E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi sot merr firmën e Xhanit, Partizani përgatit goditjet në merkato

Albert Xhani ka bërë disa ndryshime në draftin e marrëveshjes, e cila pritët të firmoset sot,  ku Paro Laçi do të jetë financues me 100% të shpenzimeve vjetore

Nga ILIR CARA

Ka mbi tre javë që aksionarët e Partizanit, Albert Xhani dhe Paro Laçi, me ndërmjetësimin e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Eduart Prodani, arritën të bëjnë një marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë që të harrohen problemet e së shkuarës dhe ekipi të mos rrezikojë përjashtimin. Ndonëse parimisht palët gjetën konsensusin, Partizani ende nuk konsiderohet 100% i licencuar, pasi mungon firma e Xhanit, në mënyrë që Paro Laçi të konsiderohet si përgjegjësi për mbarëvajtjen e të kuqve. Mësohet se Albert Xhani që zotëron 60% të aksioneve ka bërë nisa ndryshime në draftin e marrëveshjes, që janë pranuar edhe nga ortaku i tij dhe sot thuhet se do të ketë një tjetër takim mes palëve, ku do të finalizohet  edhe firmosja e traktatit të paqes. Me këtë marrëveshje Paro Laçi do të jetë administrator i Partizanit dhe është ai që do të paguajë 100% të vlerës së faturës financiare. Mësohet se sapo Laçi të marrë firmën e ortakut të ti, do të nisë menjëherë firmosja e kontratave, pasi, sipas administratorit, Partizani po shkon drejt limiteve të pritjes, që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e skuadrës në Kategorinë e Parë. Po sipas Paro Laçit, nëse sot ai merr firmën e Albert Xhanit, menjëherë nis firmosja e kontratave, ku lojtarët, sipas akordit të bërë, do të marrin në dorë edhe këstin e parë financiar.

Të kuqtë gati për goditjen, priten dy futbollistë të huaj

Partizani është vonë me plotësimin e procedurave administrative, por në terren gjërat duken mbarë dhe në ditët në vijim pritet që administratori Paro Laçi të përmbyllë merkaton me disa prurje cilësore. Burokracia e një firme ka bërë që të mbetemi pas me nënshkrimin e kontratave, por gjithsesi kam besim se çdo gjë do të shkojë mirë dhe Partizani do të jetë gati për realizimin e misionit të tij, kthim në Superligë. Kemi afruar shumë futbollistë të rinj dhe me përvojë, por merkatoja e Partizanit mbetet e hapur dhe në ditët në vijim do të vijnë edhe goditjet përfundimtare. Presim që grupi të përforcohet me dy futbollistë të huaj, një sulmues dhe një mbrojtës. Nuk po i përmend emrat, por shumë shpejt ata do të bëhen të njohur dhe të prekshëm. Gjithashtu jemi në fazën përmbyllëse edhe me lojtarë të tjerë, siç është rasti i mbrojtësit Fatjon Tafaj, me të cilin kemi rënë parimisht dakord dhe distanca mes palëve shuhet në momentin e dhënies së këstit të parë, që do të vijë fill pas firmës së ortakut tim. Gjithashtu presim edhe një portier, ku në bisedime jemi me Alfred Osmanin dhe Mario Bytyçin. Duhet të jemi të duruar deri në minutën e fundit dhe kam besim të plotë se po krijojmë në Partizan për të kënaqur dhe jo për të zhgënjyer tifozët e zjarrtë të ekipit,- u shpreh për Sportin shqiptar aksionari i kuq, që pritet të marrë rolin e administratorit të Partizanit, Paro Laçi.

Grumbullohen në Durrës, stërviten në Kavajë, nesër miqësore me Luzin

Duke filluar nga dje administratori Paro Laçi ka vendosur që ta grumbullojë ekipin, për një periudhë 10 ditore, në mënyrë që grupi të marrë ngarkesën finale përpara fillimit të sezonit të ri. Skuadra është grumbulluar në një hotel në Durrës dhe përgatitjet do ti kryejnë në Kavajë, sipas një marrëveshje të bërë me drejtuesit e Besës. Përveç përgatitjeve intensive stafi ka programuar edhe ndeshje miqësore, ku më e afërta është ajo e së mërkurës me Luzin. Takimi do të luhet nesër pasdite në fushën e Luzit.

Capa- Agolli përgatiten në Tiranë, të enjten i bashkohen grupit

 

Jo të gjithë futbollistët e përzgjedhur nga stafi teknik kanë udhëtuar dje me grupin në grumbullim e kryer në Durrës. Mesfushorët Arbër Capa dhe Jurgen Agolli janë të dëmtuar dhe stafi ka vendosur që edhe për disa ditë lojtarët të kryejnë fazën rikuperuese në kryeqytet. Mendohet se të enjten dyshja e futbollistëve të dëmtuar do ti bashkohen grupit në grumbullim.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›