Imami përgënjeshtron Ramën: Kam paguar çdo taksë
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, hodhi poshtë dje deklaratën e Bashkisë së Tiranës për mospagimin e taksave lokale, duke e cilësuar atë si keqinformues dhe tendencioz. Së pari, Imami bën të ditur: “Taksat lokale janë paguar nga ana ime çdo vit, duke përfshirë edhe vitin 2009, brenda afatit të parashikuar dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga libreza e taksave vendore. Së dyti, - shprehet ministri Imami, - shpërndarja me fletërrufe e një informacioni që për më shumë është i rremë, flet për metodat e denigrimit të personave që përdor Bashkia e Tiranës, në shkelje të plotë të privatësisë së individit. Së treti, Bashkisë së Tiranës ose nuk i funksionon sistemi kompjuterik, ose gënjen qëllimisht për të instrumentalizuar opinionin publik. Zhdukja e të dhënave nga sistemi kompjuterik tregon se çfarë sigurie kanë qytetarët e Tiranës në shërbimet e bashkisë. Së katërti, nëse një qytetar paguan taksat dhe nuk ruan librezën, ai është i detyruar të paguajë sërish, pasi bashkia nuk ruan rekordet dhe sistemi kompjuterik është jashtë funksionit. Ky është një rast për të kuptuar se si grabit qytetarët Bashkia e Tiranës”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.