PD, Noka: Rama, në gjendje të çekuilibruar
Duke keqpërdorur deputetët e tij, kryetari PS-së po shfryn përsëri gjithë vrerin e tij kundër rrugës Durrës - Kukës, gjë që e ka bërë sistematikisht, që kur nisën punimet për ndërtimin e saj. Në këtë mënyrë u kundërpërgjigj dje PD-ja përmes deputetit të qarkut të Kukësit, Flamur Noka, ndaj akuzave të PS-së për rrugën e kombit. Sipas Nokës, armiku më i egër i rrugës së kombit, Edvin Rama, guxoi sërish të sulmonte një prej arritjeve më të suksesshme dhe një prej krenarive më të mëdha të qeverisë “Berisha” dhe të mazhorancës sonë. “Jo vetëm qytetarët e qarkut të Kukësit, për të cilët kjo vepër e jashtëzakonshme ka qenë një rilindje e vërtetë, por çdo shqiptar këtej e andej kufirit, ndihet i lënduar dhe i turpëruar për gjendjen e çekuilibruar të z. Rama. Ne i themi z. Rama se shkarja në një segment të tunelit po riparohet me shpejtësi, por kriza dhe shembja e tij politike, morale dhe psikologjike janë bërë tashmë të pandreqshme. Edvin Kristaq Rama dhe të gjithë pinjollët e tjerë të Bllokut janë të pashpresë në përpjekjet e tyre për të baltosur dhe nxirë sukseset e kësaj mazhorance në këta katër vjet, aq më tepër kur flitet për kryeveprën e mandatit tone të parë qeverisës, rrugën Durrës - Kukës”, - u shpreh z. Flamur Noka. Deputeti i PD-së shtoi më tej: “Ne e kuptojmë shumë mirë krizën psikike të z. Rama dhe të bllokmenëve të tjerë të rinj, të cilët në çdo gjë që thonë dhe bëjnë pas 28 qershorit, përpiqen të fshehin dëshpërimin e humbjes së tyre në zgjedhje, por ajo që mund t’u themi është se janë të pashpresë në këtë rrugë që kanë zgjedhur”.