E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, një brazilian premton Superligën

Mbrojtësi Dos Santos i afruar gjatë kësaj merkatoje kërkon që me blutë të arrijë të ngjitet në superiore dhe që me paraqitjet e tij të mos zhgënjejë presidencën dhe stafin teknik të klubit

 

Nga ANDI TANKU

Emri i plotë: Luis Fernando Carvalho Dos Santos

Datëlindja: 23.02.1988

Vendlindja: San Paolo ( Brazil)

Roli: Mbrojtës

Karriera: Corinthias (Brazil)

Groseto      (Itali)

Dinamo edhe pse këtë vit do të militojë në Kategorinë e Parë, duket se nuk do ti mungojnë lojtarët me klas. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të rinj të talentuar dhe me dëshirë për të luajtur, por edhe për të huaj që janë afruar gjatë kësaj merkatoje, nëpërmjet menaxherëve profesionist. Kështu gjatë kësaj periudhe janë afruar disa futbollistë amerikano-jugor dhe për më tepër nga një vend që prodhimin e talenteve në futboll e ka pasur gjithmonë një industri, të cilës i kanë kushtuar vëmendje dhe mbi të gjitha u ka sjellë fitime ekonomike skuadrave, prej të cilave ata rriten dhe krijohen në këtë profesion. Megjithatë, po flasim për lojtarë që trasferohen në vendin tonë dhe është normale që kostot ekonomike nuk kapin shifra të larta, por që me aftësitë e tyre në fushën e blertë ata mund të bëjnë diferencën dhe të jenë përcaktues për objektivat që kërkojnë të arrijnë ekipet e kampionatit tonë. E në këtë rast janë blutë e kryeqytetit, të cilët kërkojnë të marrin frytet e talentit të këtyre futbollistëve duke i trajnuar në të gjitha aspektet me profesionalizëm, në mënyrë që ata të ndihen të ambientuar për të ushtruar profesionin e tyre. Bëhet fjalë për Dos Santos, një brazilian që luan në rolin e mbrojtësit, ku mbi të gjitha është në një moshë të përshtatshme dhe me eksperiencë për të ndihmuar Dinamon që të arrijë me sukses misionin Superligë. Vetë lojtari në fjalë në një intervistë për Sporti shqiptar flet për eksperiencën e tij të re në kampionatin tonë, për marrëdhëniet me lojtarët e tjerë, me trajnerin e skuadrës, por edhe për stafin mjekësor, që sipas tij i ka qëndruar pranë dhe me profesionalizëm ka bërë të mundur që çdo problem me dëmtimet ai ti kalojë sa më shpejt. Gjithashtu, Dos Santos nuk lë pa përmendur edhe përshtypjet e tij të para për Shqipërinë dhe për njerëzit të cilët ka takuar, pa lënë mënjanë Dinamon, për të cilën tregon se është i informuar, se në çfarë nivelesh ka qenë ky ekip para se të binte në Kategorinë e Parë.

Dos Santos, çpërshtypje keni, në këto ditë të para, për Shqipërinë?

Mund tu them se nuk e njoh shumë vendin tuaj, pasi nuk dal shpesh. Pas stërvitjes, kohën e lirë e kaloj më tepër në shtëpi, ku flas nëpërmjet internetit me familjen time në Brazil. Megjithatë mund tu them se më ka bërë përshtypje mënyra se si më kanë pritur dhe dua të them se kam takuar persona që janë sjellë shumë mirë me mua. Ka vërtet njerëz të mrekullueshëm.

Po në skuadër si ju kanë pritur?

Shumë mirë. Jam i kënaqur nga ambienti që kam gjetur te Dinamo. Këtu ka shumë lojtarët të talentuar, të cilët më kanë ndihmuar për tu ambientuar sa më shpejt me vendin tuaj dhe me futbollin shqiptar. Po mundohem të ingranohem sa më parë dhe të krijoj marrëdhënie të mira me ta, pasi do të kalojmë shumë kohë në këtë skuadër gjatë sezonit të ri dhe duhet që në fillim të jemi në harmoni të plotë me njëri-tjetrin si brenda dhe jashtë fushe.

Me sa keni vënë re, si ju duket futbolli shqiptar?

Kampionati ende nuk ka nisur, por mund tu them me sa kam parë, se këtu praktikohet një futboll i shpejtë dhe i fortë. Kam vënë re se ka ashpërsi në lojë dhe kjo ndoshta hyn në një mentalitet, që unë e gjykoj për mirë, pasi lojtarët hyjnë në fushë për të luajtur dhe me ego për të arritur rezultate të mira.

Çmendim keni krijuar deri tani për trajnerin Zhupa?

Është një person që pasqyron mirësi, pasi edhe mënyra e komunikimit të tij është e veçantë. Di se si të transmetojë idetë e tij dhe është i palodhur në punën që bën. Gjithmonë kërkon më të mirën nga lojtarët që stërvit dhe është shumë profesionalist. Mënyrat e trajnimit që kam gjetur këtu dhe që praktikohen nga trajneri Zhupa janë me të vërtetë shumë të mira.

Po për stafin teknik në përgjithësi?

Edhe ata nuk mbeten pas në profesionalizmin, me të cilin punojnë. Është krijuar një ambient, ku çdo detyrë është e ndarë në mënyrë të përsosur. Do doja të shtoja edhe mirënjohjen time që kam jo vetëm për stafin teknik, por edhe për atë mjekësor dhe në veçanti për doktorin e skuadrës, Jorlen Lulo, i cili jo vetëm mua, por i qëndron pranë çdo futbollisti, që ka probleme shëndetësore ose në rastet e dëmtimeve përkujdeset dhe punon në mënyrë shumë profesionale. Me të kam marrëdhënie shumë të mira. Është pothuajse si një vëlla më i madh për mua.

Sa informacion keni marrë deri në këto momente për Dinamon?

Kam marrë mjaftueshëm. Di se është një nga ekipet që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar, pavarësisht pozitave në të cilat gjendet aktualisht. Më kanë informuar, se për Dinamon është hera e parë që bie nga Superliga, ndaj edhe unë do të përpiqem me të gjitha forcat e mia që të jap më të mirën time në skuadër, për ta ngjitur atë aty ku i takon. Edhe pse nuk jam ende në 100% të formës sime, po bëj të pamundurën dhe po stërvitem me seriozitet për të qenë gati në startin e kampionatit.

Në Evropë ka shumë futbollistë brazilianë që luajnë me skuadra të mëdha. Ju vetë, fanellën e cilës skuadër evropiane keni pasur ose keni ëndërr për të përfaqësuar?

Mua personalisht më pëlqen Bundesliga dhe veçanërisht Werder Bremen. Kjo preferencë e imja ka edhe një farë lidhje, pasi aty është aktivizuar Diego, me të cilin njihem prej vitesh dhe unë e kam simpatizuar gjithmonë ekipin ku ai luante dhe mënyrën se si e interpreton lojën. Megjithatë nuk mund të mos përmend skuadrën e Bajernit të Mynihut, pasi stili i tyre më tërheq vërtet shumë.

Me cilin pjesëtar të familjes suaj keni më shumë afrimitet?

Me nënën time. Flas çdo ditë me të dhe mund të them se është një njeri i mrekullueshëm, pasi gjithmonë ka punuar për të siguruar të ardhura të mjaftueshme që të mos më mungonte asgjë. Më ka qëndruar gjatë gjithë kohës afër. Kërkoj që me punën time ta ndihmoj ekonomikisht, por edhe të arrij sa më lart si futbollist, në mënyrë që ajo të ndihet krenar për mua.

Çfarë pretendon Dos Santos të arrijë këtu në Shqipëri me Dinamon për të bërë krenar, jo vetëm njerëzit e tij më të afërt, por edhe ata të cilët e kanë mbështetur dhe do të mbështesin në të ardhmen?

Kërkoj që të tregoj vlerat e mia më të mira si nga ana humane dhe nga ajo profesionale. Mbi të gjitha dua që të mos zhgënjej ata që kanë treguar besim tek unë, ku përfshihet presidenca e klubit dhe stafi teknik. Gjithashtu, edhe pse nuk jam prezantuar përpara publikut dhe sportdashësve shqiptar dhe në veçanti atyre të Dinamos, kërkoj që me performancën time të ndihmoj këtë ekip që të arrij majat dhe u premtoj tifozëve se do të shohin në fushë një Dos Santos të motivuar për të fituar çdo takim që do të zhvillojmë, pasi për mua është shumë e rëndësishme që të kem përkrahjen e tyre. Premtoj se nuk do ti zhgënjej ata dhe do të jemi ne ata që do të ngjitemi në Superligë këtë sezon

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›