E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave, Meta, një orë në zyrën e Ina Ramës



Në emër të qeverisë “Berisha” dhe për hir të liberalizimit të vizave, proceseve integruese të vendit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i shtriu dje dorën e bashkëpunimit Prokurorisë së Përgjithshme. Domosdoshmëria për të përmirësuar aktivitetin institucional në dobi të integrimit shkriu akujt ndërmjet ekzekutivit dhe organit të akuzës, ku vetë ministri Meta nuk ngurroi të takonte në zyrën e saj, për afro një orë, kryeprokuroren Ina Rama. Pas takimit, kryediplomati shqiptar, Ilir Meta, shpjegoi arsyet e vizitës së tij tek znj. Rama, gjë që, sipas tij, e kishin bërë të mundur pikërisht detyrimet e Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas z. Meta, qëllimi i kësaj bisede ishte bashkërendimi i veprimeve mes qeverisë dhe institucioneve të pavarura për procesin e liberalizimit të vizave dhe të gjitha detyrimet që dalin nga progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë.

“Ka qenë thjesht një takim pune me prokuroren e përgjithshme në kandër të koordinimit tonë me të gjitha institucionet e pavarura për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe në përgjithësi për procesin e integrimit evropian. Ka qenë një takim shumë i frytshëm dhe bashkëpunues”, - theksoi z. Meta. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, por edhe me të gjitha institucionet e tjera, do të jetë rezultativ, pasi, sipas tij, shteti është një, pavarësisht nga funksionet e ndryshme. Meta vuri në dukje: “Të gjithë duhet të bashkërendojmë për të zbatuar ligjin me forcë, me qëllim forcimin e shtetit ligjor”. I pyetur nga gazetarët, zoti Meta mohoi që në takim me kreun e akuzës të ketë folur për çështjen e imunitetit për 2 ministrat, ndërsa tha se qeveria është gati të pranojë çdo kërkesë për këtë çështje, duke përfshirë dhe votimin e ligjit me votat e opozitës. Ai ftoi opozitën që të kthehet në Kuvend dhe ta votojë projektligjin e qeverisë, me qëllim që të gjithë zyrtarët e lartë të zhvishen nga imuniteti. “Sa herë prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit për cilindo deputet, do të ketë votën time dhe të gjithë deputetëve në Parlament. Për të zgjidhur një herë e mirë punën e imuniteteve ne ftojmë opozitën të vijnë e të votojnë për kufizimin e imuniteteve”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Kryediplomati Meta është ngarkuar nga Këshilli i Ministrave që të drejtojë procesin e përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›