Berisha: Aleanca e PS, punisto-mafioze
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha reagon ashpër ndaj ultimatumit të Partisë Socialiste, e cila vendosi datën 5 dhjetor si ditën e fundit, brenda të cilës qeveria duhet të hapë kutitë. Në përfundim të një mbledhje me deputetët e qarkut të Tiranës, e cila zgjati rreth 60 minuta, kreu i Qeverisë e quajti koalicionin e majtë një aleancë punisto-mafioze e cila kërkon të rrëzojë rendin demokratik. “Aleanca punisto-mafioze, të cilës i rren mendja se do mund të dhunojë rendin demokratik apo legjitimitetin e institucionet kushtetuese të vendit, le të merret me mbledhje dhe ultimatume sa të dojë. Ajo çka i garantoj unë aleancës punisto-mafioze është se me darët e ligjit do t’i shkulim një nga një dhëmbët dhe pastaj dhëmballët, nuk do t’u mbetet gjë në gojë”, u shpreh Berisha. Sipas tij “ka filluar qendra e Tiranës, u çlirua, po vazhdohet pak më tutje e kështu me radhë. Unë ultimatumet e aleancës mafioze-puniste më bëjnë nder, rendin kushtetues, dhe ne vazhdojmë projektin tonë evropian”. Duke folur për 8 dhjetorin, kur Partia Demokratike do të përkujtojë me një tubim festiv Lëvizjen e Studentëve, kreu i ekzekutivit tha se ajo është dita e idealeve evropiane të shqiptarëve. “Ky përvjetor gjen në pushtet, ata që përmbysën diktaturën dhe shembën Murin e Berlinit, ka një mijë arsye që mbarë kombi shqiptar të festojë 8 Dhjetorin si ditën e idealeve të tij evropiane. Nuk mund ta lë pa theksuar se ata të cilët në vitin ’90 na quajtën antimiting, apo mitingashë, sërish kanë hapur sot gazetat e tyre nën refleksin e etërve të tyre që u përmbysën, me germa kapitale dhe vlerësuan 8 dhjetorin si një anti-miting. 8 dhjetori është festë e të gjithë shqiptarëve, festa e idealeve evropiane të shqiptarëve”, theksoi më tej kreu i Qeverisë. Megjithatë Berisha nuk iu përgjigj ofertës së Presidentit Bamir Topi për të qenë ai negociatori i zgjidhjes së krizës politike. I pyetur për deklaratën e dy ditëve më parë të kreut të shtetit, Berisha iu drejtua gazetarëve “bëni karambol ju me pyetje, e keni problemin tuaj tani”. Ndërkohë gjatë një takimi mesditën e djeshme në Fushë Milot, kreu i ekzekutivit nisi edhe turin e ftesave për mitingun e 8 dhjetorit. Gjatë përfundimit të inaugurimit të rrugës Fushë Milot-Gurrëz, kreu i qeverisë tha se “më datën 8 dhjetor, qytetarët e Gurrëzit, Kurbinit, Fushë-Milotit, Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë do të festojnë në Tiranë, ditën e idealit të tyre evropian, ditën e krenarisë së tyre të madhe, ditën që studentët liberatorë, të mbështetur nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, u përballën nëpër rrugët e Tiranës, me diktaturën më të egër të planetit dhe e gjunjëzuan atë”. Sipas tij “vota juaj e 28 qershorit nuk pranohet, nuk njihet nga një aleancë punisto-mafioze, nga një grup miliarderësh mafiozë, të cilët menduan se, duke mobilizuar dhjetëra e dhjetëra milion euro në zgjedhje, do të mund të blinin pushtetin tuaj. Por atë nuk e realizuan dot dhe tani na kërkojnë të heqim gurin e themelit të kësaj ndërtese, të anulojmë me politikë vendimin e gjykatave apo ta shqyrtojmë atë”.