Shteti që po gatuan krimet kundër mjekëve
Ajo që pritej, ndodhi. Një prej skizofrenëve të shumtë që popullojnë rrugët e kryeqytetit, guxoi sërish të përgjakë një mjek në krye të detyrës.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pas asaj fushate të gjatë denigruese që kishte marrë vetë shteti ndaj figurës së mjekëve, veçse të trimëronte e ndërsente dhe njerëzit e dhunshëm të rrugës kundër tyre.
Pasi i poshtëruan e i përbalten si të korruptuar e të pashpirt për muaj me radhë, pasi i përgjuan e i spiunuan me orientim nga lart, pasi i prangosën e burgosën, sikur të qenë llumi i shoqërisë dhe jo pjesa më fisnike e saj, vetëm kjo kish mbetur pa iu bërë, t’i vrasin, t’i therin.
Nuk ka rëndësi emri i njeriut që nguli thikën mbi trupin e mjekut, pasi është produkt i vetë frymës së urrejtjes që është ushqyer ndaj mjekëve këto muajt e fundit, ndaj parë në këtë prizëm ai mund të konsiderohet deri diku më i pafajshmi në këtë histori makabër.
Fajtorët e vërtetë diku gjetkë duhen kërkuar, atje ku është mbrujtur kjo fushatë e paprecedent, e pamoralshme që kërkon të mbulojë korrupsionin e vet me viktima që dergjen nën tokë, duke bërë tabele qitjeje mjekët për të hequr vëmendjen nga vetja e për t’iu hedhur hi syve njerëzve se ja, gjoja, ne bëjmë përpjekje për të luftuar korrupsionin, madje kemi burgosur edhe mjekë.
Por tani tabloja është më e kompletuar gjithsesi. Mund të mburren me plot gojën, se jo vetëm i kanë akuzuar e arrestuar mjekët, por edhe i kanë vrarë e plagosur herëpashere.
Ngjarja ka rrjedhur pak a shumë në këtë formë. Agresori ka kërkuar fletë kempi dhe mjeku e ka refuzuar një gjë të tillë. Në këtë prizëm ai është edhe më i nderuar, sepse nuk është thyer ndaj presionit që më në fund i rrezikoi jetën dhe ka kursyer shtetin, i cili do ta paguante disa muaj apo vite pa punuar.
Por mund të kishte ndodhur edhe ndryshe. Mjeku mund t’i kish premtuar se të nesërmen në pavijon do t’i plotësonte një fletë kempi dhe ai do të paguhej pa punuar. Kështu edhe ai do të kish përfituar ndonjë bakshish për një raport të pamerituar, edhe pacienti do të kish dalë jo i humbur nga një falsifikim i tillë dhe ndonëse shteti do të paguante, kjo ngjarje s’do ish marrë vesh kurrë e ca më tepër, s’do qe derdhur gjak i pafajshëm. E pra, i pari që duhet të shkonte në spital duhej të ishte shefi i qeverisë, t’i kërkonte ndjesë këtij njeriu të shtrirë në shtratin e operacionit edhe për shkak të tij, ca me tepër që është dhe mjek nga profesioni.
Unë nuk e di si ndihet mjeku Sali Berisha në këtë pasdite, kur një koleg i tij i dikurshëm lufton me vdekjen, sepse unë për vete ndjehem ngushtë, ndjehem disi me faj, edhe pse kam qenë kilometra larg. Ndjehem me faj, sepse s’e kam thënë fjalën time, atëherë kur duhej, sepse nuk e kam ngritur zërin, kur kam parë se si kolegë të mi janë përcjellë me pranga në duar si kriminelë ordinere nëpër ato korridore ku kanë gdhirë net të tëra në stres dhe kështu duhet të ndjehet çdo punonjës i shëndetësisë në këto çaste.
Sa për Sali Berishën kryeministër, s’kam as më të voglin dyshim se nuk ndjen dhimbje jo se jo, po asnjë grime pendesë për atë çfarë ka ndodhur. Ai që vigjilon si fajkua mbi një tufë lonxho bonxhosh që ia ka sjellë e bija me vete prej kurbeti, e që më së shumti janë një tufë çakejsh tepër hajdutë, se mos iu hyn gjemb në këmbë, as do t’ia dijë për çka ndodh tej interesave të tij elektorale private.
Po në fund të fundit mjekët po marrin atë dënim që ia kanë përgatitur edhe vetë vetes së tyre ditë pas dite me nënshtrimin, servilizmin, mungesën e guximit.
Ku ishin ata, kur ndodhi krimi i parë? ǒbënë? ǒthanë? ǒprotestë organizuan për të sensibilizuar shtetin dhe shoqërinë? Po kur kjo gjë ndodhi sërish e sërish, ku qenë? Të fshehur si struci kurrë s’u organizuan, s’bënë një sindikatë, po i lënë këto organizma në dorë të ca pijanecëve të degraduar që i shesin për dy copë qofte, pa menduar se nesër mund të jetë radha e secilit prej tyre vetë për të provuar prangat apo për të ngrënë thikën.
Ajo që doja të thoja në fund të këtij shkrimi është se mjekët në radhë të parë janë vetë fajtorë që s’i marrin në duar fatet e tyre, po janë shndërruar në ca qenie të përulura që i shkel me këmbë çdo pushtetar i padinjitet, nga Nard Ndoka e deri te ky burri që bën kryeministrin përkohësisht. Intelektualë dhe të shkolluar si shtresë më e iluminuar e lëçitur e kësaj shoqërie primitive që mjekojnë, ata s’kanë pse presin më lëmoshat, por të mbyllin dyert e pavijoneve duke pritur vetëm urgjencat dhe të mos hyjnë më, derisa të miratohet një nen që në mënyrë taksative të japë një dënim maksimal për këdo që dhunon mjekun në detyrë dhe që s’i lë shteg për dallavere avokatit.
Pak ditë më parë një gazetë dilte me titullin makabër: “Mjekët e kanë hak nga një thikë”. Sot, mund të flejë i qetë edhe opinionisti që e shkroi, edhe redaktori që e nxori në faqe të parë, sepse amaneti i tij ka vajtur në vend. Vete kryeministri dhe një i papërgjegjshëm nga Kashari, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përgatitur njëri terrenin dhe tjetri ekzekutimin, e bënë të mundur merakun e gazetarit mediokër.