FA, Mbrojtja blen tek francezët 5 helikopterë
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe zv.presidenti i kompanisë franceze Eurokopter, Thomas Hein, nënshkruan dje marrëveshjen për blerjen e 5 helikopterëve. Në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e veçantë për blerjen e pesë helikopterëve tip AS 532 AL COUGAR, të cilët do të futen në përdorim në strukturën e forcave tona ajrore përgjatë 3-4 viteve të ardhshëm. Imami e vlerësoi nënshkrimin e kësaj kontrate si një moment shumë të rëndësishëm për Forcat e Armatosura Shqiptare dhe veçanërisht për Brigadën Ajrore. “Forcat tona të Armatosura, - nënvizoi ministri Imami, - janë në rrugën e modernizimit dhe po shënojnë arritje të reja në përmbushjen e standardeve dhe të ndërveprimit me NATO-n”. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe zv.presidenti i kompanisë Eurokopter, z. Thomas Hein. Kontrata u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe zv.presidenti i kompanisë franceze Eurokopter, Thomas Hein. Nënshkrimi i kësaj kontrate u finalizua pas një procedure transparente dhe të plotë prokurimi, si dhe u pasua nga negocime midis ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së njohur Eurokopter. Helikopterët e tipit AS 532 AL COUGAR janë një version ushtarak i familjes “Super Puma“. Vlera e kësaj kontrate kap shifrën e 78. 633 288 eurove. Kontrata përfundon në vitin 2013 me mbërritjen e helikopterit të fundit. Ky është një nga projektet më të mëdha të FA Shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes në këto 30 vitet e fundit. Nëpërmjet këtij projekti Shqipëria do të hedhë një hap tjetër të rëndësishëm në plotësimin e standardeve të NATO-s dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.