E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doni e Baptista për Behramin

Te Roma zhgënjimi për Scudetton e humbur nuk ka kaluar ende mirë, por klubi nga kryeqyteti italian preferon të shikojë përpara dhe të mendojë më shumë për sezonin që vjen.

Nënkampioni italian i është rikthyer ‘simpatisë’ së vjetër, Valon Behramit. Klubi Giallorossi, vetëm për të arritur deri te mesfushori kosovar i West Ham United, duket të jetë i gatshëm të bëjë edhe sakrifica, shkruan ueb faqja italiane newnotizie.it.

Klubi londinez është i interesuar për dyshen ‘rezerviste’ romake: sulmuesin Julio Baptista dhe portierin Doni, që të dy brazilianë. Por, për t’i lëshuar këta dy futbollistë nënkampioni italian kërkon kompensim, andaj newnotizie.it shkruan se klubi anglez është i gatshëm ta ofrojë përfaqësuesin zviceran Behrami.

25 vjeçari do të rikthehej në Itali me gjithë dëshirë, pas eksperiencës dyvjeçare në Angli. I vetmi problem që mund ta pengojë këtë shkëmbim është fakti se Behrami në të kaluarën ka luajtur te rivali jetësor i Romës, Lazio.

Mirëpo, për Behramin kjo nuk është mundësia e vetme. Për shërbimet e tij interesimin më të madh deri më tash e ka shfaqur klubi sicilian Palermo, që e dëshiron fort për sezonin që vjen.

Behrami ka kontratë me West Ham, por vazhdimi eventual i saj është shtyrë deri në verë. Ose, ose, nuk do të ketë vazhdim të saj, por shitje definitive të futbollistit. Mitrovicasi së bashku me Xherdan Shaqirin do të jenë dy futbollistët shqiptarë, të cilët do të marrin pjesë në kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010, me përfaqësuesen e Zvicrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›