E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shkruash, do të thotë të vrasësh...

Intervistë e Ismail KADARESË me Branka BOGAVAC

Vepra e shkrimtarit nuk është ajo që deklarohet. Ajo mbart në vetvete atë që askush nuk e sheh. Këtë gjë shkrimtari e di, sepse tek ai gjenden vepra që nuk mund t’i shprehë, sepse nuk i mjafton koha për to. Sikur krijesa njerëzore të jetonte katërqind vjet, edhe letërsia do të ishte plotësisht ndryshe, dhe nuk them dot se do të ishte më e varfër. Ndoshta mund të ishte më e pasur, po të jetonim vetëm dymbëdhjetë vjet. Prandaj them se letërsia do të ishte e larmishme, sepse i tillë do të ishte edhe ritmi i jetës. Por, meqë jemi mësuar të themi se jeta mesatare është shtatëdhjetë vjeç, nuk e dimë se si do të ishte letërsia, sikur njeriu të jetonte më pak ose më shumë. Pra, ne njohim vetëm një variant, atë ekzistuesin, ndërkohë që shumica e veprave asnjëherë nuk do të publikohet, sepse ato ekzistojnë vetëm në trurin e shkrimtarit. Ai e di se në kokën e vet ekzistojnë veprat: X,Y, Z, por nuk gjen mënyrën për t’i shprehur ato.

Në fillim diçka më jep një shenjë dhe kohë pas kohe, si një aparat që studion tokën e që zbulon se diku, në një vend, ka mineral. Dhe, ja, një ditë kjo shenjë shndërrohet në diçka që ju tërheq... Një ditë prej ditësh, kur merr disi formë, do të konstatoni se nuk është fort e keqe dhe se në atë moment po shndërrohet në atë që ju dëshironi më shumë, në dashurinë tuaj të drejtpërdrejtë. Ajo fillon të rrezatojë, bëhet gjithnjë më e bukur, ashtu si një femër që vetëm zbukurohet. Vepra duket sikur po del nga mjegulla apo nga uji dhe ju atëherë hartoni planin. Unë asnjëherë nuk bëj ndonjë plan të saktë, sepse nuk është gjë e mirë për veprën dhe e bën atë pakëz si pa jetë dhe të ngurtësuar. Prandaj plani nuk bëhet i saktë. Pa dyshim, kompozicionin e kam të njohur, prandaj kryej menjëherë ndarjen në kapituj, të mëdhenj, të vegjël apo mesatarë. Për të përfunduar atë mjaftojnë tre çerek ore. Kjo është skica, libri i imagjinuar.

Në çdo faqe e ndieni veten sikur po e tradhtoni veprën, sepse keni krijuar diçka që tani do ta vrisni. Të shkruash, do të thotë të vrasësh: gjuha është tirania që ju detyron që t’i nënshtroheni; sintaksa është një tjetër tirane, tradita letrare është e tillë gjithashtu. Ajo është më e ëmbla midis tyre, më pak e rreptë, por megjithatë është tirane. Me të mund të luftosh, kurse gjuhës nuk ke ç’i bën, sepse nuk mund të krijosh gjuhë tjetër. Të tërë këta janë tiranë të vegjël me të cilët bën luftë. Ajo të detyron që pjesën më të madhe të veprës sate ta vrasësh: duhen figurat, karakteret, gjithmonë i njëjti proçes të shkruari, gjë që është e tmerrshme. Eh, sikur njeriu të shkruante sipas shenjave të veta. Por ai është i dënuar të përdorë ato të panatyrshmet, të cilat t’i imponon gjuha e që pa ndërprerje na detyron ta vdesim veprën tonë, prandaj ne jemi një lloj vrasësish. Por unë e di se njerëzimi do të vdesë me këtë formë. Nuk e besoj se në historinë e njeriut do të gjendet një mënyrë tjetër të shprehuri.

A do të dëshironit të flisnit për fatin e shkrimtarit, të përmendnit vështirësitë për të krijuar diçka nga hiçi, sepse” të shkruash është edhe heroike, edhe tragjike”?
- Vështirësitë në të shkruar nuk shfaqen në çastin e fillimit, ato nxjerrin krye shumë më herët. Asnjë shkrimtar serioz nuk e fillon përnjëherë me vendin e ngjarjes. Nganjëherë në intervistat e tyre shkrimtarët thonë gjëra të pasakta. Përse? Sepse pyetjet nuk janë gjithmonë të tilla që të nxisin të vërtetën. Nganjëherë biseda i mërzit dhe, për të ndryshuar diçka, thonë gjëra të ndryshme nga ato që mendojnë. Gjithmonë habitem kur një shkrimtar thotë: “Kur ulem në tavolinë, nuk e di se çfarë do të shkruaj.” Madje, edhe kur një rast i tillë i pazakontë ndodh, mendoj se nuk ka shkrimtar serioz në botë që të mos dijë se çfarë të shkruajë, kur ulet në tavolinë. I tërë arsenali i të shkruarit është grumbulluar e formuluar, para se ai të ulet në tryezë. E tërë kjo pasuri është konkretizuar, përgatitur prej kohësh dhe ndodhet në depo, në bodrum apo në tavan. Që prej shumë kohësh është paracaktuar fati i veprës së tij. Mbase kjo nuk është plotësisht e saktë, por thelbi, zanafilla, gjendet gjithmonë në trurin e tij, në kokën e tij, si një univers, siç thonin që nga koha e Bing Bengut, kur ishte akoma e vogël.

Dikush do të thoshte se fatin e keni të paracaktuar?
- Nuk jam mistik, por mendoj se në teorinë e parathënies së fatit ka diçka të vërtetë. Mbase në të ardhmen do të zbulohet edhe misteri i të shkruarit, sepse mendoj se këtu ka diçka gjenetike. Ai tru, ka të ngjarë, të jetë krijuar për të thithur dhe, në të njëjtën kohë, për të shfryrë, për të kthyer pas atë që ka thithur. Të mençurit e mrekullueshëm ekzistojnë, por u mungon mënyra e të shprehurit. Vepra e shkrimtarit nuk është ajo që deklarohet. Ajo mbart në vetvete atë që askush nuk e sheh. Këtë gjë shkrimtari e di, sepse tek ai gjenden vepra që nuk mund t’i shprehë, sepse nuk i mjafton koha për to. Sikur krijesa njerëzore të jetonte katërqind vjet, edhe letërsia do të ishte plotësisht ndryshe, dhe nuk them dot se do të ishte më e varfër. Ndoshta mund të ishte më e pasur, po të jetonim vetëm dymbëdhjetë vjet. Prandaj them se letërsia do të ishte e larmishme, sepse i tillë do të ishte edhe ritmi i jetës. Por, meqë jemi mësuar të themi se jeta mesatare është shtatëdhjetë vjeç, nuk e dimë se si do të ishte letërsia, sikur njeriu të jetonte më pak ose më shumë. Pra, ne njohim vetëm një variant, atë ekzistuesin, ndërkohë që shumica e veprave asnjëherë nuk do të publikohet, sepse ato ekzistojnë vetëm në trurin e shkrimtarit. Ai e di se në kokën e vet ekzistojnë veprat: X,Y, Z, por nuk gjen mënyrën për t’i shprehur ato.

Mos vallë gjuha është shkaktare për këtë kufizim?
- Gjuha është e fundit, në vendin e fundit. Shkrimtarit i mungon tërë kantieri i ndërtimit: nuk është e mundur që në të njëjtën kohë të merresh me krijimin e gjuhës, mekanizmin e ri, sintaksën e re, prandaj edhe njeriu është i detyruar të punojë me ato që ka. Ai e ndien se brenda vetes ka njëqind vepra, për të cilat i duhen një mijë vjet, gjenerata të tëra.

Askush deri më sot nuk ka thënë diçka të tillë.
- Ndoshta, sepse shumë pak shkrimtarë e ndiejnë këtë gjë.

Si e filloni krijimin? Duke u nisur, le të themi, nga ndonjë ngjarje reale e pastaj duke e shndërruar atë në një vepër arti?
- Nuk e di. Në fillim diçka më jep një shenjë dhe kohë pas kohe, si një aparat që studion tokën e që zbulon se diku, në një vend, ka mineral. Dhe ja, një ditë kjo shenjë shndërrohet në diçka që ju tërheq. Një ditë tjetër ju e ndieni se kjo joshje po vazhdon, se është ngulmuese dhe atëherë e kuptoni se ajo është letërsi e se në atë shenjë ka diçka të tillë. Unë shënoj diçka në bllokun tim. Në ato momente ose jam indiferent, ose e ndiej të njëjtën ngarkesë emocionale, njëlloj si atëherë kur e zbulova atë. Më pas kjo shenjë shfaqet me një këmbëngulje më të madhe dhe atëherë vë në dukje më tepër detaje, të cilat ngjasojnë me avionin kur i afrohet tokës e kur gjithçka bëhet më e dukshme dhe më e madhe. Një ditë prej ditësh, kur merr disi formë, do të konstatoni se nuk është fort e keqe dhe se në atë moment po shndërrohet në atë që ju dëshironi më shumë, në dashurinë tuaj të drejtpërdrejtë. Ajo fillon të rrezatojë, bëhet gjithnjë më e bukur, ashtu si një femër që vetëm zbukurohet. Vepra duket sikur po del nga mjegulla apo nga uji dhe ju atëherë hartoni planin. Unë asnjëherë nuk bëj ndonjë plan të saktë, sepse nuk është gjë e mirë për veprën dhe e bën atë pakëz si pa jetë dhe të ngurtësuar. Prandaj plani nuk bëhet i saktë. Pa dyshim, kompozicionin e kam të njohur, prandaj kryej menjëherë ndarjen në kapituj, të mëdhenj, të vegjël apo mesatarë. Për të përfunduar atë mjaftojnë tre çerek ore. Kjo është skica, libri i imagjinuar.

Dhe më pas filloni të shkruani?
- Nganjëherë filloj në atë çast, ndërsa herë tjetër më vonë. Por desha të nënvizoj se kjo është pjesa më e bukur e krijimit, sepse jeni i lirë, sepse më pas kur filloni të shkruani, i viheni punës, e cila ju detyron që të respektoni gjuhën, sintaksën dhe gjetjen e fjalëve. Por, para kësaj, gjithçka duket si një lloj mjegullnaje.

A nuk të kujton kjo mjegullën e përbotshme përpara se të krijohej bota?
- Po, kjo është normale, sepse kemi të bëjmë me një botë të re. E theksova se ky është momenti më i bukur, por vështirësitë do të fillojnë pak më vonë. Përse? Sepse në çdo faqe e ndieni veten sikur po e tradhtoni veprën, sepse keni krijuar diçka që tani do ta vrisni. Të shkruash, do të thotë të vrasësh: gjuha është tirania që ju detyron që t’i nënshtroheni; sintaksa është një tjetër tirane, tradita letrare është e tillë gjithashtu. Ajo është më e ëmbla midis tyre, më pak e rreptë, por megjithatë është tirane. Me të mund të luftosh, kurse gjuhës nuk ke ç’i bën, sepse nuk mund të krijosh gjuhë tjetër. Të tërë këta janë tiranë të vegjël me të cilët bën luftë. Ajo të detyron që pjesën më të madhe të veprës sate ta vrasësh: duhen figurat, karakteret, gjithmonë i njëjti proçes të shkruari, gjë që është e tmerrshme. Eh, sikur njeriu të shkruante sipas shenjave të veta. Por ai është i dënuar të përdorë ato të panatyrshmet, të cilat t’i imponon gjuha e që pa ndërprerje na detyron ta vdesim veprën tonë, prandaj ne jemi një lloj vrasësish. Por unë e di se njerëzimi do të vdesë me këtë formë. Nuk e besoj se në historinë e njeriut do të gjendet një mënyrë tjetër të shprehuri.

A do të thotë kjo se ju ndryni në veten tuaj diçka të pazakontë, që dëshironi ta shprehni, por që mbetet e pathënë për shkak të tërë këtyre pengesave?
- Në mënyrë absolute. Të gjithë librat e mi janë vetëm një pjesëz e asaj që kisha menduar. Unë jam i bindur se e njëjta gjë ndodh me të gjithë shkrimtarët. Së paku, ata më seriozët.

Pra, gjëja primare për shkrimtarin është fantazia, e cila është më e rëndësishme se teknika dhe mënyra e të shkruarit.
- Patjetër. Kjo nebulozë, ky kaos është më i rëndësishëm, në të ndodhet pasuria. ǒështë mitologjia? Ajo është një lloj kaosi. Përse grekët ishin gjenialë? Sepse ishin të parët ata që mundën të vënë rregull në këtë nebulozë, që arritën ta zbusin, ashtu siç i vishet të çmendurit këmisha e forcës. Ata kanë pasur shumë më pak tiranë, tradita nuk ekzistonte, kufizimet ishin më të vogla. Tradita edhe na ndihmon, edhe na vret. Ajo është dhe diktatore.

Nga njëra anë është diktatore, po nga ana tjetër? Ju keni shkruar librat më të bukur me subjekt nga tradita, siç janë “Kush e solli Doruntinën?” apo “Ura me tri harqe”.
- Pajtohem plotësisht: krijimtaria është një paradoks i madh, këtu nuk kemi gjëra thjesht të bardha, apo thjesht të zeza, po diçka në mes, diçka kontradiktore. Nuk e di nëse është më mirë të ekzistojë ose jo tradita. Prandaj duhet gjetur një kompromis, nëse duhet të ekzistojë apo jo për ju. Nëse jeni në gjendje ta harroni, atëherë jeni një krijues i madh.
Libri juaj i fundit “Pallati i Ëndrrave” është një krijimtari totale. Askush nuk ka shkruar diçka të ngjashme. Ajo është pikërisht nebuloza ku tërë struktura totalitare rri pezull në ajër, e paprekshme, e pakapshme, një lajthitje burokratike. Ajo dhunon popullin duke i rrëmbyer historinë, të tanishmen dhe të ardhmen. Nën pretekstin e së kaluarës ndihen aludimet e vogla të së tashmes.
- Prej kohësh kam dashur të tregoj ngjarje nga bota që përjashton çdo logjikë njerëzore. Kur arrita deri në mesin e librit, kuptova se ai ishte ferri dhe vazhdova duke e sajuar ferrin e vërtetë, ku bëhej fjalë për ëndrrat. Në këtë ferr dikush ishte kujtuar të rrëmbente ëndrrat e njerëzimit, që të mund ta kontrollonte atë edhe në gjumë dhe, në njëfarë mënyre, burokratët kontrollojnë ëndrrat tona. Ky është libri kushtuar ankthit, mjerimit, neverisë, diktaturës. Me siguri që asnjëherë nuk do ta kisha shkruar, sikur të mos kisha jetuar në një vend të tillë. Nuk jam nisur nga asnjë analogji, sepse nuk bëj letërsi me analogji. Por, kur u largova pakëz nga libri, këtu më doli e qartë diktatura bashkëkohore, ndonëse veprimi kishte ndodhur në një të kaluar të largët, në Perandorinë Turke të vendeve lindore. Ai terror dhe ai faj ju bashkëngjitet, kur as që e dini përse fajësoheni, përse ju ndjekin, përse mund t’ju burgosin, përse ju lënë të lirë e përse duan t’ju asgjësojnë. Ja, kjo është vepra, zanafilla e së cilës u bë trillimi në fjalë.
Si keni mbërritur në një ide të tillë?
- Kur shkruaja librin “Kamarja e turpit”, përshkrova një pasha që kishte dashur të mësonte fatin e vet. Gjithmonë e ruaja në kujtesë një pjesë të shpjegimit të ëndrrave në ushtri. Kështu, pashai shkon në barakën ushtarake të ëndrrave për të dëgjuar se çfarë do të ndodhte, por ajo mbeti në një faqe e gjysmë. Pra, subjekti më ishte shfaqur në mendje që atëherë, kurse më pas shkrova një libër të tërë. Kështu ndodh gjithmonë: në një libër shfaqet një temë e vogël, të cilën më vonë e zbërthej në një libër të plotë. Të tërë librat e mi kanë lidhje me njëri-tjetrin. Kështu, nga libri “Pallati i Ëndrrave” ka lindur një vepër e veçantë (nëse ju kujtohet çifti i verbër) “Qorrfermani”, në të cilën përshkruaj përndjekjen e njerëzve me “sy të magjepsur”. Këto janë fushata tipike, të cilat janë kryer kundër liberalëve.

Mahnitem me të vërtetë se sa thellë keni hyrë në botën totalitare, se deri në ç’shkallë e keni shpënë analizën e asaj bote. Ndërkohë dukeni njeri i tërhequr, madje as që keni provuar vetë diçka drastike, si shumë të tjerë. Prandaj mund të thuhet se të tëra këto i keni ndeshur në ajër, siç i ka ndodhur edhe Eskilit, keni arritur të ndieni të tëra vuajtjet e të tjerëve.
- Këtë gjë e kanë kuptuar mijëra njerëz dhe nuk është e rëndësishme nëse kam qenë në burg apo jo. Shumë njerëz kanë qenë në burg, por jo të gjithë kanë kuptuar. Por kjo nuk është e domosdoshme, përndryshe, ç’vlerë do të kishte letërsia?

Tjetër roman i madh juaji është “Koncerti”. Ai është një polifoni e mahnitshme, ku lexuesi kap zërat e një tragjikomedie absurde. Ja çfarë thotë Lekleri te “Poen”, revistë e përjavshme parisiene, në dhjetor të vitit 1989: “Të animosh teatrin e botës dhe ta tregosh si teatër hijesh, vetëm një romancier i pavarur mund të zotërojë një të folur të tillë. Pikërisht këtu, Kadareja është i pavarur si asnjëherë tjetër. Vizionar, virtuoz, që luan me të gjitha tonet e format, ai arrin t’i lejojë vetes gjithçka: skicën, romanin, sinopsin, poemën, copëzën autokritike, komedinë e zakoneve, leximin e “Makbethit”, groteskun... Sipas Kadaresë, leksioni i jetës së romanit është se tronditjet e historisë të shpien në hiç, që të vërtetohet përparësia e artit dhe e ndjenjave...” Me sa duket, ju e keni shkruar atëherë kur jeni marrë edhe me “Pallatin e Ëndrrave”. Na thoni diçka për këtë roman, sepse më duket se këtu fantazia juaj nuk njeh kufi.
- Ky është një roman tepër i ndërlikuar dhe shumëplanësh, për të cilin kam punuar gjatë. Në të ka më shumë se një roman. Prej shumë kohësh kam dashur të shkruaj një roman të tillë, siç thuhet, një roman total. Tërë shkrimtarët e ëndërrojnë një gjë të tillë. Por ishte shumë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me një roman bashkëkohor e, në të njëjtën kohë, edhe me një mit. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Shqipëri.

Mao ka dashur të krijojë “njeriun e ri”, pa tru, të riedukuar dhe të zhveshur nga çdo fantazi mbi artin, dashurinë a kulturën. Mao ishe i vendosur për të “thjeshtuar” trurin njerëzor, për të mos lejuar njeriun që ta shpjerë botën drejt “katastrofës”. Fitoret që ëndërrojnë tiranët e vërtetë nuk qëndrojnë mbi princat kalimtarë, por mbi zotëruesit e shpirtit, mbi ata që jetojnë përjetësisht. Mao do t’i eliminojë të gjithë: edhe kryetarin Servantes, edhe princin Bethoven, edhe gjeneralisimin Shekspir, edhe kontin Tolstoj, e kështu me radhë... Kjo do të thotë se shkrimtari është i përjetshëm në raport me diktatorët?
- Shkrimtari është i përjetshëm dhe ai e di këtë. Por edhe diktatori e di këtë, prandaj kam thënë se ata të dy ndeshen përjetësisht mes tyre. Kur më akuzojnë se nuk marr pjesë në “situatën emergjente”, u them se shkrimtari nuk mund të jetë peng i një periudhe dhe as që duhet t’u nënshtrohet ligjeve të fakteve të thjeshta për t’i takuar një epoke. Si i tillë, ai kënaqet duke qenë “jashtë kohe” dhe i nënshtrohet vetëm një ligji, ligjit të artit. Shkrimtari u nënshtrohet presioneve në një shtet totalitar, i cili dëshiron ta shndërrojë në një reporter, në një glorifikues të regjimit “real”.

Në romanin “Koncerti” përshkruani “revolucionin kulturor”, i cili e ka ndaluar Shekspirin në Kinë. Si ka qenë ndikimi i tij në Shqipëri? Diku kam lexuar se janë djegur veprat e Çehovit.
- Ka pasur disa shenja, qeveria ka tentuar të bëjë presion mbi intelektualët, mbi shkrimtarët dhe i ndaloi ata të udhëtojnë jashtë vendit. Por nuk ka shkuar aq larg sa në Kinë. Hoxha tentoi në këtë drejtim, sepse e dinte se kultura ëshë e rrezikshme dhe se të tëra diktaturat e kanë frikë atë. Por në vitet ’60-të diktatura nuk e kishte kuptuar ende këtë gjë, kështu që kultura vazhdonte të zhvillohej. Pas përvojës kineze, ajo e kuptoi dhe u shpreh: “Kini kujdes nga kultura!” Kjo gjë filloi në vitin 1967, me ndalimin e fesë dhe traditave të tjera. Ballot u ndaluan menjëherë mbas luftës. Kështu, pra, Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë.

Me veprat tuaja e keni bërë Shqipërinë dhe shqiptarët të njohur në të gjithë botën. Asnjë propagandë e specilaizuar nuk do të kishte qenë në gjendje të arrinte një rezultat të tillë. Si asnjë shkrimtar tjetër, ju ia keni shpërblyer atdheut dhe popullit tuaj.
- Këtë gjë nuk e kam bërë qëllimisht, por është e qartë se kjo ka qenë dëshira ime e fshehtë. Kështu edhe ka dalë në sipërfaqe, sepse e kanë të lehtë kombet e mëdha e të njohura, ku edhe shkrimtari nuk e ka të vështirë të bëhet i njohur.

Të gjithë njerëzit me vullnet të mirë do të interesohen për këtë komb kur të lexojnë librat tuaj, prandaj them se ju e keni bërë të famshëm kombin shqiptar nëpërmjet letërsisë suaj.
- Sigurisht, sepse jam shqiptar, por unë mendoj se jemi popull i Ballkanit, prandaj në të duhet të ndihemi si në një shtëpi të madhe, si në një familje të madhe. Me gjithë kontradiktat që ekzistojnë, përsëri ne ndihemi si katunde fqinje që kanë diçka të përbashkët, pavarësisht nga momenti i armiqësisë që unë e shoh si diçka të përkohshme dhe kalimtare. Ballkanasit duhet të jenë si një familje e madhe.

Përktheu Nikolla Sudar
_____________________________
Shënim: Siç kemi pasur rast ta theksojmë në numra të kaluar, ky tekst është pjesë nga intervista, që I. Kadare i ka dhënë autores në Francë. Branka (Le Comte) Bogovac shquhet për mprehtësinë, kulturën dhe ndershmërinë si bashkëbiseduese. Libri i saj me titull “Biseda në Paris”, ku janë përmbledhur mjaft intervista me
disa nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë botërore (aty dhe dy intervista me Kadarenë), në gjuhën shqipe është botuar nga “Onufri”.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›