Donatorët, gati kontrata njëvjeçare me bashkinë
Katërshja e donatorëve të Tiranës është mbledhur dje dhe ka bërë gati kontratën njëvjeçare të bashkëpunimit me bashkinë e kryeqytetit, për të vazhduar në drejtimin e skuadrës bardheblu. Ata kanë vendosur për një kontratë njëvjeçare dhe jo për një marrëveshje katërvjeçare, për arsyen e thjeshtë se shpresojnë që brenda këtij viti të kenë mbyllur sa më parë transformimin e këtij klubi në "shoqëri aksionere". Donatorët kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës si në Ministrinë e Ekonomisë, ashtu edhe në MTKRS-së. Më pas, kjo dosje do t‘i kalojë Ministrisë së Drejtësisë dhe pas miratimit të saj, pritet një vendim i Këshillit të Ministrave, sipas të cilit KF Tirana mund të kthehet në "shoqëri aksionere", pa qenë më nën varësinë e bashkisë së kryeqytetit. Drejtuesit bardheblu shpresojnë që kjo çështje të shqyrtohet sa më shpejt nga pala shtetërore dhe kjo është arsyeja pse kontrata që pritet të firmoset nga zyrtarët e bashkisë është vetëm njëvjeçare. Ndërkohë, kjo kontratë me bashkinë do t‘i garantojë katër donatorët përballë një "konkurrence" të mundshme në Asamblenë e Përgjithshme të klubit bardheblu.
e. kuka
e. kuka