E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europianizimi në vend të Rilindjes

Ermira Mehmeti *

Zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, sikur kanë një tendencë që axhendën e integrimit evropian ta zëvendësojnë me politikat e vjetra, tipike për shtetet e këtij rajoni, në kohët kur perspektiva euro dhe euroatlantike e tyre ishte e paarritshme. Situata politike në Bosnje e Hercegovinë po përkeqësohet. Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar me paralajmërimet e Republikës Serbe, për mbajtjen e një referendumi për ndarje nga Federata boshnjake. Përpjekjet dhe nismat evropiane dhe amerikane, duket sikur nuk po arrijnë të krijojnë bazën e nevojshme të konsensusit për të vijuar me reformën kushtetuese. Heqja e regjimit të vizave me Bosnjën duket një shans optimist, por i kushtëzuar me afatin se kur do të ndodhë. Serbia tashmë hapur po kërkon dhe po lobon për rifillimin e negociatave me Prishtinën, dhe hapur po angazhohet për një “zgjidhje” në Kosovë sipas modelit qipriot. Politika serbe vazhdon të pengojë dhe të shantazhojë partnerët ndërkombëtarë të Ballkanit për pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale me mospjesëmarrjen e Kosovës, ose me pjesëmarrjen e saj, por jo si shtet i pavarur e sovran. Dorëzimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, që, bashkë me Kosovën, paraqesin dy kushtet themelore për integrimin evropian të Serbisë, nuk duket si një vendim të cilin Beogradi është i përgatitur ta ndërmarrë në një periudhë afatshkurtër ose afatmesme.
Ndërkohë, Maqedonia vazhdon me politikat e ridefinimit të fakteve historike, për kombin maqedonas përmes revidimit të historisë, zbulimit të artefakteve të reja, vendosjes së përmendoreve për të provuar kontinuitetin qytetërues të maqedonasve të sotëm me ata antikë, etj. Kjo politikë identitare ka provokuar edhe marrëdhëniet ndëretnike në vend, duke qenë se ajo tenton që poashtu të abrogojë institucionet dhe mekanizmat e Marrëveshjes së Ohrit, si dokument bazë që rregullon ndarjen e pushtetit mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Duket se në Ballkanin perëndimor po shfaqet një valë e re e nacionalizmit, që nuk bazohet më në mjetet e dhunshme çfarë kemi parë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, por kryesisht në zbatimin e procedurave demokratike. Njohësit e rrethanave madje vlerësojnë se nacionalizmi aktual nuk është më nacionalizëm territorial, por nacionalizëm identitar, dhe si i tillë, nuk është shqetësues, sepse nuk cënon parimet e vendosura të funksionimit të shteteve dhe sigurinë e rajonit. E ndërkohë që nacionalizmi mund të ketë marrë formë tjetër, ai ngelet nacionalizëm, dhe ky fenomen në Evropën e shekullit XXI llogaritet si i papranueshëm, si lokal-patriotik, dhe në instancë të fundit, si doktrinë politike e paperspektivë.
Politika nacionaliste në Maqedoni, burimin e saj duket se e ka te doktrina politike e VMRO-DPMNE, e prezantuar me elegancë në programin zgjedhor “Rilindja (Prerodba)”. Me ardhjen në pushtet, “Prerodba” është shndërruar në politikë të institucioneve dhe prej këtu, në politikë zyrtare të shtetit.
Nacionalizmi identitar në katër vitet e fundit në Maqedoni ka hapur së paku tre fronte, të cilat kishim menduar se i takojnë diskursit politik të Maqedonisë së para vitit 2001. Fillimisht, ai ka shkaktuar shumë kontradikta në marrëdhëniet tona me komunitetin ndërkombëtar, ka acaruar retorikën ndaj miqve të Maqedonisë në Bruksel e Uashington dhe ndaj përfaqësuesve të tyre në vend. “Rilindja” ka tensionuar deri në pikë vlimi marrëdhëniet me shqiptarët. Ata sot nuk i besojnë fare Kryeministrit, por as institucioneve të shtetit dhe ky trend, i shfaqur pas viteve të tëra të investimit, për të ndërtuar qoftë edhe mirëbesim minimal të shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë, është një dekurajim. “Rilindja” ka arritur të përçajë edhe vetë maqedonasit me ç’rast, vija më e theksuar ndarëse është ajo në antikë dhe sllavë (këto janë, në thelb, tre mesazhet themelore që javën e kaluar, në formë të shkruar, Qeverisë së Maqedonisë ia depozituan katër faktorët më relevantë ndërkombëtarë- SHBA, UE, NATO dhe OSBE).
Nëse gjykojmë në terma historikë dhe qytetërues, atëherë duhet të konstatojmë se “Rilindja” si doktrinë politike, jo vetëm se e ka larguar, por rrezikon që ta mbajë Maqedoninë edhe për një kohë të gjatë larg integrimit të saj evropian dhe euroatlantik. Integrimi paraqet proces të modernizimit të vendit tonë, por modernizimi është fazë më e re ose më e vonshme në qytetërimin evropian, dhe pëson pas rilindjes. Parashtrohet pyetja, si mund të presim që Maqedonia të kapë trendet modernizuese, kur shteti akoma po jeton rilindjen, dhe rilindja në thelb është nacional-romantike, mitologjike, emotive, joracionale dhe shumë pak reale? Të gjithë këta argumente kanë vetëm një konstatim- “Rilindja” duhet zëvendësuar sa më shpejt me “Europianizimin”! Pas katër vitesh aventura dhe eksperimentime me sistemin, me marrëdhëniet ndëretnike, me religjionin, me marrëdhëniet brenda-etnike, me ekonominë dhe çështjet sociale, këto janë momente kur nga VMRO-DPMNE kërkohet reflektim, rivlerësim dhe orientim (për të mos thënë rikthim) i politikave të vendit në drejtimin e duhur.
Nacionalizmi në Evropë sot konsiderohet si “zëvendësim për ëndrrat e humbura”. Ai, thonë, teoreticienët, e ka humbur funksionin e tij origjinal shtet-formues dhe ekonomi-formues, prandaj dhe Maqedonia duhet ta braktisë këtë politikë sa më shpejtë dhe t’i rikthehet europianizimit si imperativ për shtetin. Nacionalizmi etnocentrik që glorifikon vetëm kombin, gjuhën dhe fenë e maqedonasve etnikë, është duke sfiduar seriozisht logjikën mbi të cilën është ndërtuar shteti jonë: ky nacionalizëm etnocentrik po polarizon komunitetet dhe për pasojë, po shfaqet rreziku që atij t’i përgjigjet një sentiment nacionalist shqiptar si reaksion. Po qe se kursi i këtillë do të vazhdojë, atëherë klasa politike shqiptare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë partia shqiptare në koalicionin qeverisës, realisht e rrezikuar nga delegjitimimi i plotë nga kjo politikë, do të jetë e detyruar të kërkojë rinegocimin e termave të organizimit të pushtetit. Esenca e këtij rinegocimi do të ishte një platformë e re, e përbashkët për bashkëqeverisje, e bazuar në interesat dhe nevojat e dy komuniteteve më të mëdha, që qëllim përfundimtar ka pikërisht implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimin e jashtëm të vendit. Pasojat nga politikat ndarëse dhe nga hapja e fronteve të panevojshme, në një kohë kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar po apelon për unitet, konsensus etnik e politik, mund të jenë të vështira për t’u përballuar. Prandaj, këto janë momente kur burrështetasit duhet të demonstrojnë po aq konfidencë në shtetin dhe popullin sa që kanë në aftësitë personale. Lidershipi nuk është luks, por një përgjegjësi që duhet pranuar. Alternativa do të ishte një botë e kaosit, dhe neve nuk na nevojitet një kaos i tillë.
*Deputete e BDI-së në Maqedoni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›