjesëmarrja në Botërorin 2006", u shpreh kapiteni i helvetëve, Aleksandër Frei. "Unë besoj te cilësia e skuadrës dhe e di që të gjithë janë të uritur për sukses. Ne duam të shkruajmë historinë dhe kemi mundësinë që ta bëjmë një gjë të tillë në vendin tonë", vijoi ai.

Nga ana tjetër, është kombëtarja çeke, e cila në turnetë e fundit evropianë ka dhuruar paraqitje të shkëlqyera, duke qenë finaliste në vitin 1996 dhe gjysmëfinaliste në vitin 2004, ku ishte një nga skuadrat favorite. Por, largimi nga skena ndërkombëtare i Pavel Nedved dhe Karel Poborskit, së bashku me dëmtimin e kapitenit Tomas Roziçki, ka bërë që mbi këtë ekip të bien hijet e dyshimit. "Nuk e kuptoj pse njerëzit shprehen se ne nuk jemi më aq të mirë sa katër vite më parë", ishte komenti i mesfushorit Devid Jarolim. "Ne jemi kualifikuar në tre turnetë e fundit radhazi. Kjo mjafton për të treguar forcën tonë dhe do ta provojmë këtë edhe në EURO 2008".

Fansat e futbollit shpresojnë që të shohin shumë gola në grupin A, i cili vë përballë disa nga sulmuesit më të suksesshëm të këtij turneu. Frei ka shënuar 35 gola në 59 ndeshje për Zvicrën, ndërsa sulmuesi i Çekisë, Jan Koler, mban rekordin e 54 golave në 87 ndeshje me kombëtaren. Mbrojtësit zviceranë do të kenë probleme për të ndalur gjigantin e sulmit kundërshtar, i cili është 2.02 metra i gjatë, sidomos për faktin se qendërmbrojtësi Patrik Myler nuk është në gjendjen e tij më të mirë, pas një dëmtimi që e ka mbajtur larg fushave për një kohë të gjatë. "Ne nuk do t‘i vëmë një mbrojtës pas Kolerit. Skuadra jonë ka arritur të mbulojë Zinedin Zidan dhe shumë lojtarë të tjerë të mëdhenj në të kaluarën, pa pasur nevojë që t‘i vinim pas mbrojtës të veçantë", deklaroi zv/trajneri i Zvicrës, Mishel Pont. "Ne nuk do të fillojmë ta bëjmë një gjë të tillë ndaj Çekisë, edhe për faktin se ata kanë shumë alternativa të tjera për të rrezikuar portën tonë, përveç shtatlartësisë së Koler". Ndërsa trajneri çek, Karel Brykner, ka preferuar të mos bëjë të ditur se cilët do të jenë futbollistët që do të luajnë në repartin e avancuar në këtë sfidë, i cili mund të përcaktojë ecurinë e mëtejshme në aktivitet. Por, ai është në vështirësi të dukshme, pasi media çeke i ka kërkuar që të lërë të vetëm Koler në repartin e avancuar, duke ulur në stol sulmuesin tjetër, Milan Barosh. Ky i fundit ishte golashënuesi më i mirë i EURO 2004, por nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në ndeshjet e kombëtares që prej marsit të vitit 2007.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›