E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, tifozët kontestojnë qetësinë e presidentit Albert Xhani

Partizani është shndërruar në një "minë me sahat". Edhe pse në pamje të parë dukej si një prej klubeve të pakta shqiptare të organizuara me metoda bashkëkohore (ku më kryesore ishin kontratat afatgjata me lojtarët), ajo që fshihet pas fasadës është krejt e ndryshme. Pas deklaratave të Bledi Shkëmbit dhe Bledar Devollit, se do të largohen nga skuadra, tashmë mes tifozëve të shumtë të kryeqytetasve kanë filluar pakënaqësitë. Situata bëhet edhe më e komplikuar, pasi në ekip ka edhe disa futbollistë të tjerë të pakënaqur në aspektin financiar, të cilët me ofertën e duhur mund të vendosin të ndryshojnë fanellë. "Ultrasit" janë të shqetësuar për të ardhmen e skuadrës, por mbi të gjitha për mënyrën sesi drejtuesit e klubit po përballen me problemet e brendshme. Mbështetësit kontestojnë qetësinë e treguar nga presidenti Albert Xhani përpara rrezikut të "eksodit" të lojtarëve kryesorë. "Duhet të bëhet e pamundura që futbollistë si Shkëmbi apo Devolli të qëndrojnë", janë pretendimet e tifozëve të Partizanit. "Ata janë pjesë e rëndësishme e skuadrës, e së njëjtës skuadër që ishte fare pranë fitimit të titullit kampion dhe nëse ruhet grupi i sezonit të kaluar, kemi shanse që vitin e ardhshëm të festojmë fitoren në kampionat".

Një sinjal pozitiv për klubin dhe tifozët ka ardhur nga mesfushori Paulin Dhëmbi, i cili deklaron besnikëri: "Kam kontratë me Partizanin dhe nuk largohem", tha mesfushori korçar, që është bërë pjesë e planeve të trajnerit të kombëtares Ari Han. "Do të respektoj marrëveshjen dhe për rrjedhojë të qëndroj me skuadrën. Nuk i kam shkëputur marrëdhëniet me Partizanin". Dje në skuadër është afruar edhe Klejdi Larti, që gjatë sezonit të kaluar ka luajtur fillimisht me Skënderbeun e më pas me Bilisht Sport. Mbrojtësi 26-vjeçar është blerja e gjashtë e të kuqve në këtë merkato vere, pas Ngjelës, Çajkut, Shalës, Çipit e Shametit. Megjithatë, tifozët mbeten të shqetësuar: "Nëse do të ketë largime, ashtu si përflitet për Shkëmbin, Devollin e ndonjë tjetër, klubi duhet të bëjë të pamundurën që të afrojë lojtarë në të njëjtat nivele, që skuadra të mos humbë kualitetin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›