E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja shtyn pensionet e ish-ushtarakëve



Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, shoqatës “Organizata e Punonjësve të Policisë në Lirim”, Avokatit të Popullit dhe shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, të cilat kërkojnë shfuqizimin e ligjit, por Gjykata vendosi për shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së tyre. Gjatë seancës, pas verifikimit të palëve, Gjykata Kushtetuese u shpreh për pikën e dytë të kërkesës dhe vendosi rrëzimin e kërkesës për të pezullim të ligjit të sipërcituar me argumentin se kërkuesit nuk kishin mundur të argumentonin para GJK-së se zbatimi i këtij ligji mund të sillte pasoja që preknin interesa shtetërore, shoqërore apo të individëve, të parashikuara në nenin 45, pika 1 të ligjit nr. 8577, dt. 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e GJK në RSH”. Në seancë mungoi përfaqësuesi i KM dhe i Ministrisë së Financave. KM, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga GJK “... mundësinë e shtyrjes së seancës gjyqësore” për të pasur mundësinë të paraqesë pretendimet, pasi për arsye objektive, përfaqësuesi i autorizuar i KM-së nuk mund të paraqitej. Ministria e Financave nuk paraqiti asnjë arsye për mungesën. Përfaqësuesit e kërkuesve i kërkuan GJK-së të vazhdonte shqyrtimin e çështjes sepse “arsyet objektive” nuk ishin argument për të shtyrë shqyrtimin, kurse përfaqësuesit e Kuvendit kanë kërkuar që në seancë të ishin dhe përfaqësuesit e KM-së. Pasi u tërhoq për të marrë një vendim Gjykata Kushtetuese vendosi: shtyrjen e seancës për në datën 12.11.2009, ora 10 duke argumentuar se për të (Gjykatën), paraqitja e pretendimeve nga KM dhe Ministria e Financave vlerësohej e domosdoshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›