E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho, nostalgji për Premierligë

Një ditë, kur ta mbyll aventurën madrilen, do të rikthehet në Premierligë, aty ku e kaloi një eksperiencë të shkëlqyeshme me Chelsean. Jose Mourinho nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për ta pasur edhe një përvojë në futbollin anglez, të cilin e konsideron si më të përshtatshmin për të punuar.

“Të rikthehem një ditë në Premierligë, këtë e kam thënë gjithmonë. Do të shkoj aty ku më duan me të vërtetë, por do ta bëj këtë në momentin më të duhur. Për momentin jam në Real Madrid dhe jam i lumtur këtu”, ka thënë trajneri portugez në një intervistë për ‘BBC Radio Five Live’.

‘Special One’ e ka treguar edhe njërin nga sekretet e suksesit të tij në klubet në të cilat punon. “Kur arrij në një klub, e vesh fanellën, e ndiej si të ishte hera e parë ose e fundit që e vesh”, ka shtuar ai.

Ai po ashtu tha se raporti me tifozët është mjaft i rëndësishëm për të. “Unë punoj për njerëzit që besojnë në mua, u referohem pronarëve dhe udhëheqësve, por mbi të gjitha tifozëve, janë ata vetë klubi. Kjo është njëra prej gjërave që më shquan, sepse bëhem menjëherë pjesë e tyre, luftoj për klubin dhe mundohem me gjithë shpirt t’i gëzoj ata”, përfundoi ish trajneri i Portos, Chelseat dhe Interit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›