E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Wrong Number" ose "Gabim me dashje"



Astrit LULUSHI (SHBA)
Tregimi në shqip me titullin në anglisht "Wrong Number", mund të quhej edhe "Gabim me dashje". Faruk Myrtaj trajton aty anën e mirë të gabimeve, të gabimeve pa të keq, të atyre gabimeve që vetëm kur nuk ndodhin, e bëjnë jetën të duket e mërzitëshme, monotone, si një film bardhë-e-zi. "…a thua dashuria qe shndërruar pikërisht në keqardhje? Për më keq akoma, në gjendje të tillë lëngate shpirtërore, më kishte zënë gjumi. Si vulë e trishtë e sundimit të ftohjes polare...'', thotë Myrtaj.
Shkrimtari i ngjan njeriut në fokus. Ai kuptohet nëse e njeh temën që prek e nuk druhet të thotë: "Jam ai që jam." Ky sinqeritet e çliron nga vetja, prandaj edhe nuk mund të rrijë pa shkruar. Madje, kur mendohet se ka arritur cakun, si ai që ende nuk ka gjetur atë që kërkon, shkrimtari kthehet e fillon të ecë kokulur, në të njëjtën rrugë, duke hapur sytë e duke shkelur mbi gjurmët, që e patën sjellë deri aty. Ajo që shkrimtari kërkon është substanca, brendia, e padukshmja që anashkalohet, nuk përfillet, pa të cilën shumë njerëz bëjnë, edhe pse pa të gjithçka duket boshe.
"Wrong Number" mund të kuptohet edhe si rrëfim i gabimeve të vogla, por që ia vlejnë. Gabime të tilla, si gjembi i trëndafilit kur shpon, e bëjnë njeriun të ndjeshëm, të hapë sytë për të parë se diçka të bukur mban në dorë.
"Më përmendi një zile telefoni... M'u deshën pak çaste kthjellimi… Gjithë-gjithë dy a tre miq kishim në këtë qytet të stërmadh. Vendlindja na e gëlltiste jetën në kafe-llafe, por s'kishim pritur një vetmi kaq ngjethëse, si kjo e këtushmja.
Mezi e prisnim zilen e telefonit. Edhe të bërë pa dashje..." (F.M., po aty)

*
"Wrong Number" është sinjal zgjimi, thirrje për shkëputje nga rutina e dalje nga plogështia; thirrje a kujtesë për të shijuar të mirat përreth. Ai gjithashtu krijon imazhin e një skulpture në proçes, ku për hir të formës, guri a druri merr nga artisti goditje të pamëshirëshme. Dhe Myrtaj gdhend guximshëm. Ai shpreh mendimet që njeriu bluan veçanërisht në mërgim, ku punës dhe halleve u shtohet edhe malli.
"Ai që kishte ngatërruar numrin kërkonte ndjesë, pa e ditur se e ndizte për pak minuta zjarrin tek ne. Si kështjellë rëre thërmohej qetësia brenda mureve, kur gabuesi i telefonatës ndodhte i gjuhës mëmë...'' (Wrong Number, F.M.)
Ndjenjat e mendimet mbeten intime, derisa njeriu vendos t'i shprehë. Që të kuptohen ato, duhet të rrjedhin natyrshëm e hapur, dhe Myrtaj nuk ngurron.
"Kalova dorën rreth belit të saj. Të gruas sime. Asnjë shenjë bezdisje. Tek prekja, ndjeva dëshirën e strukur prej mungesës së gjatë... Ajo tjetra (në telefon) vazhdonte të fliste... Absurdi bubullinte: tërë ç'fliste, absolutisht pa lidhje me mua. Por, marrëzisht, ndjehesha mirë." (F.M., po aty)

*
Tregimi "Wrong Number" nuk duhet lexuar pjesë-pjesë. Në brendi të tij vështirë se mund të hyhet me një vështrim a lexim të përciptë. Kjo jo sepse Myrtaj synon të bëhet i lodhshëm, por mendimi i thellë, veçori e shkrimeve të tij, bën që kapërcimi qoftë edhe i një fjalie, të sillte keqkuptim a humbje të fillit të mendimit.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›