Turp! Jemi si një qeveri pa Kryeministër
Çfarë ndodh në Gjykatën e Lartë, me 10 anëtarë dhe pa kryetar
Rrëzimi në Kuvend i pesë anëtarëve të rinj të Gjykatës Lartë, ka shtuar kaosin në institucion. Ndërsa po mendohej se pas kalimit të dekreteve, mbetej edhe plotësimi i dy vendeve të tjera të mbetura vakant, gjithçka është kthyer si më parë, pas votimit kundër të deputetëve të shumicës që rrëzuan dekretet e presidentit Topi për emrat e 5 kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, Zamir Poda, Kristaq Traja, Altina Xhoxhaj dhe Medi Bici.
Shumica e gjyqtarëve dhe personelit ndihmës kalojnë kohën në kafenenë “Urban” pas ndërtesës së institucionit të mbetur “jetim”. Mbrëmjen e të premtes, ndërsa shumica e shqiptarëve ndiqnin ndeshjet e futbollit për Euro 2008, anëtarët e mbetur të Gjykatës së Lartë tregojnë se ishin të gozhduar para ekraneve të televizioneve informative ku jepej direkt votimi në sallën e Kuvendit për dekretet e Presidentit të Republikës. “Nuk kemi asgjë kundër votimit, sepse ai ishte kushtetues, por fakti që sot jemi sërish 10 anëtarë dhe pa kryetar, do të thotë se ne jemi sërish në të njëjtën situatë si para votimit të mbrëmjes së të premtes”,- thotë për “Shekullin” një anëtar i Gjykatës së Lartë.
Institucioni e mban portën të hapur, por prej marsit 2008 ajo nuk jep asnjë vendim. Anëtarët e mbetur, vijojnë të bëjnë punën e tyre dhe dosjet po bëhen kapicë, sepse mungesa e numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe e kryetarit e bën të pamundur mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara. Prej disa kohësh, në Gjykatën e Lartë funksionon vetëm Kolegji Civil dhe ai Penal, por jo Kolegjet e Bashkuara. Nga 17 anëtarë që duhet të ketë Gjykata e Lartë, ka aktualisht vetëm 10 syresh, përkatësisht Gani Dizdari, Perikli Zaharia, Spiro Spiro, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri, Shpresa Beçaj, Ardian Dvorani, Besnik Imeraj, Fatos Lulo dhe Ardian Nuni. Sipas Ligjit Nr.8588, datë 15.03.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, dekretuar më 3 prill 2000 nga ish-presidenti Rexhep Meidani, Gjykata e Lartë përbëhet nga 17 gjyqtarë. Ky ligj e bën të domosdoshëm rolin e Kryetarit, i cili drejton Kolegjet e Bashkuara, bën ndarjen e gjyqtarëve në kolegje, kujdeset për funksionimin normal të Gjykatës së Lartë si dhe detyra të tjera.
“Roli i Gjykatës së Lartë, është si ai i Kryeministrit në një kabinet qeveritar. Sepse ajo është në majën e piramidës së sistemit gjyqësor. A mund të mendohet një qeveri pa Kryeministrin? Ose, a mund të konceptohet një qeverisje pa policinë? Ky është një turp që duhet ta bëjë shumicën parlamentare që të reflektojë”,- shprehet për gazetën, njëri prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Sipas tij, po aq të rëndësishme janë edhe detyrat e Kolegjit Civil që gjykon çështjet me karakter tregtar, administrativ, familjar, të punës, etj., si dhe Kolegji Penal, që gjykon çështjet penale ushtarake, dhe këto dy kolegje janë të vetmet që funksionojnë.
I pezulluar ka mbetur funksionimi i Kolegjeve të Bashkuara, ku gjykohen raste të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile dhe asaj Penale, ankimet kundër vendimeve të KLD-së, apo kërkesa për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore. Por sipas nenit 16, të Ligjit për Gjykatën e lartë, Kolegjet e Bashkuara mund të gjykojnë vetëm kur arrihet kuorumi i nevojshëm, pra kur në to marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, çka me 10 anëtarët e mbetur nuk mund të arrihet. Telashet e Gjykatës së Lartë do të vijojnë edhe pasi të plotësohet numri i nevojshëm i anëtarëve dhe funksionimi i saj do të jetë sërish në dorë të politikës. Në dhjetor i mbaron mandati 9-vjeçar anëtarit Perikli Zaharia (Polloshi), i emëruar më 6 Korrik 2000. Ndërsa vitin tjetër i mbaron mandati anëtarit tjetër Spiro Spiro, i dekretuar më 2 Tetor 2001, si anëtar i Gjykatës së Lartë, pasi mbush 65 vjeç.
Pas rrëzimit të Topit në Kuvend, Kryeministri darkon me njerëzit e tij
“Gafa” e Madhit i prish Berishës festën e dekreteve
Një fitore që duhej festuar. Sepse votimi i kishte “thyer dhëmbët” ish-nënkryetarit të PD-së. Kështu e ka konceptuar grupi i kryeministrit Berisha rrëzimin e pesë dekreteve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të sjella në Kuvend nga Presidenti i Republikës. Si për të vërtetuar se nuk kishte asgjë parimore, por një ndeshje mes institucionit të Presidencës dhe Qeverisë së kryeministrit Berisha. Dhe i fituar doli klani i kryesuar nga kryeministri Berisha. Pas votimit për të pesë emrat e propozuar, Berisha me të tijtë kanë shkuar të festojnë fitoren në një lokal të kryeqytetit. Berisha dhe pasuesit kanë përdorur të njëjtin stil si pas votimeve, me ”thyerje dhëmbësh” kur ishin në pushtet kryeministrat e majtë të PS-së. Ndërsa festa për fitoren ndaj Presidentit ka qenë në kulm, lajmi se njëri prej anëtarëve ka marrë 66 vota, pra numrin e mjaftueshëm për të kaluar dekretin e Topit, ka rënë si bombë në lokalin ku festonte grupi i Berishës. Ishte fjala për votat që deputetët kishin dhënë për Zamir Podën. Berisha i alarmuar ka marrë në telefon menjëherë Arjan Madhin, duke i kërkuar shpjegime për këtë gabim të pafalshëm dhe e ka urdhëruar që ta korrigjojë urgjentisht. Më pas, ka qenë republikani Madhi që është marrë me ndreqjen e “gafës” së bërë gjatë votimit, duke njoftuar se Poda kishte marrë vetëm 65 vota, pra të pamjaftueshme për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Për ironi të fatit, Poda ishte edhe kandidati më i sulmuar nga shumica në Kuvend.
Votimi në Kuvend, ka vënë në pikëpyetje edhe faktin nëse ish-nënkryetari i PD-së, Topi, ka një grup mbështetësish, dhe nëse po, pse ata iu bashkuan votës “kundër” me grupin e Berishës. Burime nga PD-ja thanë se mbështetësit e deklaruar të Topit, kanë patur joshje nga grupi i Kryeministrit. Përpos kësaj, ata kanë mbetur të pakënaqur me Presidentin, sepse ai nuk kishte përfillur asnjërën prej kandidaturave të propozuara prej tyre, duke listuar emra që kishin jetëshkrimin e duhur që kërkon profili i anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe jo siç është vepruar në të shkuarën, me kandidatura të përfolura, por që kanë pasur mbështetjen e grupeve të deputetëve.