Skolari: Ronaldo, gati për të shkëlqyer
Trajneri i Portugalisë, Luis Felipe Skolari, nuk do të ketë në dispozicion disa nga yjet që çuan këtë kombëtare në finalen e Evropianit katër vite më parë, por beson se Kristiano Ronaldo mund të zërë vendin e tyre. Ai ka bërë të qartë se u beson plotësisht aftësive të futbollistit të Mançester Junajtid, i cili është i aftë të marrë përsipër edhe rolin e liderit. "Ai është një lojtar i ri, që deri më tani ka zhvilluar një udhëtim spektakolar në karrierën e tij. Sot, është kthyer në një prej pikave të referimit për kombëtaren tonë", deklaroi ai. Trajneri brazilian mendon se ashtu si Figo, edhe Ronaldo ka zhvilluar menjëherë aftësitë për të drejtuar grupin. "Një ditë ai mund të bëhet kapiteni i vetëm i kombëtares së Portugalisë. Por tani është pjesë e grupit prej 5 kapitenësh, përkrah disa prej veteranëve të skuadrës. Por ai i ka aftësitë ta luajë i vetëm një rol të tillë. Një kapiten i skuadrës ka cilësi të tilla, ashtu si Figo, të cilit nuk i nevojitej shiriti në krah për të udhëhequr ekipin", vijoi Skolari. Trajneri mendon se mesfushori do të arrijë të ndihmojë shokët e tij më të rinj, që të përshtaten shumë shpejt në kombëtare, duke i dhënë mundësinë krijimit të një tjetër "brezi të artë", ashtu siç u quajt skuadra e disa viteve më parë, ku aktivizoheshin Figo, Rui Kosta, Pauleta apo Nunjo Gomezh. "Ne kemi lojtarë shumë të mirë, me cilësi të jashtëzakonshme, të cilët kanë një të ardhme të ndritur përpara. Nuk e di me siguri nëse do ta bëjmë një gjë të tillë, por ju garantoj se kemi në dispozicion lojtarë që mund të krijojnë përsëri "brezin e artë". Kemi më pak eksperiencë se katër vite me parë. Por nëse besojmë në vetvete, atëherë jam i bindur se mund të arrijmë përsëri në finale gjatë këtij turneu", u shpreh Skolari, i cili mund të largohet nga drejtimi i Portugalisë pas përfundimit të Kampionatit Evropian.