Donacionet, partitë ankohen në KQZ për gjobat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu dje vendimin për gjobitjen e 16 partive politike për shkelje në procedurën e financimeve private gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Bëhet fjalë për 16 parti të vogla, që në pjesën më të madhe janë parti që s’kanë marrë fonde nga buxheti i shtetit, janë gjobitur sepse nuk kanë respektuar Kodin Zgjedhor. Të gjitha këto parti kishin pothuaj të njëjtin problem. Ato nuk kishin hapur një llogari bankare për donacionet private si dhe nuk kishin fatura të rregullta tatimore. Por, përfaqësuesit e këtyre partive u ankuan në KQZ, pasi sipas tyre, nuk ka qenë i nevojashëm numri i llogarisë, pasi nuk kanë marrë donacione mbi 100 mijë lekë, siç e sanksionon Kodi. Në fund të mbledhjes, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, e shtyu vendimin për gjobitjen e këtyre partive, duke kërkuar një rishikim të këtij vendimi si dhe procedurat tatimore të partive. Pjesë e hetimit të KQZ-së kanë qenë fondet jopublike dhe publike. Në të përfshihen edhe partitë politike që nuk kanë përfituar fonde nga vendimi i qeverisë. Në bazë të nenit 90, pika 1, “çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 89 të këtij kodi dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë”. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor.