UEFA: Evropiani do të sjellë përfitime rekord
Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, David Tejlor, bëri të ditur se Kampionati Evropian do të sjellë përfitime rekord, që kapin shifrën e afro 1.3 miliardë eurove. Gjatë një konference për shtyp, ai tha se të ardhurat nga kontratat me televizionet dhe sponsorët janë rreth 50 për qind më të larta se ato të regjistruara në Euro 2004 në Portugali. Tejlor shpjegoi: "Të ardhurat nga të drejtat televizive dhe sponsorët janë shumë më të larta se ato që do të vijnë nga shitja e biletave. Nga i gjithë ky aktivitet ne përfitojmë afro 1.3 milionë euro, e me të drejtë janë të shumtë ata që pyesin ku shkojnë këto para: së pari, një pjesë e tyre u ndahen skuadrave pjesëmarrëse në formën e shpërblimeve. Të gjitha ato marrin një bonus fillestar prej 7.5 milionë eurosh. Për çdo fitore ato marrin nga 1 milion euro, ndërsa për barazimet 500 mijë euro. Më tej, përfaqësueset marrin shpërblime në para për kalimin e fazës së grupeve, ndërkohë që skuadra kampione do të përfitojë në total 23 milionë euro". Tejlor shtoi se kostoja e organizimit të evenimentit ishte afro 600 milionë euro, ndërkohë që 450 milionë euro do t‘u shpërndahen 53 anëtareve të UEFA-s, në mënyrë që të zhvillojnë futbollin në vendet e tyre. Kampionati Evropian është zgjeruar nga një kompeticion, që ka filluar me katër skuadra (ndërmjet viteve 1960 dhe 1976), në evenimentin e tretë më të madh sportiv në botë, pas Kupës së Botës dhe Lojërave Olimpike. Sipas një studimi të kryer nga firma e biznesit sportiv, "StageUp", doli përfundimi se përfitimet nga turneu janë 6-fishuar që prej vitit 1992, hera e fundit kur faza finale e Evropianit u zhvillua vetëm me tetë skuadra. Formati aktual me 16 ekipe në aktivitetin më të rëndësishëm në kontinent u krijua në Euro 1996, të organizuar në Angli. UEFA po mendon që ta zgjerojë numrin e përfaqësueseve pjesëmarrëse dhe për Euro 2016 shpreson që në fazën finale të marrin pjesë 24 skuadra. Edhe ekonomia evropiane në përgjithësi pritet të regjistrojë përfitime prej afro 1.4 miliardë eurosh prej evenimentit që starton sot. Ndërkohë, Austria dhe Zvicra mendohet të përfitojnë 470 milionë euro nga organizimi i turneut.