Monolog i Odisesë
Alisa VELAJ
Monolog i Odisesë
(Para mbërritjes)
Do të kthehem një ditë
andej ku nuk u nisa.
Me sy të shqyer prej tmerrit
do t'ju vështroj
juve që iluzionin e ikjes
e ngatërruat përherë me të vërtetën e kthimit
Drejt viseve të huaja
unë nuk u nisa kurrë.
Veç ashti im lundëroi ndër dete
që shfaqeshin papritur në horizont.
Ankthi i vendlindjes më kaplon trishtueshëm!
Në të vërtetë unë nuk u nisa kurrë...
Miku im Koral
I kam zgjimet e gjelbra
në të mbramin ças të athit
e barit jeshilues ia nuhas aromën
aty ku nuk është...
Ç'të të them më tepër
miku im Koral
Ndodh edhe të përtypet
ndonjëherë kaltërsia!
Kthjellim
Kthjellohem përherë
në çastin e mbramë
kur flutura rreth llampës
është bërë shkrumb
e kurmi i saj kthyer në hi
bie si vesë pluhuri
mbi pëllëmbën time
atëherë shuaj dritën
dhe ndez vetëtimthi një shkrepse!
baladë
fluturonin zogj shtëpisë së braktisur
fë avllinë plot ferra që po kapnin retë
asnjë shkop s'nxirrte dot ujë prej ndoj guri
e thuhej se shiu ish në kohë të vet
asht
ashkël je
ashtit tim
zjarr qe avitesh gjymtyreve
e me këput ndër gjuj
ashkël jam
ashtit tend
andaj sillesh
përanash Flakës
Qirinj
Mbaj qiej më të ftohtë se të tutë mbi supe
E plot qirinj të ndezur
Për torta që s’di ku i humba.
Ti më thua të hesht sonte
Në performancën e yjeve
E të vështroj rënien e tyre
Me të njëjtën uri
Që lakmoja dikur shkumëzime dallgësh.
Po tash qirinjtë më shkrinë ndër duar
E unë s’po di ku t’i vë…
Ringjallje
Lart ndër degë
Asgjë më tepër se nje gjethe
Vaj për zogjtë!
kur stivoset vdekja
në sheshin e pazarit stivojnë në turrë degë të thata
Silvia Plath
këto degë të thata nuk duhej të ishin stivosur këtu
është mesditë dhe e gjithë turma
do të kalojë këtejpari
pyll-fantazma do ta tmerrojë të përhënurin
me atë palcë tharë në asht
pastaj ai do t’ia përcjellë përhënien turmës
(si tejçohet rryma në një përcjellës elektrik)
stivosja mund të bëhej edhe në sheshin e pazarit
por kurrsesi
kurrsesi
në mes të ditës
Cikël poetik
1) Shtëpia
shtëpia që mend po shembet është e jotja
dhe drurët që rrëzoi mbrëmë stuhia ishin të oborrit tënd
më lër të t’i konturoj përmasat në një tjetër hapësirë
ku trarët e çative janë më të sigurt
dhe rrënjët kanë zënë vend në dhera të parrëshqitshëm
pastaj të të përqafoj pa patur frikë nga asgjë
2) Nëntokësore
asnjë tingull në muzg
s’e gërvisht dot heshtjen
asnjë kërcitje dere
s’më ngjall më parandjenjë
strukem kraharorit tënd si pulëbardhë e plagosur
nga uturima erërash që shurdhojnë dhe të marrët
e frikëra boheme
mos humbas gjërat
që kurrë nuk i pata
3) E vetëdijshme
më përhën kaq tepër pasiguria jote
se erërat gjithmonë i kanë përkulur pemët
e qyqja prore ka klithur nëpër degë
Po gjethet kurrë s’u kthyen në tufë korbash
4) Karafila të kuq
karafila të kuq
vetmojnë në vazo qelqi
përgjumur mbi nënkresë
frymon qenia ime
e karafilat janë gjak
gjak i kuq po të them
5) Gjethe
sërish gjethja ra
në të njëjtin shtrat
është dheu i shkrifëruar
punuar mbrëmë me lesë
themelet mbetën hapur
me ndonjë gur të rënë s’di se nga
që tjetër brazdë hapi në kujtesë
6) Miturake
vogëlushi mërmërin një këngë të pakuptueshme
e pret që kërmilli të dalë prej guackës
rreth tij thurret gardhi me bredha të lartë
aq pranë njëri-tjetrit sa kockat e rrashtës
26 Tetor 2008