E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrit Vasili: Bashkia supersfidë, raporti me djalin e ish-gruan

Petrit Vasili, ish-ministri i Shëndetësisë, sfidon sërish. Nuk e ka problem të punojë edhe si specialist apo nënkryetar bashkie, çka për një pjesë të madhe të “VIP”-ve është ulje në detyrë. Por, detyrën më të re, ai nuk e përkufi zon kaq thjesht, për të, të merresh me hallet e qytetit është supersfi dë. 
Ju jeni i lindur në Tiranë, sa tiranas e ndjeni veten, duke mos lënë pas origjinën? 
E ndjej veten natyrshëm Tiranas, një dëshmi është edhe që dialektin e Tiranës e fl as, besoj shumë mirë, ndonëse mbetem bregdetas nga Vunoi 100% dhe kjo është e do të mbetet kështu. 
Të mbarosh “Sami Frashërin” me 10 absolute nuk është pak, ndaj duam të dimë çfarë pozicioni pune kanë pasur prindërit tuaj? 
Po, po, “Sami Frashëri” ka qenë një gjimnaz i shkëlqyer, me mësues të shkëlqyer, të cilëve u detyrohem mjaft për atë që kanë bërë me ne, por në vitet që studionim ne, ka qenë mjaft e vështirë që të arrije rezultate të larta. Prindërit e mi kanë qenë pedagogë të letërsisë dhe u jam përjetësisht
mirënjohës për gjithshka, por edhe për formimin tim karakterial dhe intelektual dora e tyre e ka shënjuar në mënyrë të jashtëzakonshme formimin tim në shumë dimensione. 
Libri i preferuar i rinisë tuaj? 
“Konti i Monte Kristos”, filozofi a e atij libri është sot më e vlefshme se kurrë dhe Dymai i madh nuk do ta mendonte asnjëherë se do të ishte aq i vlefshëm edhe në ditët e sotme, që në dukje dukeshin të ishin larg nga vitet kur u shkrua kjo kryevepër, por mesa duket bota për disa gjëra nuk ka ndryshuar thuajse fare përsa i takon mosmirënjohjes se njerëzve, por edhe dënimit të merituar që ajo duhet të marrë që bota të bëhet më e drejtë dhe më fisnike. 

Keni pasur shansin si student shumë i mirë të fi toni një specializim në Romë në “Istituto Superiore di Sanita”, kush jua “dhuroi” këtë të drejtë? Nuk ma dhuroi askush, ishte thjesht përmbushja e plotë e kritereve të vendosura në atë kohë për fi timin e asaj mundësie specializimi, ku mesatarja mjaft e lartë, gjuhët e huaja, provimet pasuniversitare të mbrojtura dhe botimet shkencore, ishin disa nga kriteret e vendosura. Instituti Superior në Romë është një realitet shkencor i jashtëzakonshëm dhe vitet atje pranë personaliteteve shkencore të nivelit botëror sigurisht që ndryshuan rrënjësisht cilësinë e formimit tim shkencor e profesional, duke mundësuar një performancë mjaft të lartë në fushën e shëndetit publik dhe më ka ndihmuar në mënyrë të pazëvendësueshme që të përmbush me sukses detyrat që kam pasur, por edhe në ndërmarrjen e një seri reformash madhore sidomos në vitet kur shërbeva si ministër i Shëndetësisë.
Ndjeheshit inferior në krahasim me studentët evropianë?
Absolutisht jo, universitetet shqiptare mund të kishin vërtet mungesa të shumta në literature dhe teknologji, por ishin mjaft të disiplinuara dhe kjo kishte edukuar një ndjenjë pune dhe vullnet të fortë që na bëri ta përballojmë si duhet këtë sfidë tepër të vështirë, jo vetëm unë, por edhe mjaft të tjerë, të cilët janë bërë specialistë të zot në fushat ku punojnë.
Nga Tirana e vitit 1988 në Romën evropiane, çfarë ju bëri më shumë përshtypje kur e patë?
Roma është për nga bukuria dhe madhështia një shok i vërtetë edhe sot e kësaj ditë për miliona europianë që vijnë nga vende shumë të zhvilluara dhe me histori të gjatë, natyrshëm kjo ishte edhe për mua ndjesia e çastit. Sigurisht kishte dhe mjaft arsye të tjera që i bënin të forta këto ndjesi, sepse mjaft njerëz të familjes time gjyshi im, daja, daja i nënës time kishin studiuar mjekësi atje, nëna ime, gjyshja ime, kishin qenë atje sigurisht përpara çlirimit të Shqipërisë në 1944, se më pas kjo qe e pamundur. Një qytet i mrekullueshëm, por që duhet të dish ta duash, janë tre mijë vjet të historisë së një qyteti, i cili i dha botës atë që ajo po e konsumon në qindra e qindra vjet, duhet të dish të duash Panteonin, por duhet të dish të duash dhe Villa Aden, Coloseon San Pietron Fontana di Trevin e lista nuk mbaron kurrë, është thuajse gjysma e pasurisë historike botërore në atë qytet.
Mësuat të gatuanit makarona?
Po, po, makaronat janë një element identifikues për këdo që ka kaluar vite të jetës në Romë, por edhe në gjithë Italinë.
Ishin kuriozë studentët e tjerë, apo italianët që takonit, për Shqipërinë?
Kurioziteti ishte i jashtëzakonshëm, izolimi kishte amplifikuar në mënyrë anormale kuriozitetin dhe njëkohësisht ekzistonte edhe misteri që çdo gjë që thuhej për Shqipërinë ishte e paverifikueshme ndaj mbetej një e vërtetë me një lloj ekzotizmi që ngjallte kërshëri të shtuar.
Kishe frikë se mos thoje ndonjë gjë gabim e më pas ta pësoje nga Sigurimi?
Përkujdesje po, ndërsa frikë absolutisht jo, ndjenja e të thënit të gjërave ashtu siç i mendoj më ka shoqëruar gjithë jetën me të gjithë të mirat dhe të këqijat e paevitueshme dhe nganjëherë të rënda të saj.
Kthimi në Shqipëri në vitin 1991, rrëmujë, amulli pluraliste, si e kujtoni atë kohë e çfarë bëtë kur erdhët?
Kthimi im në Shqipëri ka qenë pa asnjë mëdyshje dhe i motivuar, e kam dashur pa kushte vendin tim ashtu siç është me gjërat e mrekullueshme që ai ka, por edhe me vështirësitë dhe peripecirat tragjike që e kanë shoqëruar. Kaosi është fjala e parë që me vjen ndër mend për ato kohëra, por edhe shija e papërshkrueshme e lirisë ishte një ndjenjë shumë e fortë për të cilën edhe sakrificat ja vlenin. Mjaft shokë të mi ishin përfshirë në politikë dhe kjo ishte një diçka kurioze, sepse kishte ndodhur në pak muaj dhe bashkë me naivitetin kishte dhe shumë dëshirë për ndryshim, por edhe mjaft paqa-rtësi të natyrshme që vinin nga mungesa e eksperiencës. U ktheva në Institutin e Higjienës, sot Instituti i Shëndetit Publik, ku rifillova punën ndonëse mjaft gjëra kishin ndryshuar dhe besoj që hapja e institutit i bëri shumë mirë.
Keni qenë në fund të viteve 90 kryeepidemiologu i Shqipërisë, cila ka qenë epidemia më e madhe që keni përballuar?
Pas vitit 1997 kam qenë drejtor i shëndetit parësor në ministri si dhe në detyrat që ju citoni, por mendoj se kryesfida ka qenë pa asnjë dyshim çrrënjosja e poliomielitit gjë që u realizua me sukses të plotë, është një arritje e shkëlqyer e të gjithë punonjësve të shëndetit publik në Shqipëri, të cilët kanë përballuar vështirësi të panumërta për realizimin e saj, por pa një drejtim me përkushtim shembullor, por edhe thellësisht shkencor e profesional të drejtuesve të programit kombëtar të vaksinimit që funksionon në Institutin e Shëndetit Publik kjo arritje as që mund të mendohej.
I dashuruar me Ministrinë e Shëndetësisë, pasi keni qenë pjesë e saj shumë i ri, e deri para pak javësh drejtues i saj, çfarë mendonit për ministrat respektivë në kohën e Enverit dhe si ju duket puna juaj sot, lidhur me vështirësitë?
Pa asnjë mëdyshje kam një vlerësim maksimal për të gjithë, kanë qenë profesionistë dhe njerëz me personalitet të konsoliduar, janë përballur me vështirësi të shumta dhe të panumërta, duke mbajtur në këmbë një sistem shëndetësor efektiv funksionues dhe të disiplinuar. Sot vështirësitë vazhdojnë të jenë mjaft të mëdha, por të një natyre tjetër. Qytetarët janë sot shumë më të informuar se më parë, cilësia e jetës ka ndryshuar dukshëm dhe demokracia ka legjitimuar raporte krejt të reja të pacientit me sistemin.
Çfarë të mbeti më shumë peng nga projektet që kishit nisur apo për punën gjatë lëvizjes tënde si ministër?
Asgjë, fakti që ministria realizoi projektin më të paimagjinueshëm për futjen e teknologjive më moderne në gjithë vendin, realizimi i uljes së vdekshmërisë foshnjore dhe amtare në nivel njëshifror, që e ka ngritur dinjitetin e shëndetësisë tonë atje ku ajo ëndërronte prej kohësh, futja e sistemit të referimit të pacientit pas disa dhjetëvjeçarësh, realizimi i projektit të telemedicinës një nga më modernet në Ballkan, projekti i sistemit kombëtar të edukimit në vazhdim thuajse unik në Ballkan, si dhe miratimi i ligjit të sigurimeve shëndetësore, dhe fillimi për herë të parë i procesit të akreditimit dhe certifikimit të strukturave mjekësore janë nga më të shënuarit dhe besoj se futja e shëndetësisë shqiptare në këtë hulli normaliteti dhe reformash të vrullshme, të cilat kanë marrë vlerësimin publik dhe maksimal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të drejtores së përgjithshme të saj, në vlerësimet më të fundit që ajo u beri reformave në Shqipëri, pas një periudhe paqartësish dhe tensionesh shpesh dhe mjaft të rënda janë sigurisht motive për të mos pasur asnjë peng ndonëse dhe mjaft projekte të tjera kishim ideuar.
Bashkia, një mal me punë, por një spektër tjetër. Si po ju duket?
Puna në bashki për mua është një impenjim maksimal i një serioziteti dhe përgje-gjësie politike dhe qytetare të jashtëzakonshme. Bashkia e Tiranës është një nga kryesfidat e pushtetit lokal në Shqipëri, sepse ajo drejton një realitet gjigant dhe me problematika mjaft komplekse. Arritjet e shënuara që në vitin e parë të saj janë një mesazh optimist që qytetarët kanë marrë dhe që i mbush me shpresë ata në pritje të arritjeve të tjera të shënuara.
Nga martesa e parë keni një djalë, të vetmin fëmijë, sa vjeç është dhe a ka ndjekur rrugën tuaj?
Djali ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet dhe është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tor Vergata në Romë dhe pasi fitoi konkursin po me rezultate të shkëlqyera si dhe bursën, po specializohet po në Romë në degën e radiologjisë interventistike pranë një prej klinikave më autoritare në nivel europian të kësaj fushe.
Sa shpesh e takoni meqë ai studion në Romë, jeni ju apo ai që ju viziton më shpesh?
Impenjimet shtetërore me kanë penguar jo pak për të shkuar dhe besoj se në këtë drejtim i kam hyrë shumë në pjesë atij, por e kemi kompensuar jo pak me komunikimin elektronik.
Në adoleshencën e djalit tuaj, ishit shoku apo babi që të çan kokën?
Shoku i tij sigurisht, ky ka qenë trajtimi që kam pasur nga prindërit e mi edhe unë si mund të sillesha ndryshe me djalin tim, por kam qenë shumë i lumtur se ai më ka kuptuar dhe shpesh me të qeshur i them që jemi një skuadër e vogël ne të dy, por që funksionojmë shumë mirë dhe me shumë mirëkuptim, por edhe Eraldi është një shok që nuk do ta ndërroja me askënd.
Si janë marrëdhëniet me ish-gruan tuaj?
Miqësore dhe të respektit reciprok.
Tani keni një marrëdhënie të kristalizuar prej vitesh, ju ka bërë të ndiheni më i ri, apo thjesht ndjehesh i lodhur nga gratë?
Më ka bërë të ndihem plotësisht i qetë.
Cila është sharja që përdor më shumë?
I kam bezdi sharjet dhe ata që përdorin sharjet apo presionet e të gjithë llojit për të dominuar njerëzit, këto gjëra nuk funksionojnë, krijojnë tensione të kota dhe ulin rendimentin e gjërave, si dhe lënë plagë shpesh të pashërueshme psikologjike pse jo dhe detonojnë hakmarrje dhe egërsi tek njerëzit, ndjenja këto që i urrej.
Cilët janë njerëzit që të hipin më shumë nervat?
Ata që s‘kanë ide dhe që kopjojnë paturpësisht idetë dhe arritjet e të tjerëve duke i shitur si të tyret, janë njerëz me karakter të keq këta dhe nuk duhen besuar asnjëherë. Më bezdisin shumë edhe ata që duke mos pasur ide tregojnë një mijë arsye se si nuk zgjidhet një problem dhe asnjë arsye se si mund të zgjidhet si dhe shpesh rrotullohen me fjalë boshe dhe me zë të lartë, e ky i fundit është aq më i lartë sa më e lartë është edhe shkalla e injorancës së tyre.
Cila është shprehja e urtë që e ke si moto?
Sipas kokës vëri festën.
Çfarë ju ka mbetur pishman nga rinia juaj?
Asnjë pishman, mbase më shumë liri para viteve 90‘ do ta kishin bërë ndoshta edhe me interesante, por megjithatë leximet pa fund kanë mbushur më së miri jetën tonë në ato vite dhe e bënë mjaft solide kulturën dhe formimin intelektual, pra libri ka qenë shpëtimi ynë.
Politikani i huaj model?
Bill Klinton
Politikani shqiptar model?
Natyrshëm Ilir Meta, LSI ka qenë sfida më e jashtëzakonshme e politikës shqiptare në pluralizëm, nuk mund të ishte e tillë pa një politikan model.
Keni miq në PS dhe cilët janë?
Shumë dhe nuk ka si të jetë ndryshe kam ndarë me ta vite të vështira, sfida të mëdha, ditë të bukura dhe ditë gri, ndaj është e pamundur që ti përmend të gjithë, por sigurisht janë vërtet shumë.
Po në PD?
Natyrshëm që kam mjaft, kam miq të vjetër që i vlerësoj shumë dhe që kanë edhe themeluesit e PD dhe miq të rinisë së hershme, por edhe shumë të tjerë.
A ke bërë ndonjë planifikim të 10 gjërave që duhet të bësh para se të vdesësh?
Kam bërë kaq shumë gjëra deri më tani sa besoj që po të llogaritja ato që më kanë mbetur do të ishin shumë më pak se 10.
(e.m/Summerpages/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›