E Diel, 1 Nëntor 2026

Dominuan La Liga dhe Bundesliga

Faza e grupeve në Ligën e Kampionëve u mbyll nën dominimin e skuadrave nga La Liga dhe atyre të Bundesligës. Katër përfaqësuesit spanjollë; Barcelona, Real Madrid, Valencia dhe Malaga u kualifikuan tutje. Kurse, tri ekipet gjermane; Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Schalke 04 vazhduan përpara si fitues në grupet përkatëse.

Të mërkurën në mbrëmje u mësuan emrat e të gjitha 16 ekipeve që kalojnë në fazën eliminuese të Ligës së Kampionëve. Mes shumë befasish siç ishte eliminimi i kampiones në fuqi, Chelsea dhe kampionit të Premierligës, Manchester City, çdo gjë tjetër shkoi sipas parashikimeve përjashtuar këtu disa skuadra që në fillimin e garës nuk shiheshin si favorite në kalimin e kësaj faze. La Liga është "kampione" për numrin e skuadrave që do të ketë në 1/8 e garës.

Të katër ekipet që e nisën garën, vazhduan më tej. Befasi e vërtetë mund të konsiderohet Malaga, e cila la pas vetes shtatë herë kampionin e Evropës, Milanin. Ashtu siç pritej, Barcelona fitoi grupin e saj, atë G. Real Madridi ngeli prapa Borussia Dortmundit në Grupin D, kurse ‘katërshen e spanjollëve’ e kompletoi Valencia që doli e dyta në Grupin F, me pikë të barabarta me Bayern Munichun. Përveç skuadrave nga La Liga, faza e grupeve e Ligës së Kampionëve konfirmoi edhe ngjitjen e Bundesligës.

Të tri ekipet pjesëmarrëse nga kampionati gjerman vazhduan tutje dhe atë si fituese në grupet përkatëse. Bayerni fitoi Grupin F, Dortmund atë D dhe Schalke 04 në B. Premierliga nuk është më ajo e sezoneve më parë, kur mbizotëronte fazën çerekfinale dhe gjysmëfinale të garës elite të klubeve të kontinentit të vjetër.

Tashmë anglezët duhet të bëjnë tifo vetëm për dy ekipet: Manchester United dhe Arsenal. Serie A vazhdon më tej me dy emrat e saj më të mëdhenj në arenën ndërkombëtare; Juventus dhe Milan, ndërsa kampionatin francez dhe atë portugez do t’i gëzojë pjesëmarrja në fazën tjetër e PSG dhe Porto. Arritje e madhe ndërkohë për futbollin ukrainas, turk dhe skocez, të cilët do të vazhdojnë prezantimin e tyre në elitën e futbollit evropian me Shakhtar Donetsk, Galatasaray dhe Celtic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›