E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domethënia e frikshme e rastit Fazlliç në ekonomi

Nga Fitim Zekthi

Rasti i pasurimit të një biznesmeni nga Bosnja, Damir Fazlliç, brenda një kohe të shkurtër, është një prej atyre rasteve që dëshmojnë kthjellët llojin e ekonomisë që po ndërton Shqipëria. Nuk ka rëndësi ligjshmëria me të cilën ai ka vepruar, as shfrytëzimi i lidhjeve të caktuara, të dyshimta apo jo, për të shpjeguar diçka shumë më të gjerë dhe shumë më të frikshme për ekonominë shqiptare. Gjykatat do të dinë të japin përgjigje për kësi gjërash. Ajo që gjykatat nuk mund ta bëjnë, është domethënia e këtij shembulli në kuptimin ekonomik. Damir Fazlliç është pasuruar, jo në bazë të punës, por në bazë të vlerës së aseteve. Pasurimi duke shfrytëzuar rritjen e vlerës së aseteve është një gjë e njohur gjithkund në ekonomitë e tregut të të gjitha vendeve. Ajo që ndryshon është fakti se në të gjithë botën rritja ekonomike vjen për shkak të punës, domethënë për shkak të rritjes së numrit të njerëzve që punojnë, të rritjes së orëve të punës dhe të eficiencës së punës. Nuk është biznesmeni nga Bosnja një përjashtim, por ai është një dukuri në Shqipëri dhe tregon se si në fakt rritet ekonomia shqiptare dhe cili përfiton nga kjo rritje. Shqipëria rritet ekonomikisht me 6% në vit prej disa vitesh. Numri i punonjësve në Shqipëri është po i njëjti prej po kaq vitesh. INSTAT para pak ditësh tha se Shqipëria ka 0,1% vende të reja pune krahasuar me vitin 2005. Pagat mesatare në sektorin privat që prej asaj kohe janë të njëjta dhe janë rreth 45% më të ulëta sesa në sektorin publik (inflacioni i ka bërë më të ulëta në vlerë reale). Kevin Filips (një ish-këshilltar i presidentit Nikson), një prej studiuesve më të rëndësishëm të ndarjes së pasurisë në një ekonomi, thotë se, kur rritja ekonomike nuk shoqërohet me rritje të numrit të punonjësve dhe nuk shoqërohet me rritje të pagave në sektorin privat, atëherë ajo shkon e tëra për një grup të vogël njerëzish. Rritja ekonomike thjesht thellon hendekun social.

Një ekonomi duhet të rritet nga puna dhe jo nga asetet. Dhe kjo është dëshmia e frikshme e rastit Fazlliç. Pati njerëz, madje dhe ekonomistë dhe zyrtarë të lartë që thanë se pasurimi i Fazlliçit është një gjë normale dhe se ata do të donin ta bënin një gjë të tillë, por thjesht nuk kishin mundur. Kjo është e turpshme për dikë që ka sedër profesionale dhe mbron një pikëpamje të qartë për ekonominë dhe kapitalizmin. Kapitalizmi është gjetur si një mënyrë që ndrydh maninë për përvetësim. Kapitalizmi është antitrupi i manisë për përvetësim. INSTAT thoshte përpos të tjerash pak ditë më parë se 90% e shqiptarëve konsumojnë 65% të totalit të konsumit ndërsa 10% - pjesa që mbetej - konsumonte 35% të konsumit të përgjithshëm në vend. Këto shifra janë dëshpëruese dhe do të bënin çdo ekonomist në botë të denonconte plutokracinë. Për opozitën nuk do të kishte tjetër betejë veç kësaj, por edhe për shumëkënd të kthjellët në qeverisje. Një rritje ekonomike që nuk rrit numrin e punonjësve, i bën pagat në sektorin privat të rrinë në vend ose të ulen, pasuron biznesin vetëm për shkak të vlerës së rritur paprerë të aseteve është qartë një plutokraci. Ky përfundim nuk ka dyshime që është joshterues, por megjithatë i mbështetur, sidomos kur sheh mënyrën se si sillet kjo plutokraci. Ellen Frank, një tjetër studiuese e njohur dhe analiste për çështje të ekonomisë, thotë se e keqja e plutokracisë është se ajo mban nën kontroll politikën. Plutokracia jep pará për fushatat e partive, bën mashtrime ekonomike, ngre monopole dhe paguan ryshfet. Këto janë ato që quhen ndërhyrjet “pozitive”. Plutokracia bën edhe ndërhyrje “negative”, si refuzon qartë të paguajë taksat, kërcënon dhe me anë të blerjes së mediave apo zotërimit dhe përdorimit të tyre i jep një tjetër trajtë debatit publik dhe perceptimit të tij nga njerëzit. Shqiptarët, jo vetëm që nuk përfitojnë nga ana ekonomike, siç thonë të dhënat e INSTAT, por përherë e më shumë gjenden nën peshën e kësaj klase që pasurohet dhe që përfiton të gjithë rritjen ekonomike. Qeveria ka disa mënyra për ta ndryshuar këtë gjendje nga pikëpamja ekonomike. Ajo mund të bëjë që pasuria të mos jetë i vetmi mjet për të patur akses te shërbimet bazë. Që ta bëjë këtë, ajo duhet të ndryshojë disa elementë të legjislacionit fiskal dhe të mënyrës se si i shpenzon paratë. Është dëshpërimisht e nevojshme që të rritet puna dhe pasuria që krijohet nga ajo, përndryshe kemi një ekonomi piramidale, asgjë më shumë. Është fatkeqësi që ekonomistët që rrinë nëpër zyra OJF-sh dhe katedra universitetesh me gjithfarësoj emrash evropianë e amerikanë nuk bëjnë një gjë kaq të thjeshtë dhe kaq amerikane: të flasin për punësimin dhe për pasurinë që krijohet nga puna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›