Hajduti i punishtes
“Kunatin tim e kanë harruar në burg për vjedhje, megjithëse hajduti është deklaruar një tjetër, por nuk duan ta nxjerrin policia dhe prokuroria”. Kështu shkruante dje për “Spiunin” Adem Skura, nga Elbasani. Ai thotë se prej gati katër muajsh nuk kanë gjetur zgjidhje për arrestimin dhe mbajtjen në mënyrë të padrejtë të familjarit të tyre nga Policia dhe Prokuroria e Elbasanit.
Ademi solli edhe letrën e kunatit të tij: “Quhem Fatos Faik Roci, lindur në Mjekës të Elbasanit, më 1986. U rrita në një familje të varfër, jetim dhe nënën e kam shumë të moshuar. Punoja në një punishte duralumini në Mjekës. Para tre muajsh punishtja u vodh. Na shoqëruan të tre punëtorëve në Policinë e Elbasanit. Ata të dy, njëri prej të cilëve ishte roja, u liruan, kurse mua më mbajtën, sepse, sipas tyre, isha unë hajduti. Një ditë më vjen një lajm shumë i mirë, se policia e kishte kapur hajdutin. Madje vetë pronari i punishtes shkoi te nëna ime dhe tha se i kishte gjetur të gjitha që i ishin vjedhur, sepse hajduti u kap dhe nuk isha unë. Por megjithëse u kap hajduti, prej disa muajsh unë përsëri mbetem në qeli, sepse prokurori dhe polici gjyqësor nuk kanë se si të justifikohen. Arrestimi im u bë jashtë çdo norme ligjore e njerëzore, sepse familja ime nuk dinte se ku isha dhe alarmoi gjithë fshatin duke më kërkuar mua. Unë jam vetëm 21 vjeç dhe e ardhmja ime është vetëm puna”,- thotë Fatosi, që kërkon të mos harrohet kot në qelinë e paraburgimit.