E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, “under construction” për t’u njohur nga filmi

“As kriza financiare e festivaleve të tjera, as fakti që 2006 është viti i prodhimit të filmit të fundit të metrazhit në Kosovë, nuk i ka penguar organizatorët e “Prifilmfestit” të jenë optimistë për ndikimin që do të këtë festivali “under construction”” - ky është komenti i mbërritur dje nga mediat kosovare për prezantimin e festivalit ndërkombëtar të filmit “Prifilmfesti”. Sipas organizatorëve, “Prifilmfesti” do ta bëjë Kosovën vend të njohur në botë, ndërsa Prishtinën do ta fusë në listën e qyteteve evropiane që kanë një festival ndërkombëtar të filmit. Ky festival do të prezantojë pjesëmarrjen e filmave

artistikë të metrazhit të gjatë me karakter ndërkombëtar. Ideja për të filluar festivalin ka nisur në qershorin e vitit të kaluar, kur edhe është blerë domain-i për webfaqe-n e festivalit www.prifilmfest.org. “Ne si ideatorë dhe themelues të këtij festivali nuk kemi dashur që këtë iniciativë ta bëjmë publike para se Kosova të shpallë pavarësinë. Tani me realitetin e ri dhe të inkurajuar nga përkrahës të shumtë se ky festival është shumë i nevojshëm për Kosovën, mendojmë se kjo iniciativë do të jetë një shtytje për zhvillimin e kinematografisë kosovare si dhe do ta fus Prishtinën në listën e kryeqyteteve evropiane me festival të respektuar të filmit”, - kanë thënë dje në konferencë për shtyp, organizatorët e festivalit.

Themelues të “Prifilmfest” janë: Vjosa Berisha, drejtor i Festivalit; Orhan Kerkezi, drejtor i Festivalit; Fatos Berisha, drejtor artistik; Faton Hasimja, drejtor kreativ.

Duke kombinuar përvojën profesionale, si dhe atë të organizmit të evenimenteve të ndryshme të ngjashme (Orhan Kerkezi me Dokufest, Fatos Berisha me “The Return Festival”, Vjosa Berisha menaxhere e evenimenteve dhe fushatave të shumta, Faton Hasimja dizajner i suksesshëm dhe montazher), organizatorët besojnë se është bazë e mirë për nismën, të cilën dëshirojnë ta hapin edhe ndaj komunitetit artistik kosovar.

Duke pretenduar në shtimin e numrit të anëtarëve të bordit, organizatorët kanë thënë se kanë kontaktuar me shumë personalitete, ku një nga ftesat për kryetare jurie i është bërë aktores së njohur angleze me famë botërore, fituese e “Oscar”-it, Vanessa Redgrave.

“Prifilmfest” ka parashikuar që edicioni i parë të mbahet në muajin qershor 2009. “Janë kontaktuar disa shtëpi filmike nga vende të ndryshme të botës dhe kemi marrë premtime se do të kemi në repertor disa filma shumë të mirë, si dhe personalitete nga bota e filmit, të cilat do t’i bëhen publike”.

Re.Ku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›