E Shtunë, 31 Tetor 2026

K. Ronaldo: Do të largohem nga Junajtid

Kristiano Ronaldo do të largohet nga Mançester Junajtid. Nëse jo gjatë kësaj vere, do ta bëjë vitin e ardhshëm. Ka qenë vetë ylli portugez ai që e ka pohuar këtë gjë, gjatë një bisede me miqtë më të afërt, të cilët më pas e kanë shpërndarë lajmin nëpër gazeta. Tabloidi "The Sun" përdorte një titull kuptimplotë: "I‘m off" (Do iki), "Daily Mirror" shkruante në faqen e parë: "I want to leave United" (Dua të largohem nga Junajtid), ndërsa "The Guardian" nënvijëzonte se më në fund Ronaldo mund të kurorëzojë ëndrrën e tij, të veshë fanellën e Realit të Madridit. Sipas mediave britanike, mesfushori ka informuar edhe menaxherin Horge Mendez rreth dëshirës që të luajë në "Santiago Bernabeu" dhe tashmë së bashku po studiojnë strategjinë që do të përdorin. Ylli portugez pret me padurim të bëhet pjesë e klubit spanjoll, edhe për shkak të ofertës joshëse nga ana ekonomike: 150 mijë sterlina në javë (afro 190 mijë euro). Megjithatë, Mançesteri dhe Sër Aleks Ferguson nuk dëshirojnë të lejojnë largimin e lojtarit, kontrata e të cilit skadon në vitin 2012. Të gjithë këta zëra transferimi të Ronaldos kanë krijuar tension edhe te drejtuesit më të lartë: familja Glejzër, që është pronare e klubit, ka thënë prerë se më mirë preferojnë ta mbajnë mesfushorin në stol për gjithë sezonin, sesa ta lejojnë të kalojë në Madrid.

Sipas asaj që shkruante "The Guardian", Kristiano Ronaldo i është përgjigjur negativisht kërkesës së Ferguson për të organizuar një konferencë për shtyp, ku të deklaronte se nuk do të largohet kurrë nga "Red Devils". Episodi cilësohet si një tjetër konfirmim, që portugezi ka marrë vendimin e tij për t‘u larguar nga skuadra. Tashmë nuk mbetet asgjë tjetër, përveç gjetjes së një mënyre për të bërë publike dëshirën, e mbi të gjitha që ajo të pranohet nga Junajtid (dhe tifozët e klubit anglez). Në fund, paratë e ofertës marramendëse të Realit të Madridit (që sipas raportimeve varion nga 80 deri në 100 milionë euro), mund të bindin pronarët dhe Ferguson që mos të pengojnë largimin e lojtarit që udhëhoqi skuadrën drejt triumfit të dytë radhazi në Premiership dhe në Ligën e Kampioneve. Ndërsa tifozët, vetëm mund të dëshpërohen, por ky është një kapitull i ri pas atij të disa viteve më parë, që kishte si protagonist Devid Bekam.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›