E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama vepron energjikisht në Lindjen e Mesme

Presidenti Barak Obama e vuri aq shpejt në lëvizje diplomacinë e tij, sa habiti edhe politikanët e Lindjes së Mesme, por deklarata e tij e parë mbi konfliktin arabo-izraelit është vazhdim i politikave të deritashme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Liderët arabë, ndërkaq, po bëjnë përpara me idetë e veta për të ndikuar trajtat e politikës amerikane para se administrata e re të kristalizohet.

Qeveritarët, ashtu si edhe ekspertët arabë, prisnin që Obama të matej disa kohë përpara se të drejtonte vëmendjen drejt Lindjes së Mesme, për shkak të problemeve të shumta ekonomike me të cilat përballet aktualisht vendi i tij. Por Presidenti i ri, vetëm dy ditë pas vendosjes në Shtëpinë e Bardhë, caktoi zyrtarisht ish- senatorin Xhorxh Mitçell si të dërguar special për këtë rajon, duke bërë me dije se veterani i negociatave diplomatike do të udhëtojë drejt Lindjes së Mesme sa më shpejt të jetë e mundur. "Mitçell do të përpiqet të garantojë që armëpushimi jozyrtar mes Izraelit dhe lëvizjes islamike Hamas në Rripin e Gazës të bëhet i qëndrueshëm dhe për afate të gjata", nënvizoi Presidenti i ri amerikan.

Një ditë më parë, Obama kontaktoi në rrugë telefonike me aleatët e Uashingtonit në Lindjen e Mesme - Kryeministrin izraelit, Ehud Olmert, Presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, Presidentin palestinez, Mahmud Abas, dhe Mretin Abdullah të Jordanisë. Qeveritë konservatore arabe i lexuan telefonatat si shenjë e konfirmimit të statusit prej të privilegjuarish në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës - një tjetër shenjë që Obama po i përmbahet politikave të deritanishme amerikane.

Megjithatë, aktiviteti i dendur dhe premtimi i bërë nga Obama për më shumë përkushtim ndaj konflikteve arabo-izraelite përbën një sinjal se ka ndërmend të sillet krejt ndryshe ndaj problemeve në Lindjen e Mesme nga paraardhësi i tij Xhorxh Bush, i cili i la pas dore shumë gjatë dhe nuk u përfshi kurrë seriozisht në planin për paqe në Lindjen e Mesme.

Një prej pjesëtarëve kryesorë të familjes mbretërore saudite, princi Turki Al-Faizal, tha se Bushi ka lënë një "trashëgimi të sëmurë në Lindjen e Mesme" dhe se madje edhe ka luajtur rol mbështetës në veprimet arrogante të Izraelit në Gaza, ku gjetën vdekjen qindra të pafajshëm. "Në rast se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të vazhdojnë rolin e aktorit kryesor në Lindjen e Mesme dhe të ruajnë të paprekura aleancat strategjike, duhet të rishikojnë drastikisht politikat me Izraelin dhe Palestinën", shtoi princi.

Xhamal Kashogi, botues i gazetës saudite "Al Vatan", tha se qeveria e Arabisë Saudite e vëren ende me optimizëm Obamën, të cilin e konsideron mik të botës myslimane. "Edha ata pak zyrtarë sauditë që ushqenin simpati për Bushin, u zhgënjyen thellë prej tij gjatë këtyre viteve të fundit", shtoi ai.

Në deklaratën mbi politikat që do të ndjekë me problemet përtej kufijve, Obama bëri me dije se oferta për paqen arabe përmbante ato që ai i quajti elemente konstruktive. Por pas kësaj, u telefonoi krerëve të qeverive arabe, duke u kërkuar të përmbushnin vetëm gjysmën e problemeve - "të ndërmerrnin hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin" - pra pa lënë të kuptohej se do t‘i kërkonte Izraelit të respektonte kërkesat arabe për tërheqje nga territoret. Gjithashtu, ai bëri të qartë mbështetjen e plotë ndaj Presidentit palestinez Mahmud Abas dhe Kryeministrit të tij properëndimor, por duke anashkaluar tërësisht peshën politike të Hamasit dhe të grupeve të tjera që i kundërvihen Abasit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›