E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donacionet për partitë, Ristani: Së shpejti, zbardhja e financave



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë në ditët në vijim raportet e ekspertëve kontabël për shpenzimet dhe donacionet private që partitë politike përdorën në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha për gazetën “standard” se në ditët në vijim KQZ-ja do të miratojë raportet. Sipas tij, ende disa raporte nuk kanë mbërritur në KQZ, ndërsa pjesa më e madhe i kanë dorëzuar. Ekspertët kontabël që kanë kontrolluar financat e partive të mëdha, si PD, PS dhe LSI, kanë dorëzuar tashmë në KQZ shpenzimet dhe donacionet që këto parti kanë përdorur në fushatën e fundit zgjedhore. Mësohet se edhe partitë e tjera parlamentare, si PR dhe PBDNJ, kanë tashmë në KQZ raportin për donacionet e tyre të fushatës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vendimin e marrë me datën 14 shtator të këtij viti kishte përcaktuar 2 nëntorin si afatin më të fundit të depozitimit të raportit auditues të ekspertëve kontabël, të cilët u përzgjodhën mbi bazën e një shorti të posaçëm. Nisur nga kjo procedurë, KQZ-ja pritet të miratojë me një vendim të posaçëm raportet audituese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›