E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donizetti “serioz”

Një nga kryeveprat e melodramës të kompozitorit të njohur Gaetano Donizetti bëhet pjesë e repertorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Bëhet fjalë për premierën absolute italiane “Lucia De Lammemoor”, që do të shfaqet për herë të parë në skenën shqiptare këtë të shtunë, e interpretuar nga një kastë artistësh të zgjedhur. Ndër to, gjendet edhe zëvendësministrja e Kulturës Suzana Turku, e cila do të jetë mjeshtre e korit. “Lucia di Lammemoor” është një vepër në brendi të së cilës janë të harmonizuar natyrshëm shumë elementë të romanticizmit, e cila është paracaktuar si premierë për të celebruar 55-vjetorin e Operës.

Dashuri e kundërshtuar dhe e pamundur, rivaliteti i papajtueshëm mes familjeve, ndarja me anë të mashtrimit, martesa e detyruar, vrasja, dëliri, çmenduria dhe në fund vdekja në atmosferën e aluçinacioneve. Në një bashkëpunim me Teatro del Maggio Fiorentino premiera “Lucia De Lammemoor” me muzikë të Gaetano Donizetti-t dhe libret të Salvadore Cammarano do të vijë nga interpretues të huaj dhe shqiptarë. Nicola Zorzi është regjisori i cili do të kujdeset për këtë kryevepër nga datat 1, 2, 4, 5 dhe 22 nëntor. Po ashtu “Lucia De Lamermoor” do të dirigjohet nga Gianluca Martinenghi, i cili është në të njëjtën kohë edhe mjeshtër koncertues, skenografi të Alfredo Troisi, Andrea Albertin do të jetë as/dirigjenti i veprës etj. Për të sjellë historinë e një dashurie platonike janë ftuar të marrin pjesë edhe disa solistë sërish të ndërthurur mes atyre të huaj dhe shqiptarë si Marjana Leka, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Rudi Sata, Armando Lika, Erlind Zeraliu, ndërsa në kastën e huaj janë ftuar të marrin pjesë artistët Oriana Kurteshi, Francesca Micarelli, Gianluca Terranova, Marco Camastra, Cristiano Oliveri. Ndërkohë që pjesë e korit dhe orkestrës simfonike e TKOB-së do të jenë edhe studentë të Akademisë së Arteve.

“Lucia di Lamermoor” nuk ishte i pari sukses i madh i Donizetti-t në llojin e operës “serioze”, por është cilësuar një nga majat më të larta të dramaturgjisë së këtij autori.

Atmosfera romantike përshkruan gjithë operën ku orkestra evokon Skocinë e romanit të Walter Scott, “The Bride of lammermoor”, nga i cili Salvatore Cammarano nxori libretin me vlerë. Personazhi i Lucia-s është një nga më të plotët e operës romantike. Këndimi i saj i pastër dhe ekspresioni i kësaj kreature delikate, e cila që në momentin e parë është e vetëdijshme për fatin e saj të keq, për çmendurinë e saj. Vetëm nëpërmjet dëlirit ajo do të mund të jetojë atë që jeta reale nuk ia ka lejuar.

“Lucia di Lamermoor” edhe sot e kësaj dite bën pjesë në repertorin e zakonshëm teatror. Kjo operë, e cila u vu në skenë në Napolin e goditur nga kolera dhe në një klimë të ashpërsuar të kulturës së censuruar shënon një etapë themelore për melodramën romantike të ‘800-s, mbi të gjitha për lirizmin e jashtëzakonshëm të protagonistes që shpëtimin nga meskiniteti i burrave e gjente në çmendurinë verbuese.

Donizetti vdiq në Bergamo në moshën 52–vjeçare, në gjendje të çmendur dhe pasi kish kompozuar 70 opera. Për një koiçidencë të veçantë, çmendurinë e kish përshkruar në disa nga operat, duke nisur nga protagonistja e Emilia di Liverpool (1824) dhe duke vazhduar me deliret e Murenës në Esule di Roma (1828) për të arritur tek Linda di Chamounix (1842). Nga ana tjetër, skenat e çmendurisë ishin një trashëgimi e operës italiane ose të italianizuara; ishin shfaqur në Orfeo të Luigi Rossi, për të mos folur për “Orlando furioso” të Vivaldit, “Nina pazza per amore” të Paisiello. Veprat të tjera të Donizzeti-t përmenden: La fille du regiment (1840), La favorita, L'ange du Nisida. Ndërkohë i jepet titulli Kavalier i urdhrit S. Silvestro nga ana e papa Gregorio XVI, por ngjarja më e rëndësishme ishte ftesa e Rossinit për të dirigjuar ekzekutimin e Stabat Mater në Bolonjë. Falë një rekomandimi të Rosini-t për Metternich, Donizetti niset për në Vjenë ku në 19 maj prezanton Linda di Chamounix. Në 1843, kompozon opera Don Pasquale. Ishin momentet e fundit të kreativitetit të tij të zjarrtë, sepse sëmundja e mposhti.

Ngjarja zhvillohet në Skoci, në fund të shekullit XVI në kështjellën e Ravenswood.

Parathënie. Familja fisnike Asthon, ku bëjnë pjesë vëllezërit Enrico e Lucia, ka zaptuar të mirat dhe kështjellën e familjes Ravenswood, trashëgimtar i vetëm i të cilës është Edgardi. Edgardi dhe Lucia dashurohen ne fshehtësi. Në aktin e parë përfshihet ngjarja kur lord Enrico Ashton gjatë një gjueti mëson për dashurinë e fshehtë të Lucias për Edgardin dhe betohet që do ta shkatërrojë këtë lidhje me çdo kusht. Në parkun e kështjellës, Lucia pret Edgardin dhe i tregon Alisa-s, damës shoqëruese, historinë e kobshme të një Ravenswood-i që në të njëjtin vend vrau për xhelozi të dashurën e tij dhe të cilit prej asaj dite i shfaqet fantazmë. Alisa e interpreton rrëfimin si një parandjenjë të keqe dhe i kërkon Lucia-s të ketë kujdes se mos pëson të njëjtin fat. Lucia e Edgardo shkëmbejnë unazat dhe i premtojnë njëri–tjetrit dashuri dhe besnikëri të përjetshme.

Luftërat politike që zhvilloheshin në Skoci e dobësuan Asthin dhe forcuan Edgardin. Enrico, për të riekuilibruar fatet e konteshës dhe shtëpisë së saj i propozon të motrës Lucia të martohet me një burrë të pasur dhe të fuqishëm, Lord Arturo Buklaw. Me refuzimin e vajzës ai i thotë që Edgardi i ka premtuar martesë një vajze tjetër dhe për këtë i tregon një letër të rremë. Dhe me ndihmën e Raimondos, babait shpirtëror të vajzës e bind të martohet me Arturon. Arturi pret duke u dridhur nusen e tij në altar. Lucia vjen dhe ceremonia martesore ndërpritet nga ardhja e papritur e Edgardos. Kur sheh kontratën e firmosur nga Lucia, ai e mallkon dhe i kthen unazën. Lucia, e ngurtësuar nga dëshpërimi, i kthen të sajën. Enrico dhe Edgardo takohen afër kullës Volferag dhe vendosin t’i japin fund çdo diskutimi me një duel të cilin e fiksojnë një ditë më pas.

Ndërsa në aktin e dytë të premierës ngjarja zhvillohet në kështjellë, ku festa e dasmës ndërpritet nga Raimondo që duke u dridhur njofton se Lucia tashmë e çmendur nga dhimbja ka vrarë Arturon të shoqin natën e parë të martesës. Lucia, me pamje të çmendur shfaqet mes të pranishmëve me një thikë në dorë dhe rrobat e gjakosura.

Kujton se sheh Edgardon, imagjinon dasmën e dëshiruar me të dhe e kërkon me zë të lartë. Ndërkohë hyn Enrico, që pasi ka marrë vesh ngjarjen, përpiqet të vrasë të motrën, por Raimondo dhe Alisa e ndalojnë duke i treguar gjendjen në të cilën ajo është katandisur. Lucia nuk e përballon dot dhimbjen dhe vdes. Enriko e largon të motrën nga vendi dhe Raimondo akuzon Normanon si autor të tragjedisë. Me të aguar, në varret e Ravenswood, shfaqet Edgardo për të bërë duelin me Enrikon. Papritur shqetësohet nga mbërritja e një kortezhi që drejtohet nga kështjella e Lammermoor, që qajnë fatin e Lucia-s. Kambana e vdekjes shpall vdekjen e vajzës. Edgardo, që nuk mund të jetojë pa të, vret veten me një kamë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›