E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ledio Pano emërohet drejtor teknik i Tërbunit

Tërbuni nën drejtimin e presidentit Petrit Syla vijon të mbetet aktiv në merkato, lëvizje të cilat pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim. Goditja e fundit e kryer nga pukjanët është emërimi i ish-lojtarit dhe trajnerit të Partizanit, Ledio Pano, në postin e drejtorit teknik të Tërbunit, i cili do të jetë një ndihmë më shumë për trajnerin Edmond Dalipi. Kjo lëvizje është zyrtare, gjë të cilën e konfirmon vetë presidenti Syla, i cili premton se do të ketë edhe përforcime të tjera në ekip. Vlerat i duhen dhe i shërbejnë çdo ekipi dhe në këtë vazhdë ne menduam që të afrojmë Ledion Panon në postin e drejtorit teknik. Padyshim ai është një vlerë në futbollin shqiptar, që do ti shërbejë edhe Tërbunit. Kemi thënë se gjatë këtyre ditëve të fundit të merkatos do të ketë edhe tre përforcime të tjera, ku nuk përjashtohet mundësia edhe tek largimi i ndonjë futbollisti që nuk përfshihet në planet e ekipit. Gjithsesi, nuk do të nxitohemi dhe do të jetë stafi teknik ai që do të vendosë për afrimet dhe largimet e mundshme. Në projekt kemi që ta përforcojmë grupin, në mënyrë që të jemi konkret në objektiva. Shpresoj se deri në fund të afatit të mbylljes së merkatos të bëjmë më të mirën dhe fillimi i sezonit ta gjejë gati Tërbunin,- u shpreh për Sportin shqiptar, presidenti i skuadrës pukjane, Petrit Syla.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›