Kuqezinjtë, -6 vende në renditjen FIFA
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka rënë ndjeshëm në renditjen e FIFA-s, ku tashmë mban vendin e 82-të. Pas humbjes minimale 1-0 me Poloninë, kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han kanë humbur 6 pozicione në krahasim me renditjen e mëparshme dhe çfarë është më negativja, gjenden në vendin e 41-të në Evropë nga 53 vende anëtare të UEFA-s. Kjo renditje e FIFA-s ka konfirmuar se gjatë muajve të fundit, Shqipëria ka pasur një rënie të theksuar në paraqitjen e saj, që është pasqyruar edhe në këtë klasifikim, nga i cili varet edhe vendosja në vazot e shortit për Evropianin 2012. Për sa u përket skuadrave kundërshtare në eliminatoret e Botërorit 2010, Portugalia ka humbur dy pozicione, duke qenë tashmë e 11-ta në botë, ndërsa Suedia ka humbur 5 pozicione, duke u renditur e 30-ta. Danimarka ka ruajtur pozitën e saj (33), Hungaria është ngjitur me 5 pozicione (52) dhe Malta me 1 pozicion (134).