Fejzullahu ëndërron Botërorin

Kur selektori Erik Hamren e prezantoi të mërkurën skuadrën e tij për turneun e janarit, ishte e qartë se Erton Fejzullahu do ta kishte mundësinë ta bënte debutimin me përfaqësuesen A, pas paraqitjeve të mira me Djurgardenin këtë edicion.
Sulmuesi kosovar ndihet i lumtur që e mori ftesën dhe beson se mund ta japë kontributin e tij për Suedinë në të ardhmen. “Është një ndjenjë e mirë, një gjë e mirëseardhur në karrierën time. Ky ka qenë objektivi im dhe puna që e kam bërë po shpaguhet. Tash shpresoj që ta kem mundësinë të jem i suksesshëm. Është momenti që t’i vendos objektiva të reja”, ka thënë Fejzullahu për ueb faqen suedeze FotbollDirekt.se.
Ish futbollisti i NEC Nijmegen e pranon se e ka pritur një ftesë të tillë, pasi që aty janë ftuar vetëm futbollistët që luajnë në Suedi. “Pasi realizova 13 gola dhe një asistim, mendoj se pata një sezon të mirë dhe e prisja se do më vinte kjo mundësi”, shtoi ai.
Fejzullahu do të mundohet ta impresionojë trajnerin Hamren gjatë turneut të Tajlandës, në mënyrë që ta ftojë në ekipin e tij edhe në të ardhmen. “Kjo është një mundësi mjaft e mirë për ta provuar veten. Mundësi më të mirë nuk mund të kesh. Trajneri do ta ketë mundësinë të na shohë më nga afër dhe t’i marrë lojtarët që e bindin”, vazhdoi ai.
Prishtinasi nuk e fsheh faktin se ëndërr e tij është që ta përfaqësojë Suedinë në një eveniment të rëndësishëm. “Unë do ta bëj më të mirën. Mirëpo, është një ëndërr absolutisht, të cilën e kisha që kur isha fëmijë, për të qenë pjesë e një Kampionati Evropian apo Botëror. Ky është objektiv imi. Nuk po them se dua t’i bëj konkurrencë Ibrahimovicit, por mendoj se kam kualitete për të kontribuuar”, nënvizoi Fejzullahu.