Dora e shtetit
Uran BUTKA
Shefin e ri të komisariatit të policisë së rrethit e paraqiti një titullar i lartë i ministrisë, që kishte ardhur nga Tirana. Ai tha pak a shumë se, me ndryshimin e qeverisjes, do të ndërroheshin edhe drejtuesit e institucioneve. Sipas tij, ky ishte kuptimi i rotacionit. Policët e kuptuan fare mirë, jo vetëm se fliste troç, por edhe sepse kjo gjë kishte ndodhur edhe herë të tjera, madje, ishin ndërruar jo vetëm drejtuesit, por edhe policët e thjeshtë.
Mirëpo, këtë frikë ua hoqi si me magji shefi i porsaemëruar i komisariatit, i cili u tha se ai do të udhëhiqej nga parimi i bindjes dhe se do t’i mbante të gjithë, nëse do t’i përmbushnin urdhrat.
* * *
Kur mbeti vetëm në zyrën e tij dhe u ul në karrigen e shefit, ai ndjeu një gëzim të panjohur dhe goja i shkoi vesh më vesh. Kishte qenë i papërfillur për disa vjet, kur përnjëherë e në karrigen e lartë!
I hodhi një sy dhomës dhe vuri re se ajo nuk kishte asnjë stoli, me përjashtim të fotografisë së presidentit të Republikës. Ia nguli sytë. “Ti je humbës i madh, pavarësisht se do të qëndrosh në krye të shtetit akoma edhe për një vit”, i tha nën zë.
Pastaj hapi valixhen e madhe të plaçkave dhe, nga fundi i saj, nxori një foto të vjetër të babait të tij, ish-oficer i Ushtrisë Kombëtare në kohën e mbretërisë. E këqyri me vëmendje, sikur e shihte për herë të parë. Ishte një burrë i pashëm, tepër krenar, i veshur me xhaketë ushtarake, këmishë të bardhë e kravatë të përhimtë dhe me kapele oficeri, në krye të së cilës shquhej shenja e përkrenares së Skënderbeut. Një ushtarak-model i shtetit, tamam për t’u nderuar, mendoi. Korniza e trashë e lyer me varak të verdhë prej kohësh, nuk i pëlqeu, se vende-vende e kishin përdhosur mizat. Hipi mbi karrige dhe e hoqi portretin e presidentit. Në kornizën e praruar të tij vendosi fotografinë e babait dhe e vari në mur. Atë të presidentit e futi në një sirtar të tavolinës.
Mbeti i kënaqur nga vetja dhe u ndje i plotë. E dinte mirë radhën e punës.
Mandej thirri mbledhjen e tij të parë me gjithë efektivin.
Vartësit dëgjonin fjalët e tij dhe, ndërkohë, këqyrnin të habitur portretin që kishin përballë. Dikush thoshte me vete që do të ishte presidenti i ri, dikush tjetër mendonte se qe ministri i brendshëm, ndërsa një polic i shtyrë në moshë i mërmëriti shokut:
- Ky është Naltmadhnia e Tij. Dora vetë!
- Cilido që të jetë, duhet respektuar, derisa është vendosur në krye, - ia ktheu tjetri me zë të ulët.
Shefi i urdhëroi që tash e tutje do të nderonin ushtarakisht me dorën e shtrirë horizontalisht përpara gjoksit, duke e mbajtur pëllëmbën poshtë. Një nderim kombëtar, tha ai. E demonstroi vetë konkretisht sesi duhej nderuar dhe e mbylli mbledhjen.
Kur hynin e dilnin policët nga zyra apo e ndeshnin shefin në rrugë e kudo, përplasnin takat e çizmeve, merrnin drejtqëndrim dhe nderonin kombëtarisht. Kjo mënyrë e re paraqitjeje ngjalli kureshtje e diskutime në qytet. Disa thonin se ishte një shenjë e mirë që, më në fund, po bëhej shteti; disa përflisnin se ishte shenjë e keqe, ngaqë po kthehej e shkuara; të tjerët theksonin se në demokraci s’kishte rëndësi nderimi, rëndësi kishte rendi dhe qetësia e munguar. Të rinjtë e fëmijët bënin humor dhe imitonin policët, kur nderonin.
Sidoqoftë, ardhja e shefit të ri u ndje dukshëm.
* * *
Hapi i parë u bë, mendonte ai, pa vendosur respekt e disiplinë, nuk bëhet gjë. Atij iu kujtua takimi dhe biseda me ministrin, para se ky ta emëronte. Ministri nuk e njihte, ngaqë kandidati i takonte një partie të vogël aleate. Donte ta takonte vetë e të bindej për aftësitë e tij. Ministri i foli për rëndësinë historike të kohës që po kalonin dhe për përgjegjësinë e veçantë të Ministrisë së Brendshme. Pastaj e pyeti:
- E bën dot detyrën e shefit të komisariatit në rrethin S?
- Sa policë janë?
- Pesëdhjetë.
- Unë kam bërë zap pesëqind dele në malin e Shkëlzenit, e të mos mbaj nën hyqëm pesëdhjetë policë!
Ministrit i pëlqeu përgjigja, por kandidati nuk e lexoi dot atë. Buzëqeshja në fytyrën e mufatur të ministrit mund të ishte dashamirëse, por edhe ironike. Për ta përforcuar mendimin se ishte dorë e fortë, siç e donte ministri, ai shtoi:
- Rrethin që ju më propozoni, unë e kam shkelur pëllëmbë për pëllëmbë, jo me këmbë, por me bythë. Ja kështu!
Ai vuri dorën në prapanicë.
- Ha-ha-ha! - qeshën të dy me zë të lartë.
- Mirë, - tha ministri, pasi e mblodhi veten. - Pas disa ditësh do të emërohesh. Urime dhe punë të mbarë!
Tjetri u ngrit dhe e falënderoi. Shtrënguan duart dhe ai eci nëpër tapetin e madh e të butë të zyrës. “Sikur shkel mbi shtresën e gjetheve të rëna në pyll”, murmuriti. Por u ndal te dera dhe u kthye.
- Harrova të ngjëroj kafenë, - i tha ministrit. - Më shkon ters, po s’e piva.
- Eja, eja, - ia ktheu tjetri duke qeshur.
Nuk u ul, por e rufiti njëherësh, sikur të ishte raki.
- Gëzuar! - i tha ministrit dhe i shtrëngoi sërish dorën. - Të paça!
Gjë e shkathët, mendoi ministri, duke ulur kokën mbi shkresat që kishte mbi tavolinë...
* * *
Këto sillte ndërmend shefi dhe kruante kokën, që të zgjonte mendimet për hapat e tjerë që do të bënte, kur me radio i komunikuan se në Lagjen e Re kishte nisur sherri midis dy fiseve për çështje pronësie. “Eja e më raporto në zyrë!”, i tha në radio të plotfuqishmit të zonës.
Pas pak trokiti dera dhe i plotfuqishmi hyri me tërsëllëm.
- Pse nuk nderove?! - iu shkreh shefi qejprishur. - Apo s’të pëlqen?
- Nuk thashë që më pëlqen a s’më pëlqen, - u gjegj polici. - Unë isha në ngutje e sipër, sepse atje ka plasur sherri dhe s’dihet si mund të përfundojë, nëse nuk ndërhyn policia.
Shefi rrudhi fytyrën. “Si shumë kapadai”, bërbëliti me vete, “qenka frelëshuar. Më dhënka mend edhe mua se ç’duhet të bëj!”
- Unë po të pyes pse nuk nderove? - shfryu sërish.
Polici e vështroi në bebe të syrit. Ishte i ri dhe s’i bënte tërt syri.
- Të them të vërtetën, nuk jam i bindur sesi duhet të nderoj, - foli qetë-qetë.
Shefi u ngrit nga karrigia dhe iu afrua i xhindosur.
- Kështu duhet të nderosh! – i briti sikur të ishte në mal dhe krahun e djathtë e shtriu mbi gjoks. Mandej e shtyu krahun me gjithë forcën dhe i dha një goditje me trinën e dorës mu në gushë, afër njërithit.
Tjetri s’e priste. U gëlltit dhe u shastis krejt. Desh të fliste, po mori një goditje të dytë me grusht në mjekër dhe u rrëzua.
- Mua duhet të më nderosh! - iu hakërrua. - Eprorët e tu duhet të nderosh. Shtetin duhet të nderosh. Kë tjetër?!
Thirri oficerin e rojës dhe e urdhëroi ta çarmatoste e ta fuste në birucë për shkelje të disiplinës.
Mandej i hipi makinës dhe u nis për atje, ku kishte plasur konflikti.
“Edhe atyre ua tregoj unë qejfin!”, turfulloi me zë të lartë, i bindur në fuqinë e vet. “Duhet të ndihet kudo dora e shtetit!”
26 Tetor 2008