E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dominimi katalan

Lionel Messi ka thënë se ekipi aktual i Barcelonës mund të hapë kapituj të rinj në historinë e klubit pas fitores 2-0 ndaj Real Madridit në El Clasico, të shtunën në Santiago Bernabeu.

Barcelona u bë ekipi i parë spanjoll që fitoi La Ligën, Ligën e Kampionëve, Copa del Rey, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Kampionatin botëror të klubeve.

Ata janë në garë edhe këtë edicion pasi kanë kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa pas fitores ndaj Realit janë favoritë për titull në La Liga.

“Titulli nuk është fituar ende, pasi na presin edhe disa ndeshje të vështira, por kemi bërë një hap të rëndësishëm dhe mund të vazhdojmë krijimin e historisë. Me lojë ekipi tregoi se jemi superiorë ndaj çdo kundërshtari. Ishte fitore e rëndësishme, por tani duhet të vazhdojmë përpara”, tha Messi.

Ylli argjentinas i përcolli katër golat e shënuar në ndeshjen kthyese të çerekfinales në Ligën e Kampionëve kundër Arsenalit duke realizuar në minutën e 32-të kundër Realit.

Ky ishte goli i tij i 40 këtë sezon në të gjitha garat para se Pedro Rodriguez në minutën e 55-të ta shtojë të dytin që e dërgoi Barcelonën tri pikë mbi Realin në krye të tabelës.

Kjo ishte fitorja e katërt e njëpasnjëshme në El Clasico për Barcelonën dhe trajnerin Pep Guardiola, ndërsa Messi vazhdoi me golat e tij kundër Realit pasi kishte shënuar dy herë të turpërimit 6-2 në Bernabeu sezonin e kaluar.

Ndeshja e së shtunës ishte vlerësuar si përballje Messi-Cristiano Ronaldo, por argjentinasi mohoi rivalitetin e tij me portugezin.

“Nuk ishte mes Ronaldos dhe meje. Thjesht, Barcelona ishte superiore ndaj Realit. Jemi kthyer në kreun e tabelës dhe tani kemi një epërsi”, përfundoi Messi.

Mirëpo, Real Madrid beson se ka humbur një betejë, por jo luftën. “Barcelona ishte shumë më e mirë se ne, por duhet të ngrehim kokat lart, sepse kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje. Nëse fitojmë ligën, nuk mund të flasim për dështim. Ne duhet të besojmë se ende është e mundshme. Jemi profesionistë dhe nuk duhet të dorëzohemi. Ne mund të fitojmë ligën. Nuk është mirë të humbim, por duhet të marrim mësim nga humbjet. Nganjëherë ju fitoni dhe të tjerët humbin, andaj do të shohim se çka do të ndodhë në fund”, tha Ronaldo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›